Kryeministri Italian Silvio Berluskoni i shprehu Kryeministrit Shqiptar Fatos Nano vlerësimet e Presidentit Amerikan Xhorxh Bush lidhur me progresin e Shqipërisë dhe angazhimin e tyre të përbashk
Kryeministri Italian Silvio Berluskoni i shprehu Kryeministrit Shqiptar Fatos Nano vlerësimet e Presidentit Amerikan Xhorxh Bush lidhur me progresin e Shqipërisë dhe angazhimin e tyre të përbashkët për ta asistuar më nga afër gjithë këtë proces të suksesshëm reformash dhe transformimesh. Z. Berluskoni ka takuar Presidentin Bush vetëm pak ditë më parë në SHBA.
Këtë mesazh Kryeministri Nano e mori nëpërmjet një bisede telefonike që zhvilloi sot me homologun e tij italian, gjatë vizitës që zhvilloi në Romë. Kryeministri Berluskoni i shprehu keqardhjen që ndodhej për arsye pune jashtë Romës. Z. Berluskoni i shprehu edhe njëherë Kryeministrit Shqiptar angazhimin e Qeverisë Italiane si kryesuese e radhës së BE për të përfunduar brenda Presidencës së tyre negociatat Shqipëri- BE për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.
"Vlerësoj dhe ju përgëzoj për menaxhimin që i bëtë personalisht përballimit me sukses të problemeve të fundit që u shkaktuan në Shqipëri duke e konsideruar si garanci për ruajtjen dhe konsolidimin e stabilitetit dhe progresit të vendit tuaj", theksoi nga ana e tij Kryeministri Berluskoni duke nënvizuar se "Qetësia dhe stabiliteti që ju garantoni na nxisin të stimulojmë më tej ecjen tuaj përpara".
Z. Berluskoni tha se BE po ndjek me vëmendje progresin e Shqipërisë dhe e vlerëson lart politikën e moderuar të Qeverisë Shqiptare në rajonin e Ballkanit për paqe e stabilitet dhe në mënyrë të veçantë përshëndeti arritjet e vendit tonë në luftën kundër krimit të organizuar trafiqeve etj.
Lidhur me marrëdhëniet bilaterale Itali- Shqipëri, Z. Berluskoni dhe Z. Nano i kushtuan një vëmendje të veçantë progresit të projekteve në fushën e energjetikës që tashmë janë në proces.
Në fund të bisedës z. Berluskoni e informoi z. Nano se ekipi kampion i Europës,"Milano" ka marrë tashmë vendimin për të zhvilluar një ndeshje miqësore në Tiranë.