E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot pasdite një takim me Ministrin e Jashtëm francez z. Michel Barnier. Pas këtij takimi Kryeministri Nano dhe Ministri i Jashtëm Francez dolën sëbashku në një

Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot pasdite një takim me Ministrin e Jashtëm francez z. Michel Barnier. Pas këtij takimi Kryeministri Nano dhe Ministri i Jashtëm Francez dolën sëbashku në një konferencë për shtyp:

Kryeministri Fatos Nano: Kam kënaqësinë të jem para jush me zotin Barnier, Ministrin e Jashtëm të Republikës Franceze, që mbyll një tur rajonal me vizitën disaorëshe në Tiranën zyrtare. Ishte një rast i jashtëzakonshëm për të azhornuar arsyetimin dhe informacionin mbi nivelin aktual të marrëdhënieve bilaterale, mbi procesin rajonal që shtyn përpara angazhimet e vendeve të ndryshme të Ballkanit drejt integrimit europian dhe bashkëpunimit rajonal, si dhe mbi sfidat e përbashkëta që Shqipëria dhe Franca ndajnë në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe në këtë kuadër i shpreha gjithë solidaritetin e Qeverisë Shqiptare Ministrit Barnier për pengjet, gazetarë francezë, që ende janë në duar terroristësh në Irak. Z.Barnier më siguroi se Parisi zyrtar sheh me vëmendje zhvillimin e Shqipërisë si një faktor i rëndësishëm moderacioni në rajon dhe si një faktor i dinamizimit të proceseve të integrimit europian për Ballkanin Perëndimor në procesin e Asociimit. Pata kënaqësinë të dëgjoj se në javët e ardhshme Presidenti Shirak mirëpret vizitën e Kryeministrit të Shqipërisë në Paris për ta vazhduar më tej këtë dialog në nivel edhe më të lartë.

Ministri i Jashtëm i Francës, z.Barnier: Fjalët e para dua t'ia drejtoj shtypit, duke i falenderuar për prezencën dhe vëmendjen e tyre dhe për të thënë sesa i ndjeshëm jam ndaj pritjes shumë të ngrohtë që më bëri Kryeministri juaj ashtu si edhe Ministri i Jashtëm shqiptar. Unë jam Ministër i Punëve të Jashtme në Francë vetëm prej pak kohësh, që prej 5 muajsh, megjithatë ishte shumë e rëndësishme kjo vizitë që bëra në Ballkan. Ishte vizita e dytë që bëj në rajon. Dje ndodhesha në Kosovë, sot në Maqedoni dhe në Shqipëri, duke patur parasysh edhe situatën e vështirë në të cilën ndodhemi me dy pengjet e marra, që janë dy kolegët tuaj të marrë peng nga terroristët. Ju falenderoj dhe juve z,Kryeminsitër për solidaritetin që shprehët për gazetarët që janë zhdukur në Bagdat.

I shpreha z.Kryeministër se ka ardhur momenti për t'i dhënë një vrull të ri marrëdhënieve midis Francës dhe Shqipërisë. Edhe ky është kuptimi që ka vizita ime në Tiranë. Është pikërisht kjo dëshira dhe ideja që unë i shpreha Kryeministrit dhe që do t'i rikonfirmohet në vizitën e tij të ardhshme, ku do të pritet nga Kryeministri dhe Presidenti në Francë. Ka shumë arsye për këtë vrull të ri që po marrin marrëdhëniet midis dy vendeve tona. E para është se në çfarë raportesh jemi me njëri- tjetrin. Në fakt janë shumë arsye, historia, është tradita, është afërsia, gjuha. Jam shumë i kënaqur kur dëgjoj se 30% e të rinjve shqiptarë zgjedhin frengjishten si gjuhë të huaj dhe prova jeni ju vetë z.Kryeministër, që flisnit shumë mirë frengjisht.

Ky vrull i marrëdhënieve tona do të ketë së pari karakter kulturor, ekonomik dhe kur flas për të tillë bashkëpunim kam parasysh qytetarët shqiptarë, të cilët e ndjejnë këtë nga afër dhe konkretisht është rinovimi i qendrës së Tiranës, projektet e rregullimit të sistemit të ujrave, projektet në sektorin e shëndetësisë dhe të tjera projekte që shqiptarët do t'i prekin direkt.

Arsyeja e dytë e këtij rinovimi marrëdhëniesh është vendi kyç që zë Shqipëria në rajonin e Ballkanit. Shqipëria ka luajtur rol shumë të rëndësishëm në momentin e krizave në Ballkan, ka luajtur një rol moderimi dhe stabiliteti të përgjegjshëm dhe unë mendoj se kjo është shumë e rëndësishme me influencën që ka vendi juaj pranë komuniteteve shqiptare në territoret e tjera ballkanike qoftë në Kosovë, Maqedoni e më gjerë.

