E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Hashim Thaçi fton homologun Sali Berisha

Ceremonia e përurimit të fillimit të punimeve në autostradën e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ftuar homologun e tij shqiptar, Sali Berisha, për të marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të fillimit të punimeve në autostradën Morinë-Vërmicë-Prizren-Prishtinë-Merdare.
Zyra e shtypit e Kryeministrit të Kosovës bëri të ditur dje se Kryeministri Berisha e ka mirëpritur ftesën dhe ka shprehur gatishmërinë e tij dhe të Qeverisë shqiptare për të marrë pjesë në këtë eveniment madhështor.
Ceremonia e përurimit të fillimit të punimeve të autostradës do të mbahet më 25 prill 2010, në Vërmicë, në orën 13.00, njoftoi zyra e shtypit e kryeministrit Thaçi.
Ndërkohë, në faqet e para të shtypit të Prishtinës dje është paralajmëruar pjesëmarrja e Kryeministrit shqiptar Sali Berisha në festën e përurimit të fillimit të ndërtimit të pjesës kosovare të autostradës nga Durrësi, të përfunduar në Shqipëri.
Gazetat po ashtu kanë theksuar se Kryeministri Berisha ka hedhur edhe idenë e linjës hekurudhore Shqipëri-Kosovë, të cilën e ka cilësuar projekti i dytë madhor në mes dy vendeve.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në fillim të kësaj jave, duke folur për autostradën, e cila nis ndërtimin nga kufiri me Shqipërinë drejt Prizrenit, Prishtinës dhe Merdares, ka thënë se afati i përfundimit të punimeve është parashikuar të jetë 36 muaj, duke theksuar edhe efektin në marrëdhëniet e Kosovës me Shqipërinë, të cilat i ka vlerësuar të shkëlqyera dhe model për rajonin.
"Natyrisht një projekt i përmasave të tilla si autostrada do të ketë efektin e thellimit të bashkëpunimit, i cili është një model që mund të shërbejë për të gjithë rajonin dhe aspiratat e tij integruese", ka theksuar Thaçi.
Ndërkohë, mbi 30 makineritë e para të kompanisë amerikano-turke Bechtel Enka kanë mbërritur nga Shqipëria në Kosovë një javë para fillimit të ndërtimit të autostradës.
Ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, ka bërë të ditur se ceremonia për fillimin e ndërtimit të autostradës në Vërmicë të dielën do të jetë me pjesëmarrje nga të dy anët e kufirit Kosovë-Shqipëri.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›