Gjatë vizitave të sotme në Librazhd dhe Pogradec, Kryeministri dhe Kryetar i Partisë Socialiste të Shqiperisë, Fatos Nano ka marrë pjesë në aktivin e PS të Pogradecit, ku do të përzgjidhe
Gjatë vizitave të sotme në Librazhd dhe Pogradec, Kryeministri dhe Kryetar i Partisë Socialiste të Shqiperisë, Fatos Nano ka marrë pjesë në aktivin e PS të Pogradecit, ku do të përzgjidheshin kandidaturat për kryetarë komunash e bashkish në këtë rreth, për zgjedhjet e ardhëshme të pushtetit vendor që do të zhvillohen në tetor të këtij viti.
Para se të fillonte aktivi i PS të Pogradecit Kryeministri dhe Kryetar i Partise Socialiste të Shqiperisë, Fatos Nano, ka zhvilluar një takim me deputetë të Korçës, Elbasanit dhe Pogradecit, ku ka shkëmbyer mendime rreth procesit të përzgjedhjeve të kandidaturave për në zgjedhjet e ardhëshme të pushtetit vendor, për të qënë sa më përfaqësuese. Kryeministri Nano ka theksuar se kandidaturat e përzgjedhuara duhet të jenë figura të spikatura dhe të votohen jo vetëm nga socialistët.
Në aktivin e Partisë Socialiste të Pogradecit Kryeministri Nano mbajti këtë fjalë:
Fjala e Kryetarit të PSSH Fatos Nano në Aktivin e Pogradecit
Faleminderit të dashura shoqe dhe shokë,
Nuk po e filloj nga shoqet vetëm për shkak të etiketës, por partia ju ka borxh akoma shoqeve në kthimin në orientim dhe normë politike dhe statutore të barazisë së shanseve dhe të respektimit të paktën të normave që kemi.
Ju e mbaruat mbledhjen e Komitetit Drejtues. Unë nuk kam dijeni për kandidaturat, sepse natyrisht do ta kemi si detyrë në Kryesi, pra, nuk e di akoma nëse kanë kandiduar shoqe në grupin e shokëve të cilëve i keni dhënë besimin për të realizuar këto objektiva fitoreje që përmendët.
Të vish në Pogradec në një stinë punimesh dhe pushimesh është kënaqësi e jashtëzakonshme, kështu që pas tre Presidentëve të Korridorit 8 edhe unë kam kënaqësinë me tre mandatet si Kryetar i PSSH, Kryeministër i vendit dhe deputet, të vij të bisedoj me ju për të prerë shirita pune dhe investimi politik gjithashtu, për të inaguruar dhe gëzuar së bashku përfundimin e një cikli të punës sonë politike dhe fillimin e një cikli të ri. Pra në kapërcyellin e mandatit tre- vjeçar dhe të kalimit të stafetës në duart tona, besoj dhe në Bashki e në Komuna dhe këtu në Pogradec. Por sot erdha edhe nga një cikël tjetër punësh, ato në punët publike, në infrastrukuturë, në shërbime të rëndësishme që kemi arritur të kryejmë, duke u dhënë qytetarëve dhe sipërmarrësve edhe në këtë trevë më shumë mundësi dhe lehtësi për lëvizje dhe për mirëqënie, për investim dhe përfitime. Eshtë e rëndësishme të mbërrish në terminalin e Korridorit 8, në territorin e Shqipërisë, në Qafë Thanë - Pogradec me përurimin e segmentit që lidh Qukësin me doganën e Qafë Thanës. Kjo edhe për një asrye tjetër sepse pak javë më parë përuruam edhe terminalin detar pra, mbikalimin e Dajlanit në Durrës dhe kalatën e re të Portit kryesor të Korridorit Tetë, Durrësit. Kjo gjë tregon se jemi në ritmin e duhur dhe në rrugë të mbarë për përfundimin e segmenteve shqiptare të korridoreve dhe të infrastrukturave europiane brenda vitit. Edhe punimet në Korridorin Veri-Jug po ecin me të njëjtin ritëm. Shpresoj tani që na vjen dhe zonja Meksi të gjejmë më shumë financime për t'i mbyllur edhe ato këtë vit. Zonja Meksi vjen sot si e deleguara e Kryesisë përveç Zv/Kryeministre e emëruar tashmë me dekret dhe, më vjen mirë të ndaj me ju këtë informacion, këtë gëzim, këta stimuj për të vazhduar punën me të njëjtin ritëm dhe natyrisht për të fituar sërish zgjedhjet vendore, sepse jo thjesht dhe vetëm këtu në Pogradec, por në mbarë Shqipërinë kemi kuptuar se zhvillimi kërkon të njëjtët palë edhe në qeverisjen qendrore edhe në atë vendore.