Ka edhe një arsye të tretë, sepse kur flasim për stabilitetin e Shqipërisë kemi parasysh stabilitetin e Europës, kam parasysh rrugën që ka nisur Shqipëria drejt Europës. Unë besoj tek një Shqipëri Europiane. Une mendoj se kjo perspektivë europiane për vendin tuaj dhe Ballkanin është shumë e rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë, por edhe për të gjithë Europën. Rruga është e gjatë, nuk ka shtigje të shkurtra, ka mjaft etapa të cilat janë të detyrueshme për t'u kaluar por ju jeni në atë rrugë. Siç e dini për ta realizuar ju keni filluar një reformë shumë të rëndësishme, në planin ekonomik, në kuadrin e luftës kundër terrorizmit dhe të korrupsionit. Në këtë rrugë që keni nisur z.Kryeministër, Franca do t'ju mbështesë në dialogun tuaj me Bashkimin Europian. Këto ishin tre arsyet e vizitës sime këtu dhe që shpjegon se çështë ky vrull i ri i marrëdhënieve midis dy vendeve tona.

Pyetje: Z.Ministër, cilat janë të rejat e fundit në lidhje me fatin e pengjeve franceze në Irak?

Z.Barnier: Dy gazetarët janë zhdukur që prej 15 ditësh tashmë, ne vazhdojmë të punojmë në vend, në Bagdat, në rajon, të vendosur kryesisht në Aman për të favorizuar dhe shpejtuar lirimin e tyre. Ne mendojmë se lirimi i tyre është i mundshëm dhe po punojmë për këtë me të gjithë ata që mund të na ndihmojnë për këtë gjë. Po e bëjmë këtë me shumë përkujdesje dhe diskrecion, sepse kjo përbën një nga kushtet e sigurisë së tyre. Kaq mund t'ju them sot.

Pyetje:Ju deklaruat z.Ministër se dëshironi një Shqipëri europiane dhe Franca do ta mbështesë atë në këtë rrugë. A mund të konkretizoni se në cilat reforma do ta mbështesni Shqipërinë?

Z.Barnier: Kur flasim për BE, ky është një projekt politik i mrekullueshëm. Për mua është projekti politik më i mrekullueshëm kur flasim për kontinentin. Sepse nuk na pengon të ruajmë identitetin tonë kombëtar, gjuhët tona dhe dallimet tona ndaj njëri-tjetrit. Franca ka mbetur ashtu si ka qenë, franceze, edhe Shqipëria do të vazhdojë të mbetet shqiptare. Por kemi edhe diçka më shumë që na bashkon më fort, bëjmë politika të përbashkëta, mbrojtje të përbashkët, një zë të përbashkët dhe pikërisht këtë e bëjmë në negociatat komerciale dhe politike. Unë jam një nga ministrat e vendeve themelore të këtij projekti dhe deri sot ky projekt i ka mbajtur të gjitha premtimet që ka marrë përsipër. Dhe ne nuk ia imponojmë askujt këtë projekt. Ata që hyjnë në këtë projekt hyjnë sepse duan të hyjnë. Është rasti i 10 vendeve që sapo hynë në Europë, siç do të jetë rasti i vendeve ballkanike që duan të bëjnë të njëjtën gjë. Unë mendoj se është rasti kur Shqipëria dhe Ballkani kanë interes të bashkohen në këtë familje europiane me qëllim që paqja dhe stabiliteti të mbulojnë anembanë kufijtë e Europës. Porta për të hyrë në Europë është e hapur, por për ta kaluar atë portë duhet të plotësohen disa kushte. Është ajo që quhet "acquis communnitaires" që janë ligjet europiane dhe që të gjitha vendet që kanë hyrë aty i kanë respektuar ato, është ekonomia e tregut, shteti i së drejtës, lufta e pamëshirshme dhe pa asnjë shans për të humbur kundër kriminalitetit të organizuar dhe korrupsionit, janë ligjshmëria në fushën e mbrojtjes së ambientit, si dhe rregulla e ligje të tjera që duhen përvetësuar brenda legjislacionit vendas për t'u bashkuar me rregullat e komunitetit europian. Në shkëmbim të kësaj, sigurisht BE ju ndihmon, ju mbështet me projekte dhe reforma të ndryshme çka e kam bërë dhe unë vetë si komisioner europian për 5 vjet. Vendi juaj i ka hyrë kësaj rruge dhe po përgatitet për këtë punë. Kjo rrugë është nisur dhe, siç e thashë më lart, ne do ta mbështesim Shqipërinë për të ndërtuar dialogun e saj me Komisionin Europian.

Z.Kryeministër çfarë prisni nga bashkëpunimi me Francën?

