E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot pasdite një takim me Ministrin për Marrëdhëniet Ekonomike Ndërkombëtare të Serbi-Mali i Zi, z. Pedrag Ivanoviç. Në fillim të takimit, të dy autorite

Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot pasdite një takim me Ministrin për Marrëdhëniet Ekonomike Ndërkombëtare të Serbi-Mali i Zi, z. Pedrag Ivanoviç.

Në fillim të takimit, të dy autoritetet vlerësuan hapat e ndërmarrë për vazhdimin e dialogut dhe forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Në këtë funksion, ata vlerësuan se intensifikimi i vizitave të nivelit të lartë do të prodhojë hapësira të nevojshme për forcimin e angazhimeve të përbashkëta dhe nxitjen e mëtejshme të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar mes dy vendeve.

Z.Nano dhe z.Ivanoviç ndanë të njëjtin mendim se të dy vendet kanë si objektiva të tyre anëtarësimin në BE, krijimin e një tregu të përbashkët rajonal dhe integrimin e tij në tregun e brendshëm të BE.

Në funksion të thellimit të bashkëpunimit ekonomiko-tregtar, z.Nano theksoi se është e nevojshme shfrytëzimi i të gjitha mundësive që krijohen nga marrëveshjet ekzistuese dypalëshe, identifikimi i resurseve të reja, diversifikimi i tregtisë me synim rritjen e shkëmbimeve tregtare, si dhe shfrytëzimi i hapësirave të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë midis dy vendeve. Këtij qëllimi, u shpreh z.Nano, do t'i shërbejë edhe organizimi i forumeve të përbashkëta ekonomike, shkëmbimit të vizitave në nivel ekspertësh dhe të grupeve të biznesit etj.

Bashkëbiseduesit gjithashtu diskutuan e ndërtimin e shfrytëzimin e projektit të përbashkët për ndërtimin e linjës 400 kV Shqipëri-Mali i Zi që do të përmirësojë ndjeshëm nivelin e interkonjuksionit midis dy vendeve dhe shkëmbimin ndërrajonal të energjisë. Po ashtu ata vlerësuan me interes për të dy vendet zgjerimin e bazës ligjore, nëpërmjet nënshkrimit të marrëveshjeve të reja, që favorizojnë thellimin e bashkëpunimit ekonomik, bashkëpunimin institucional në fushën e zhvillimit të sektorit privat ndërmjet institucioneve respektive përgjegjëse, nxitjen e bashkëpunimit në fushën e turizmit etj..

Nga ana e tij, z.Ivanoviç nënvizoi se edhe përmasat e delegacionit që e shoqëron, në përbërje të të cilit ka edhe një numër të madh biznesmenësh, dëshmon për rëndësinë që Serbi-Mali i Zi i jep rigjallërimit dhe forcimit të marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›