Zbatimi i projekteve kërkon njerëz të ditur, njerëz të progresit, njerëz menaxherë politikë dhe profesionistë, prandaj është e rëndësishme ta ripërtërijmë mazhorancën dhe qeverisjen vendore edhe këtë vit, për të nxjerrë nga izolimi dhe prapambetja bashki dhe komuna, që të kontrolluara nga opozita e vjetër kanë vazhduar edhe në këtë mandat të qeverisjes vendore që po mbyllet të mos bashkëpunojnë, të bllokojnë, të kërkojnë konfliktin në vend të progresit dhe të mos përdorin apo të zhdukin në vrima të zeza fondet publike, kompetencat dhe autoritetin më të madh të pronës dhe të financave, që po vjen në njësitë e qeverisjes vendore, për shkak të ecurisë së shpejtë dhe të mbarë të reformave të decentralizimit në mbarë vendin.
Brenda këtij viti do të inagurohen edhe segmente të tjetra të rëndësishme të kësaj infrastrukture të integrimit rajonal dhe europian të vendit, siç është segmenti tjetër i Korridorit 8, Rrogozhinë – Elbasan, dhe kanë nisur me intensitet punimet për segmentin tjetër Elbasan – Librazhd. Në fillim të kësaj legjislature jemi angazhuar përballë zgjedhësve se Korridori i tetë, në një gjatësi totale prej 360 km do të përfundojë. Që në mes të këtij mandati, ky angazhim konsiderohet i realizuar. Unë i përgëzoj të gjithë autoritetet, projektuesit dhe zbatuesit, qeveritarët qendrorë dhe lokale që kanë kontribuar në mbajtjen dhe realizimin e këtij angazhimi politik për zhvillim dhe integrim.
Natyrisht, Pogradeci do ta gëzojë më shumë se të tjetrët këtë investim serioz dhe të kushtueshëm, sepse ashtu si Durrësi, Pogradeci po shndërrohet në një nyje të rëndësishme të infrastrukturës që lidh tregjet e BE nëpërmjet Ballkanit dhe Shqipërisë me tregjet e Azisë së Mesme, tregje me potenciale të mëdha edhe këto. Pra me të dy këto kanate të kësaj porte të madhe të zhvillimit dhe integrimit tonë rajonal dhe europian me Durrësin dhe Pogradecin po përshpejtohen gjeneratorët e rritjes ekonomike, shpejtësitë e lëvizjeve të qytetarëve dhe të operatorëve ekonomikë, për të shumëfishuar edhe vlerat që krijojnë edhe resurset që akoma mund të japim në dobi të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit.
Pogradeci ka pasuri të shumta, mbi të gjitha këta njerëz të mrekullueshëm që dinë të votojnë njerëz akoma dhe më të mrekullueshëm, që dinë të drejtojnë politikisht dhe nga pikëpamja e menaxhimit të përgjegjshëm të pushtetit publik. Pogradeci ka pasuri natyrore dhe turistike, që për shkak të zemrës tuaj të hapur dhe bujare bëhen të lakmueshme, të prekshme, pra dhe lehtësisht të arritshme për të gjithë, për operatorë ekonomikë vendas e të huaj dhe për pushues nga Shqipëria e më gjerë. Me krijimin e infrastrukturave bazë të komunikimit politik dhe qeverisës në një shoqëri demokratike të infrastrukturave bazë të komunikimit dhe të lëvizjes ekonomike dhe sipërmarrësve të ifnrastrukturave të lëvizjes së lirë të qytetarëve vendas dhe jo vendas pra në të dy kahet, krijohet një shtrat i qëndrueshëm për rritje të qëndrueshme ekonomike, që gjeneron mundësi akoma më të mëdha për investime më të fuqishme publike dhe private, që do të përshpejtojnë zhvillimin, europianizimin dhe procesin e integrimit tonë në botën moderne.
