E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano: Jam para jush sot për të dhënë shpjegimet politike dhe institucionale, që lidhen me mandatin tim përfaqësues për zhvillimet e kohëve të fundit e veçanërisht me vo

Kryeministri Fatos Nano:
Jam para jush sot për të dhënë shpjegimet politike dhe institucionale, që lidhen me mandatin tim përfaqësues për zhvillimet e kohëve të fundit e veçanërisht me votimin e mbrëmshëm në Kuvendin e Shqipërisë.

Së pari më lejoni t'ju siguroj ju dhe përmes jush opinionin publik se nuk ka ndonjë shqetësim ligjor apo politik për mirëfunksionimin e mazhorancës legjitime qeverisëse të vendit. E them këtë sepse votimi i fundit në arsyetimin tonë politik tregoi se:

E para-Mazhoranca e qeverisjes së vendit funksionon dhe fakti i pakontestuar për këtë është që Zv/Kryeministria Meksi që tashmë ka bërë dhe betimin u votua me maksimumin e votave të mazhorancës me 74 vota, pra me shumicën absolute të deputetëve.

E dyta-Pavarësisht problemeve të brendshme të cilat po reduktohen, mazhoranca po shfaq përgjegjshmëri të lartë para vendit, duke mos cënuar apo lejuar të cënohet aspak prioritetet që kemi për të thelluar reformat që lidhen drejtpërdrejt me përfundimin e shpejtë të negociatave të Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit të Shqipërisë me BE. Këtë fakt e mbështeti edhe votimi me të njëtën shumicë absolute i znj.Meksi si Ministre e Integrimit europian gjithashtu.

Ndërkaq, pavarësisht nga mosmiratimi i Ministrit të Jashtëm të propozuar dhe të dekretuar nga Presidenti, mazhoranca qeverisëse ka përgjegjësinë dhe vetëdijen politike se politika e jashtme e shtetit shqiptar nuk do të cënohet, nuk do të kufizohet dhe nuk do të ndryshojë. Parimet e politikës së jashtme të vendit tashmë janë të përcaktuara qartë, pavarësisht se në zbatim të saj përkohësisht nuk do të kemi një Ministër të Jashtëm, por Zv/Ministrin e Punëve të Jashtme, i cili më lejoni të kujtoj është gjithashtu një përfaqësues i lartë i mazhorancës aktuale qeverisëse.

Mbi këtë bazë më lejoni t'ju garantoj se sukseset e pakontestueshme të politikës së jashtme të mazhorancës qeverisëse do të ruhen dhe do të vazhdojnë të konsolidohen. Këtë e vërtetoi edhe takimi i djeshëm i Qeverisë së Republikës së Shqipërisë me Trojkën e BE, takim gjatë të cilit u rivlerësuan në mënyrë pozitive dhe angazhuese rezultatet e reformave integruese të vendit.

Votimi i fundit mosmiratues i njërit prej katër dekreteve natyrshëm tregoi se në Partinë Socialiste ka ende probleme për të zgjidhur. Ndonëse mprehtësia e tyre apo numri i bartësve të tyre është më i ulët seç ishte dy vjet më parë. Është e vërtetë që shfaqen tendenca për dalje nga logjika dhe disiplina e partisë, por tashmë fenomeni është i kufizuar vetëm në pesë apo gjashtë emra individësh, të cilët për një vend të kërkuar në mënyrë abuzive në Qeveri, pra të pamandatuar nga strukturat përfaqësuese të partisë, po tregojnë se janë gati të mosnjohin apo mosrespektojnë asnjë parim apo rregull politik përfaqësimi.

