Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot pasdite një vizitë në Katedralen e Shën Palit, ku u takua me Imzot Rrok Mirditën, për t'i uruar njohjen e Arqipeshkëvisë së Tiranës dhe Durrësit si Ar
Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot pasdite një vizitë në Katedralen e Shën Palit, ku u takua me Imzot Rrok Mirditën, për t'i uruar njohjen e Arqipeshkëvisë së Tiranës dhe Durrësit si Arqipeshkëvi Metropolitane. Në këtë takim Kryeministri Nano shoqërohej nga Prefektja e Tiranës, Mimi Kodheli dhe Kryetari i Komitetit Shtetëror të Kulteve, Ilir Kulla.
Duke përgëzuar Imzot Rrok Mirditën për këtë zhvillim të veçantë dhe të rëndësishëm, Kryeministri u shpreh se kjo ngjarje vjen si një lajm pozitiv nga Selia e Shenjtë, konsakrimi i Arqipeshkvisë së Tiranës dhe Durrësit si metropolitane, si një ndër 270 metropolitë katolike në 750 arqipeshkvi që njeh Selia e Shenjtë në mbarë botë.
Zoti Nano vlerësoi se tashmë Tirana fiton këtë dimension, bëhet metropolitane edhe nga pikëpamja e Selisë së Shenjtë dhe komunitetit katolik, me të gjitha traditat dhe vlerat që ai mbart në procesin e integrimit tonë ndërkombëtar. Sipas tij, "kjo gjë nuk mund të ndodhte pa kontributin e jashtëzakonshëm dhe të pazëvendësueshëm të imzot Rrok Mirditës, që rimëkëmbi kishën katolike shqiptare në më shumë se 13 vjet, pas atij vakumi dhe persekutimi të regjimit komunist".
Gjithashtu, Kryeministri Nano vuri në dukje se kjo është një tjetër mundësi për të nxitur edhe shtetin, me administratën dhe institucionet e tij laike, të jenë më pranë institucioneve të kultit për të lehtësuar kryerjen e misionit të tyre të pazëvendësueshëm në shoqëri".
Nga ana e tij, Imzot Rrok Mirdita, pasi i shprehu falenderimet Kryeministrit Nano për mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë ndaj institucioneve fetare në Shqipëri dhe angazhimin e tij personal për të mbështetur rolin e tyre të rëndësishëm në shoqëri, u shpreh se "vendimi i Atit të Shenjtë, i cili ushqen një dashuri për Shqipërinë dhe kryeqytetin metropolitan të vendit, të cilin e ngriti edhe në aspektin kishtar në metropoli kishtare, është një arritje e përbashkët e të gjithëve, pasi ky titull i shkon kryeqytetit".