Të gjithë pra besoj se ndihemi krenarë për këtë progres që vendi po përjeton dhe trevat më dinamike të zhvillimit dhe të përfaqëimit tonë konkurues në marrëdhënie me botën. Kjo është një rrugë përfundimisht pa kthim ku besoj se kemi të drejtë të themi se Shqipërinë e futëm ne socialistët në mënyrë të garantuar. Ky pohim politik në një takim politik përfaqësuesish të mazhorancës nuk është produkt i një analize të mbyllur të partisë që drejton shtetin, nuk është produkt i një analize sallash apo tryezash të mbyllura dhe nuk mbështetet në shifra të sajuara apo informacione të paqarta, por është një realitet krejt i ri dhe i prekshëm nga të gjithë shtetasit shqiptarë. Ky është një realitet që ne arritëm ta krijojmë pas 6 vjet qeverisje qendrore dhe në më pak se tre vjet mazhorancë në qeverisjen vendore. Përballë këtij realiteti dhe këtyre afirmimeve realiste besoj se kam të drejtë të them se askush nuk e di se ku e gjen kurajon dhe guximin ish- Presidenti Berisha të përsërisë akuza gjithëfarëshe dhe për gjithëfarë gjërash, pasi shifrat tona me ato të Berishës janë 360 km rrugë nga vetëm 5 km rrugë që bëri ai. Por këto km rrugë që kemi bërë nuk duhet t'i ndajmë në segmente që nuk komunikojnë me njëri tjetrin.
Unë natyrisht jam këtu edhe si Kryeministri anti-trafik dhe dua të raportoj se Qeveria e ka shumë të strukturuar programin e zhvillimit të qëndrueshëm të ekonomisë, e ka nën kontroll ritmin e zbatimit të projekteve që prodhojnë punësim, që thithin investime vendase dhe të huaja, që afrojnë sipërmarrjen me administratën shtetërore me partneritet gjithnjë e më të qëndrueshëm dhe produktiv dhe që i orienton investimet dhe përfitimet jo thjesht dhe vetëm në dobi të rritjes së mirëqënies në tërësi por në sektorët më prioritarë të saj si: garantimi dhe përmirësimi i vazhdueshëm i kujdesit shëndetësor, mbrojtjes sociale dhe arsimimit të fëmijëve tanë, etj. Mjafton t'ju bëj me dije se të ardhurat që shtetasit shqiptarë me banim dhe punë në qytet (që përbëjnë vetëm 35.7% të popullsisë gjithsej) pritet që këtë vit të arrijnë në 135 miliard lekë (ose 1 miliard euro) nga 121 miliard lekë (ose 890 milion euro) që ishin në vitin 2000. Eshtë në përfundim edhe raportimi i kësaj shifre për popullsinë fshatare në zonat rurale, që do e rrisë ndjeshëm shifrën reale të të ardhurave financiare të shtetasve shqiptarë.
Ky është një tregues sintetik i progresit dhe këtyre arritjeve të gjithanëshme, që janë të vlerësuara e të nxitura tashmë edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Realitetet transformuese në infrastrukturë, financa publike, drejtësi, rend publik, kujdes shëndetësor e social, në arsim, kulturë etj kanë bërë që procesi i negociatave për arritjen e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit të ecë me ritme të larta dhe me shumë sukses.