Unë i di rregullat e lojës politike e do ta konsideroja këtë grup individësh si fraksion politik nëse do të paraqiste përpara forumeve të partisë dhe opinionit të zgjedhësve tanë një platformë politike me pikësynime të përcaktuara qartë. Këtë arsyetim e mbështes veçanërisht në qëndrimin politik të pjekur të bazës dhe të strukturave të partisë në mbarë vendin në një proces kur ato janë aktive dhe të mbledhura dhe nuk paraqesin asnjë lloj ndarjeje, prandaj e gjithë struktura dhe rezerva politike e partisë në të gjithë territorin e vendit është sot e angazhuar për të siguruar mbarëqeverisje dhe natyrshëm procesin politik që do të çojë PSSH në fitoren e mazhorancës në zgjedhjet administrative të vjeshtës.

Rritja e numrit të votave në opozitë në votimin e fundit mosmiratues për Ministrin e ri të Jashtëm tregoi se këta pesë a gjashtë deputetë parapëlqejnë opozitën, gjë që i vendos ata jo thjesht dhe vetëm në kushtet e thyerjes së disiplinës politike të PSSH, por edhe në terrenin e devijimit të interesave përfaqësuese të elektoratit të zonave të tyre zgjedhore, i cili u ka dhënë mandatin politik të përfaqësimit në emër të PSSH.

Ky qëndrim deri agresiv dhe bllokues i këtij grupi individësh nuk i shërben aspak filozofisë politiko- qeverisëse të mazhorancës për përballimin me sukses të sfidave të zhvillimit dhe integrimit të vendit.

Tani më lejoni të bëj edhe ndonjë sqarim juridik të nevojshëm për këtë situatë:

Shqipëria është një Republikë Parlamentare me Kryeministër në krye të Ekzekutivit dhe jo me Kryetar të Këshillit të Ministrave siç ishte para Kushtetutës aktuale. Kjo do të thotë se mandati Kushtetues i Kryeministrit nuk është i lidhur me mandatin e çdo ministri veç e veç dhe as me të gjithë ministrat sëbashku. Pozita Kushtetuese e Kryeministrit krijohet mbi bazën e kompetencave Kushtetuese që Ai ka duke nisur qysh me përbërjen e Qeverisë e deri te ushtrimi i detyrave qeverisëse. Më lejoni të kujtoj se Kushtetuta i ka njohur Kryeministrit deri edhe të drejtën për të zhvleftësuar akte që miraton Këshilli i Ministrave. (neni 100 i Kushtetutës).

Sipas Kushtetutës, votimi në Kuvend i dekreteve të Presidentit të Republikës nuk është element i mjaftueshëm për të vënë në diskutim pozitën politike dhe aq më pak atë Kushtetuese të Kryeministrit. Jam i interesuar të sjell në vëmëndje se sipas logjikës Kushtetuese institucionet themelorë të emërimit të ministrave janë Kryeministri dhe Presidenti i Republikës. Kuvendi është një institucion i vlerësimit politik të këtyre procedurave. Vlerësimi negativ i tyre nga ana e Kuvendit pra nuk do të thotë sipas Kushtetutës që drejtuesit e këtyre institucioneve humbasin mandatin e përfaqësimit në institucione. Kjo për arsye se Kushtetuta parashikon mekanizma të tjerë tepër eksplicitë për largimin nga detyra të Presidentit apo të Kryeministrit.Çdo diskutim apo debat që devijon nga kjo logjikë Kushtetuese dhe ligjore është i lidhur me spekullime mediatizuese dhe propogandistike që bien ndesh me frymën e Kushtetutës.

Pas shkarkimit të Ministrit të Jashtëm edhe nga Kuvendi dhe deri në emërimin e Ministrit të ri të Jashtëm sipas ligjit për Organizimin dhe Funksionimin e Këshillit të Ministrave, detyrat do t'i kryejë Zv/Ministri i Punëve të Jashtme. Gjithashtu, ligji për Shërbimin e Jashtëm dhe dispozitat kushtetuese parashikojnë se si dhe nga kush ushtrohet politika e jashtme e shtetit shqiptar. Këto rregulla ligjore njohin Presidentin e Republikës, Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm duke përfshirë si institucion edhe zv/Ministrin.

