E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot pasdite një takim me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Turqisë, gjeneral Hilmi Ozkok. Kryeministri Nano dhe Gjenerali Ozkok kanë vlerësuar nivelin e l

Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot pasdite një takim me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Turqisë, gjeneral Hilmi Ozkok.

Kryeministri Nano dhe Gjenerali Ozkok kanë vlerësuar nivelin e lartë të marrëdhënieve midis Turqisë dhe Shqipërisë.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Turqisë ka garantuar mbështetjen e Turqisë në rrugën e integrimit të Shqipërisë në NATO, në mënyrë që ajo të jetë një anëtare e denjë e kësaj strukture.

"Në botë diçka po ndryshon dhe në këtë mënyrë po ndryshon edhe konceptimi i Ushtrive. Kjo kohë kërkon lidera solidë dhe të vendosur dhe Turqia vlerëson se Ju luani një rol të rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin jo vetëm në rajon por edhe më gjerë", u shpreh në fillim të këtij takimi Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Turqisë, gjenerali Ozkok.

Kryeministri Nanoi ka vlerësuar mbështetjen e Turqisë ndaj Forcave të Armatosura të Shqipërisë, veçanërisht në fushën e arsimimit dhe të trajnimit të personelit ushtarak, të asistencës së veçantë në drejtim të rritjes së aftësive operacionale e të interoperabilitetit të forcave tona Komando dhe ato Speciale.

Kryeministri Nano theksoi kontributin e Turqisë për rikonstruksionin e Bazës Detare të Pashalimanit dhe Akademisë së Detarisë në Vlorë, të modernizimit të Aeroportit të Kuçovës, përmirësimin teknologjik e rikonstruksionin e disa uzinave tona ushtarake, trajtimin spitalor të ushtarakëve shqiptarë në Turqi, etj.

Më tej, Kryeministri Nano shprehu dëshirën e palës shqiptare për të zhvilluar ide dhe plane të reja për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit midis dy ushtrive tona dhe më gjerë. "Garantoj angazhimin e patundur të Shqipërisë, edhe nga pikëpamja politike, për marrëdhënie të ngushta me Turqinë, sidomos në fushën e mbrojtjes", u shpreh z.Nano.

Të dy personalitetet, janë ndalur më pas në qëllimin kryesor të Forcave të Armatosura të Shqipërisë për integrimin në NATO. Kryeministri Nano ka vlerësuar rolin që ka luajtur Turqia në këtë drejtim, si me mbështetjen politike ashtu edhe me atë ushtarake.

"Turqia si vend dashamirës dhe me influencë e poltenciale politike, ekonomike dhe ushtarake të konsiderueshme, ka qenë dhe mbetet për Shqipërinë një vend mik tradicional dhe aleat i privilegjuar. Shqipëria shikon tek Turqia një aleat të vërtetë në mbështetjen për integrimin në strukturat euro-atlantike", u shpreh z.Nano.

"Megjithëse dera e Aleancës është e hapur nga Samiti i Pragës, ne nuk e presim anëtarësimin në Aleancë si një dhuratë, por e konsiderojmë atë si një detyrim për përpjekje të mëtejshme për standartizim e ndërveprim", u shpreh Kryeministri Nano, duke shtuar se Shqipëria ka kontribuar për Aleancën në mundësitë e saj maksimale me forca dhe infrastruktura.

Z.Nano përmedni këtu pjesëmarrjen e Shqipërisë në misionet paqeruajtëse në Bosnjë, Afganistan dhe së fundi në Irak, duke i cilësuar këto si pjesë e përpjekjeve dhe kontributit tonë kombëtar për mbështetjen e paqes dhe për luftën kundër terrorizmit.

Më tej, Kryeministri ka konfirmuar edhe një herë vazhdimësinë e pjesëmarrjes aktive të Shqipërisë në luftën pa kompromis kundër terrorizmit, duke shprehur edhe një herë keqardhjen për familjarët e viktimave të aktit terrorist të Stambollit të muajit të kaluar.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›