E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri i Jashtëm i Austrisë i premton mbështetje Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt Europës

Michael Spindelegger, në konferencë për shtyp me homologun shqiptar, Zëvendëskryeministrin Ilir Meta

Ministri i Jashtëm të Austrisë, Michael Spindelegger, tha gjatë konferencës së përbashkët për shtyp në Vjenë me Zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Ilir Meta, se ne do t’ju mbështesim në rrugëtimin tuaj drejt Evropës.
Drejtoria e shtypit e MPJ-së bëri të ditur se kryediplomati austriak Spindelegger përgëzoi Shqipërinë për hapat e hedhura në drejtim të liberalizimit të vizave dhe integrimit në BE.
"Do doja t’ju përgëzoja që iu përgjigjët kaq shpejt Pyetësorit të BE-së, dhe ky është një sinjal i shkëlqyer nga ana e Shqipërisë, e cila e trajton procesin e integrimit evropian me shumë seriozitet", u shpreh ministri i Jashtëm austriak.
Në të njëjtën kohë ai shprehu përgëzimet "për të gjitha përpjekjet që keni bërë në një kohë shumë të shkurtër për liberalizimin e vizave. Mendoj se po e trajtoni këtë çështje në mënyrë tepër konstruktive".
Ai shprehu mbështetjen e vendit të tij në procesin e liberalizimit të vizave, duke theksuar se "ne do t’ju mbështesim sepse mendojmë se liberalizimi i vizave është një proces i përkryer për qytetarët e Shqipërisë, për të ardhur në Evropë, për të qenë pjesë e këtij komuniteti".
Ministri i Jashtëm austriak tha se,"ne jemi miq të Shqipërisë dhe dëshirojmë t’ju kemi sa më shpejt në Bashkimin Evropian".
Nga ana e tij, Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, vlerësoi mbështetjen e Austrisë në rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
"Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Austrisë janë shumë tradicionale, ashtu siç edhe kanë një të ardhme të shkëlqyer, e cila është e ardhmja edhe e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Dhe për këtë Austria ka qenë shumë e angazhuar", tha Meta.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, vlerësoi në veçanti angazhimin e jashtëzakonshëm të ministrit Spindelegger për të mbështetur Shqipërinë, por edhe vendet e tjera të rajonit.
"Iniciativat e tij me Greqinë, apo me Slloveninë dhe me vende të tjera të BE kanë qenë mjaft evidente kohët e fundit", tha Meta.
Kreu i diplomacisë shqiptare tha se "e njoha edhe një herë Spindelegger me progresin shumë të madh që Shqipëria ka bërë për të arritur kriteret për liberalizimin e vizave, e cila është një çështje dinjiteti për qytetarët më të izoluar të Evropës 20 vite më parë si dhe me punën e jashtëzakonshme që u bë për t’iu përgjigjur Pyetësorit të Komisionit Evropian, i cili u dorëzua nga Kryeministri Berisha në Bruksel javën e kaluar".
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për të punuar "mjaft ngushtë me KE në këtë drejtim, ashtu siç do të bëjmë të gjitha përpjekjet për të përfshirë të gjitha forcat politike në vend dhe të gjithë aktorët e rëndësishëm në këtë proces kombëtar".
Në të njëjtën kohë Meta vlerësoi rolin e vazhdueshëm të Austrisë "për stabilitetin dhe përparimin e Ballkanit, dhe për ta bërë atë pjesë të BE sa më shpejt, që ka qenë një angazhim i Austrisë dhe i ministrit Spindelegger, të bërë publik gjatë kohëve të fundit".

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›