Z.Nano: Në fillim më lejoni të theksoj se dialogu midis Tiranës dhe Parisit është një pjesë shumë e rëndësishme dhe e pazëvendësueshme e procesit dhe dialogut europian të Shqipërisë. Kjo do të thotë se ne duam të shfrytëzojmë këto hapësira që po zgjerohen dhe këto vrulle të reja që po marrin marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Francës, qeverive, institucioneve përfaqësuese, sipërmarrësve dhe komuniteteve kulturore mdis dy vendeve si një mundësi e pashfrytëzuar siç duhet deri më sot për të njohur realitetet e Shqipërisë në të gjithë anëtarët me zë të lartë, me zë të fortë në BE,- Franca është një nga vendet e rëndësishme themeluese,- si dhe të gjitha institucionet ku shqyrtohet, verifikohet dhe mbështetet progresi i Shqipërisë dhe i vendeve të tjera të Ballkanit ku jetojnë shqiptarë drejt BE.

Unë besoj se kemi dhënë shembuj për bazën e shëndoshë mbi të cilën mund të vazhdojnë të ndërtohen këto marrëdhënie edhe në fushën politike, edhe të marrëdhënieve kulturore, në fushën e bashkëpunimit ekonomik që po intensifikohet. Ministri i Jashtëm Barnier përmendi disa nga këto inisiativa që tashmë janë në vëmendjen e publikut shqiptar por dhe më gjërë, siç është autorësia,- do të thosha me shumë simpati,- e studimit të qendrës së Tiranës së re europiane që po rritet, siç është interesi tashmë i strukturuar i "Club Mediterranie" me projektet e zhvillimit të rivierës sonë turistike dhe në këtë funksion unë mirëprita me shumë kënaqësi inisiativën personale të z.Barnier për të sjellë në të ardhmen e afërt një grup ekspertësh që do të asistojnë Shqipërinë dhe institucionet tona të specializuara për zhvillimin e shëndetshëm të bregdetit tonë të jugut, duke e mbrojtur nga pikëpamja mjedisore nga shkatërrimet që do ta bënin atë më pak atraktiv në procesin e integrimit në tregjet e zhvillimit të turizmit mesdhetar e më gjërë.

Besoj se ky dialog që po intensifikohet i ka të gjitha premisat të zhvillohet edhe më tej me inisiativa rajonale dhe europiane në dobi të integrimit të Shqipërisë dhe të vendeve të rajonit, në mënyrë më koherente dhe të përshpejtuar në BE, në kuadrin e të gjitha institucioneve dhe eksperiencave,- një perfaqësues i shquar i të cilave është personalisht edhe z.Barnier si komisioner europian për politikat rajonale për një periudhë 5 vjeçare.

Pyetje: Z.Ministër ju folët për një vrull të ri marrëdhëniesh mes Tiranës dhe Parisit zyrtar.Çfarë ka ndodhur në vitet e mëparshme?

Z.Barnier: Kam vetëm 5 muaj që jam ministër dhe dua të shoh përpara dhe jo prapa. Mendoj se ka shumë arsye për ta bërë këtë. Unë i thashë se cilat ishin arsyet,- shumë sinqerisht,- që shpjegojnë këtë vrull të ri të marrëdhënieve midis dy vendeve, që kanë të bëjnë me kooperimin franko-shqiptar, të stabilitetit në Ballkan. Ne duam të kontribuojmë në kuadrin e BE për këtë gjë dhe gjithashtu në kuadrin dhe perspektivën e një Shqipërie europiane. Janë të gjitha këto arësye që na bëjnë të shohim përpara dhe jo prapa.

Z.Kryeministër, a ka një impuls të ri të marrëdhënieve në fushën ekonomike, duke patur parasysh edhe tërheqjen e investitorëve francezë në Shqipëri?

Z.Nano: Besoj se do të arrijmë, me këtë angazhim të rifreskuar në dialogun politik mes dy qeverive, të identifikojmë oportunitete dhe inisiativa të reja për prezencën më të madhe të operatorëve dhe të shoqërive globale franceze në hapjen e Shqipërisë dhe rajonit drejt integrimit global. E kam fjalën veçanërisht për prioritetet që lidhen me rritjen tonë të qëndrueshme, të infrastrukturës, të turizmit, të privatizimeve të rëndësishme, të telekomunikacioneve apo të industrive të energjitikës, si dhe të inisiativave që kanë një rol të posaçëm për përafrimin e standarteve të institucioneve dhe dokumentacionit tonë me ato të BE, siç është dhe pjesëmarrja e një shoqërie me shumë përvojë, franceze, në tenderin për prodhimin e kartave të identitetit sipas standarteve europiane që po zhvillohet. Unë do të vizitoj Parisin i shoqëruar nga një delegacion përfaqësues i sipërmarrjes shqiptare dhe i Dhomës së Tregtisë së Republikës së Shqipërisë. Besoj se do të arrijmë të identifikojmë mjaft nga këto interesa me kontrata dhe inisiativa ekonomike të mbështetura nga dy qeveritë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›