Unë si Kryeministër do të respektoj afatin ligjor të mbylljes së punimeve të sesionit të parë të vitit 2003, duke mos kërkuar thirrjen e Kuvendit në sesion të jashtëzakonshëm, e drejtë kjo që i takon Kryeministrit sipas nenit 74 pika 2 e Kushtetutës. Kjo periudhë deri në zhvillimin e punimeve të Kuvendit në sesionin e dytë të legjislativit 2003 do të shërbejë njëherësh edhe për një proces analize politike në Partinë Socialiste të Shqipërisë në këtë ushtrim të mandatit të saj të dytë qeverisës, ku roli im si Kryetar politik i saj është i pazëvendësueshëm.

Ju falënderoj për vëmendjen!

Pyetje nga gazetarët për Kryeministrin Nano dhe znj. Ermelinda Meksi

Pyetje: Zoti Kryeministër ku mendoni se mbështeteni dhe cila është baza politike që disa deputete të PS kanë votuar abstenim dhe kundër duke patur parasysh se dje rreth mesditës është votuar në shumicë për një qëndrim të përbashkët rreth grupit parlamentar dhe a mendoni se janë ringjallur aleancat fluide brenda partisë më të madhe që drejton vendin?

Kryeministri Fatos NANO: Unë besoj se këtë çeshtje nuk do ta arsyetoj vetëm unë dhe nuk mund ta arsyetojme në strukturat përfaqsuese të Partisë Socialiste pa referencë në precedentë aleancash fluide në të kaluarën. Mbi këtë bazë më lejoni të theksoj se unë do të ndaj me strukturën përfaqësuese të partisë nga baza në zonat elektorale, të cilat përfaqësohen në Kuvend, nga deputetët që votuan kundër apo abstenuan, deri në Komitetin e Përgjithshëm Drejtues dhe Kryesinë e PSSH apo në Kongresin e saj këtë fund viti, arsyetimin politik të plotë dhe me vizion perspektiv zgjidhës të kësaj gjendjeje të përsëritur në përputhje me identifikimin e qartë të interesave që në 2001 çuan në aleancat fluide të të njëjtëve individ me opozitën dhe që sot ripërsëritën bashkimin e votave për interesa politike të ndryshme nga ato të PSSH dhe të maxhorancës qeverisëse që ajo drejton. Për pasojë unë nuk ngutem dhe aq më pak nuk do të përdor, sepse nuk e kam ndonjë autoritet ekskluziv të Kryetarit të Partisë dhe Kryeministrit, për të mbyllur analizat dhe për të marrë veprime politike që i përgjigjen kësaj thyerje të disiplinës politike të përfaqsimit të partisë dhe elektoratit të saj, nga ky grup individësh deputete

Pyetje: Zoti Kryeministër si do ta shtrini dialogun me bazën e partisë për shkak të funksionit si Kryetar i maxhorancës në lidhje me të gjitha debatet që janë zhvilluar aktualisht në PS?

Dhe një pyetje për zonjën Meksi: Cila do të jetë sfida juaj e parë meqënëse do të mbani postin e Ministrit të Integrimit në kuadër të procesit të Stabilizim -Asociimit të vendit?

Ermelinda MEKSI: Kjo nuk është sfida e parë, është tashmë sfida e rradhës dhe ka të bëjë me përballimin me shumë përgjegjësi dhe me shumë profesionalizëm të të gjitha atyre detyrimeve që tashmë Shqiperia ka marrë në rrugën drejt procesit të integrimit që për fat të mirë tashmë është një realitet. Unë së bashku me stafin do të punojmë për këtë gjëdhe jemi akoma më të motivuar nga mbështetja që maxhoranca i dha dje kësaj përgjegjësie times për t'i çuar gjërat përpara.

