Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot një takim me Presidentin e Ex-Im Bank të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zotin Philip Merril. Kryeministri Fatos Nano në fillim të këtij takimi shp
Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot një takim me Presidentin e Ex-Im Bank të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zotin Philip Merril.
Kryeministri Fatos Nano në fillim të këtij takimi shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin e deritanishëm me këtë institucion të rëndësishëm financiar ndërkombëtar. "Ju jeni bërë një partner i rëndësishëm në kontributin e dhënë për zhvillimin e Shqiperise, në shkallën e garantimit të riskut, si dhe në përfshirjen dhe implementimin e një sërë projektesh investimi duke filluar që nga projekti i Kontrollit të Trafikut Ajror nga kompania e njohur amerikane Lockheed Martin dhe projekte te tjera ne vazhdim", tha zoti Nano.
Kryeministri ka ndare të njëjtin mendim me zotin Merril për rëndësinë e implementimit te projektit te kontrollit te trafikut ajror dhe sinjalin e duhur që ai përcjell te investitorët e tjerë potencialë, që të afrohen me bizneset e tyre edhe në Shqipëri.
Zoti Merril tha se "tashmë Shqipëria është nje vend ne rritje drejt standarteve te zhvilluara dhe per ne ajo përbën një sukses te admirueshem ne bashkepunimin tone. Ne dëshirojmë të jemi pjesë e këtij suksesi dhe jemi te gatshem te financojme projekte te propozuara edhe nga qeveria Juaj qe i konsideroni prioritare"
Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se në vitet e fundit vendi ka hyrë në një etapë të re zhvillimi, janë krijuar kushte më të mira për investitorët e huaj, nevojat për projekte të investimeve publike janë më të mëdha dhe kjo vizitë e zotit Merril është një mesazh për afrimin e investitorëve të mëdhenj ndërkombëtarë në Shqipëri.
Zoti Nano ka theksuar rëndësinë e krijimit të një tregu rajonal të përbashkët i cili do të krijonte më shumë mundësi edhe për Shqipërinë në klasifikimin e saj si një treg në rritje. "Për këtë arsye ne e konsiderojmë energjinë dhe infrastrukturën si prioritete të lidhura ngushtë me projekte më të rëndësishme në krijimin e dimensioneve të tregut rajonal", theksoi zoti Nano duke shtuar se " kapacitetet tona të garancive kane nevoje per mbeshtetje dhe pikërisht për këtë angazhimi dhe vëmendja drejt Shqipërisë është shumë e vlerësueshme, me qëllim që investitorët të inkurajohen për të investuar direkt në vendin tonë".
Ex-Im Bank e SHBA garanton riskun politik për kreditë që financon deri 85 % të kontratës së eksportit. Tashmë për Shqipërinë në klasifikimin e bërë nga Ex-Im Bank është ulur risku politik per investimet.
Shqipëria është në procesin e financimit të dy projekteve me skema të tilla të projektit të Modernizimit të Trafikut Ajror si dhe Projekti i Modernizimit të Linjës Hekurudhore Tiranë- Durrës duke përfshirë lidhjen me Aeroportin e Rinasit.
Pas takimit zoti Nano dhe zoti Merril duke i'u përgjigjur interesimit të gazetarëve të pranishëm u shprehën:
Kryeministri Fatos Nano: Kam kënaqësinë të prezantoj zotin Philip Merril President i Bankës së Garantimit të Eksport-Importeve të SHBA. Është një nga personalitetet më të rëndësishme të ekonomisë globale dhe drejtues i një prej institucioneve më të rëndësishme të SHBA, si lider global i iniciativave ekonomike. Vizita e tij në Shqipëri shënon një hap të mëtejshëm cilësor në marrëdhëniet e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA dhe në promovimin e garancive për investime të drejtpërdrejta private të operatorëve globalë në Shqipëri dhe në rajon.
Zoti Merril tashmë ka një ide precize mbi oportunitetet dhe iniciativat sipërmarrëse të shqiptarëve dhe ka identifikuar partnerë lokalë me të cilët mund të punojnë operatorët e rëndësishëm të tregjeve globale.
President i EXIM Bank USA Philip Merril: Më lejoni të them që jam shumë i impresionuar me natyrën dinamike të zhvillimit të ekonomisë shqiptare. Mjafton vetëm të shohësh përreth qytetin e Tiranës dhe qytetet përeth për të vënë re menjëherë se sa i shpejtë dhe i madh është zhvillimi në vitet e fundit ketu. Ne dëshirojmë të forcojmë dhe thellojmë marrëdhëniet e ngrohta miqësore që ne tashmë kemi me Shqipërinë dhe me Kryeministrin tuaj dhe ne jemi këtu për të forcuar akoma më tej lidhjet tona ekonomike.
Ne gjetëm një numër investimesh shumë të mira ne vecanti, që unë mendoj se Kryeministri juaj do t'i bëjë publike brenda një kohe të shkurtër. Ndërkohë ne mendojmë se ky është një vend i shkelqyer për të investuar dhe ne jemi të kënaqur që shohim se qeveria po nxit dhe inkurajon investimet direkte të huaja dhe është shumë e interesuar në nxitjen e shpirtit sipërmarrës të shqiptarëve. Ne mendojme se ky shpirt sipërmarrës do ta bëjë Shqipërinë një vend shumë të suksesshëm dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t'ju ndihmojnë ta bëni këtë. Ne dëshirojmë të jemi pjesë e këtij suksesi me ju dhe të bashkohemi me ju që ta bëjmë atë të prekshem.