E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rinas, fluturime në të gjitha destinacionet

TIRANE- Në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit rikthehet normaliteti. Sipas njoftimit më të fundit nga ky aeroport bëhet e ditur se nga Rinasi në orët e mbrëmjes së djeshme është nisur edhe avioni në drejtim të Londrës.
Më herët gjatë ditës, kanë operuar fluturimet drejt Romës, Athinës, Stambollit, Mynihut dhe Vjenës, Pizas, Bergamos, Anconës, Peruxhas, Lubljanës, Budapestit dhe Milanos. Drejtoria e aeroportit këshillon pasagjerët të kontaktojnë linjat ajrore përkatëse për informacion të mëtejshëm në lidhje me udhëtimin e tyre.
Në aeroportin e Rinasit prej 5 ditësh trafiku ajror ishte i reduktuar për shkak të resë vullkanike islandeze. Hiri i vullkanit të Islandës u përhap me ritme të shpejta në të gjitha vendet e Evropës, duke paralizuar fluturimin e avionëve.
Pezullimi për të paktën 8 ditë i fluturimeve ka sjellë edhe një dëm financiar për aeroportin, i cili ende nuk është përllogaritur. Burime zyrtare tregojnë se në Shqipëri dëmi është kryesisht tek pezullimi i fluturimeve nga pasagjerët sesa tek mallrat. Ndërsa në shumë aeroporte të Europës dëmet përllogariten në miliarda euro.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›