Kryeministri Fatos NANO: Duke rimarrë fjalën më lejoni të them që kam kënaqësinë që në krahun tim të djathtë do të shfaqet me gjithë përvojën, angazhimin dhe autoritetin e saj politik përfaqsues zonja Ermelinda Meksi me dy detyrat e rëndësishme dhe prioritare që sintetizojnë programin e maxhorancës aktuale qeverisëse me bashkëveprimin me Kryeministrin për të monitoruar, nxitur dhe përfunduar me sukses matricën e reformave të integrimit të Shqipërisë në BE. Krahas kësaj, është fakt i njohur që unë si kryetar i PSSH do të udhëheq së bashku me ekipet e tjera politike drejtuese të saj fushatën elektorale te PSSH për zgjdhjet administrative të vjeshtës. Unë, gjithashtu, po drejtoj procedurën në të cilën Kryesia e PS, nesër, do të miratojë përfundimisht kandidatët e vetëm me të cilët ne do të konkurojmë për të fituar në të gjitha bashkitë dhe komunat e vendit.
Më datën 31 ne do t'ua bëjmë të njohura publikut dhe përfaqësuesve të lartë të strukturës drejtuese të PS në të 37 rrethet këta kandidatë të vetëm. Mbi këtë bazë do të aktivizohet i gjithe procesi i investimit politiko-elektoral i PS në funksion të fitores së zgjedhjeve administrative të vjeshtës. Në të njëjtin proces do të dëgjojmë me shumë vëmendje dhe do të vleresojmë në funksion të fitores së PS dhe rikonfirmimit të maxhorancës sonë qeverisëse analizat dhe rekomandimet e bazës dhe të përfaqësuesve për deputet dhe përfaqësuesit politik të partisë që në mënyrë të përsëritur u shfaqën në bashkim votash me opozitën.

Pyetje: Zoti Kryeministër, grupi i abstenuesve dje në seancë parlamentare dhe sot ka ripërsëritur kërkesën për rikompozim të Qeverisë. A do të kemi një rikompozim në sezonin tjetër të Parlamentit apo do të kemi thjesht zëvendësim të Ministrit të Jashtëm?

Kryeministri Fatos NANO: Më lejoni t' ju them se nuk kam ndonjë lajm të ri për këtë pyetje përveç atyre që kam bërë të ditura në Kryesinë e PS dhe në Grupin Parlamentar dhe arsyetimi më i fundit nuk lë asnjë hapësirë për rikompozim tjetër në Qeverinë që unë drejtoj.

Pyetje: Zoti Nano në rast se do të mirëkuptohet apo do të njihet një fraksion brenda PS me një platformë politike, si do të jetë e ardhmja e jetës së brendëshme të PS, pra si do të bashkëjetohet me këtë fraksion. A mund të mendoni dhe për përjashtime ?

Kryeministri Fatos NANO: Unë detyrohem të përsëris që nuk më lejohet të sillem si drejtues fraksionesh. Unë jam Kryetari i PSSH me mandat deri në Kongresin e 12 dhjetorit. Nga kjo pikëpamje unë nuk kam ndonjë interes apo ngutje që të nxis apo të fotografoj ndonjë fraksion apo grup që organizohet si fraksion. Jam i bindur, e ritheksoj, që grupime individësh dhe interesash jo përfaqësuese në 2 kilometra katror bulevard të Kryeqytetit nuk reflektohen asgjëkundi në 27.998 kilometrat e tjera katror të territorit të Republikës së Shqipërisë, ku PS është e pranishme, jeton dhe kontribuon në axhendën e reformave qeverisëse për zhvillim dhe integrim. Në rast se grupime të tilla do të artikulonin në platforma politike alternative dhe me synime e interesa të përcaktuara qartë si adresë në emër të cilit komunitet apo orientim të vendit, në arenën ndërkombëtare, duke filluar që nga rajoni, do të paraqiteshin dhe kristalizoheshin në Kongresin e ardhëshm të partisë, unë besoj se është i njohur fakti që ne kemi përvojën dhe kontaktet e duhura,- si parti e Internacionales Socialiste, para këtij kongresi do të jemi të anëtarësuar plotësisht dhe formalisht edhe si anëtar të organizatës më të madhe politike ndërkombëtare- për të trajtuar fraksione si afër apo jashtë programit dhe interesave përfaqësuese të partisë sonë social- demokrate.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›