Ky progres reformash për zhvillim dhe inegrim po vlerësohet dhe mbështetet edhe nga partnerë përtej Bashkimit Evropian, siç janë SHBA, Banka Botërore, FMN etj. Vetëm dy ditë më parë Shqipëria përfitoi një mbështetje buxhetore nga Banka Botërore prej 46 milion dollarë si konfirmim për arritjet dhe angazhimin në thellimin e tyre në kuadër të zbatimit të Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit Ekonomik dhe Social. Kjo mbështetje në mënyrë të veçantë është një vlerësim për suksesin e reformave në sektorë sensitivë si infrastruktura, arsimi, shëndetësia dhe përkrahja sociale.
Të marrim marrëdhëniet me një partner tjetër të madh të rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm siç janë marrëdhëniet tona me SHBA.
Ne, socialistët, arritëm në pak vjet ta transformojmë dhe konceptin dhe qëndrimin tradicional pritës të zogut ndaj klloçkës me perëndimin, që u shfaq edhe në arsyetime foshnjore dhe dashakeqëse të muajve të fundit, në radhët e opozitës apo të sharlatanëve që kërkojnë mjergull për të peshkuar. Pra në cilën datë do na e shpërblejë Amerika solidaritetin në luftë kundër terrorizmit dhe regjimit të Sadam Husein- dhe data e shpërblimi llogaritej ndoshta me ndonjë urë ajrore që do e lidhte apo do të lëshonte në Rinas thasë me ushqime apo me para.
E pra ne e kemi transformuar konceptin konsumist të marëdhënieve me botën me donatorët me zhvillimin dhe me integrimin. Nuk është e rastit që në këtë stinë partneriteti strategjik të Shqipërisë me SHBA mbërritën ofertat, u nënshkruan marrëveshjet dhe u paraqitën kompani shumëkombëshe nga më kryesoret të SHBA, të mbështetura nga bankat më të mëdha të SHBA si Locked Martin, General Electric Exim Bank, të shoqëruara natyrshëm nga banka gjermane, hollandeze nga kontraktorë dhe nënkontraktorë europianë dhe nga ato të vendeve të rajonit. Ja pra avantazhet e solidaritetit midis nesh në luftën kundër krimit të organizuar apo korrupsionit dhe të solidaritetit global në luftë kundër terrorizmit dhe trafiqeve, sepse një vend me kufij të qëndrueshëm, me institucione demokratike funksionuese, që lufton varfërinë dhe krijon burime të rritjes së qëndrueshme ekonomike, që arsimon popullsinë dhe garanton shëndetin publik, një vend ku njerëzit nuk ikin më por kanë nisur të kthehen dhe të lëvizin lirisht në të dy kahet, është një vend me të cilin punohet, ku investohet dhe, realiteti i integrimit merr dimensione të reja, ikën nga tryezat ku nënshkruhen marrëveshje apo nga foltoret ku abuzojnë politikanët- drejt një partneriteti që shtrihet në të gjithë territorin.
Pra, të nderuar shoqe dhe shokë, unë jam këtu për t'ju raportuar se Qeveria dhe institucionet përfaqësuese të maxhorancës janë në punë, të angazhuar dhe prandaj janë të sigurt në vazhdimin e thellimit dhe konsolidimit të arritjeve të deritanishme, ndaj do të fitojmë dhe zgjedhjet.
Sot është një ditë e shënuar pasi në të gjithë Shqipërinë përfundojnë mbledhjet e Komiteteve Drejtues të PSSH për përzgjedhjen e grupit të kandidaturave përfundimtare për bashki dhe komuna, për të cilat arsyetimin përfundimtar- sikurse kemi vendosur në KPD- do ta bëjë Kryesia e partisë në qendër.
Dua të vlerësoj qetësinë, korrektesën, disiplinën dhe maturinë që dëshmuan në gjithë këtë proces të vështirë anëtarësia dhe forumet. E them të vështirë sepse PSSH po vazhdon të konsolidojë dhe prodhojë kualitete njerëzore dhe politike të afta të fitojnë zgjedhjet dhe të çojnë më tej arritjet e deritanishme.
Pavarësisht debateve dhe interesave që u shfaqën kohët e fundit në Tiranë, baza e Partisë (pra edhe ju) reagoi në mënyrë perfekte, duke forcuar kohezionin tonë tradicional dhe parimor nëpërmjet analizash, vlerësimesh dhe përzgjedhjesh shumë serioze.
Ky seriozitet dhe kjo maturi e strukturave të partisë në mbarë Shqipërinë është mbështetja më e mirë për pjekurinë e udhëheqjes sonë politike, si dhe për të vazhduar të punojmë, të ndërtojmë, të fitojmë si dhe të çojmë përpara reformat dhe arritjet.
Besoj se ky mesazh gjithëpërfshirës që erdhi nga baza e partisë edhe kësaj radhe na kujtoi se nuk duhet shpërdoruar demokracia jonë e brendëshme dhe aq më pak mund të abuzohet me mandatin politik apo elektoral të përfaqësimit, që na kanë dhënë të gjithëve bashkë dhe veç e veç zgjedhësit në mazhorancë kombëtare dhe në mazhorancë në çdo zonë eklektorale dhe në çdo komunë e bashki.
Pra në 10 korrik në orën 10:00 Kryesia e PSSH do të shqyrtojë, miratojë dhe shpallë të gjitha kandidaturat tona fituese për zgjedhjet administrative të tetorit 2003.
Falemiderit për procesin serioz që keni kryer edhe këtu në Pogradec. Faleminderit për debatin konstruktiv dhe konsolidimin e demokracisë së brendshme.
Më 1 gusht, çdo kandidat, që do të shpallet nga kryesia e PSSH do të jetë objektiv gjithëpërfshirës, i mbështetur nga të gjitha strukturat tona partiake dhe elektorale, do të nisni strukturimin e shtabeve elektorale fituese dhe punën, që si ne nuk e bën askush, për motivimin e gjithë zgjedhësve tanë progresistë për të garantuar fitoren.
Pra, jemi në kohë pune dhe ju mos e ulni koeficientin e angazhimit maksimal për të fituar atë ç'ka meritojmë; rikonfirmimin e mandateve të përfaqësimit në shumicën e komunave dhe bashkive të Shqipërisë. Unë kam bindjen se pavarësisht debateve dhe emocioneve të momentit , anëtarët e Kryesisë të PSSH në qendër, anëtarët e KPD dhe deputetët e Grupit tonë Parlamentar drejtuesit e partisë në 37 rrethe dhe gjithëe armata e përfaqësuesve partiakë dhe vendorë në gjithë Shqipërinë do të vazhdojnë të jenë në lartësinë e përfaqësimit dhe realizimit të detyrave politike dhe qeverisëse, duke dhënë kështu kontributin e nevojshëm për fitoren e sigurtë të zgjedhjeve vendore 2003.
Të hënën në Kuvend, ne të gjithë deputetët e PSSH, deputetët e koalicionit Aleanca për Shtetin do të votojmë dy dekretet për znj. Meksi dhe për z. Bello. Do të mbyllim një cikël diskutimesh dhe debatesh të rëndësishme, për t'u mobilizuar së bashku me strukturat dhe forumet e bazës në zhvillimin e një fushate zgjedhore model, sipas standarteve dhe parimeve bashkëkohore, deri në fitoren e datës 12 tetor 2003.
Keni një tur, keni një numër rregullash që duhen respektuar në sjelljen me policinë dhe të policisë në zgjedhje, keni një numër normash etike dhe ligjore të përfaqësuesve të administratës dhe të qeverisjes që nuk duhet të abuzojnë me postin për qëllime elektorale, keni mbi të gjitha përvojën se si bëhen të gjitha këto në favor të fitores sonë në zgjedhje.
Do të ndodhë vetëm kështu, pasi këtë gjë e dëshirojnë socialistët progresistë, e dëshirojnë zgjedhësit tanë në mbarë Shqipërinë, e duan partnerët tanë ndërkombëtar.
Duke ju uruar punë të mbarë, ju ftoj të qëndroni në pritje të vendimit të Kryesisë të PSSH për miratimin e listës përfundimtare të kandidatëve tanë për kryetar bashkie dhe komunash, për të ndezur menjëherë motorrat e punës që do na çojë në fitore të padiskutueshme.
Faleminderit,