Kryeministri Fatos Nano ka marrë pjesë sot në ceremoninë e inaugurimit të përfundimit të punimeve për segmentin rrugor Qukës – Qafë Thanë dhe në përurimin e ndërtesës së rehabilituar
Kryeministri Fatos Nano ka marrë pjesë sot në ceremoninë e inaugurimit të përfundimit të punimeve për segmentin rrugor Qukës – Qafë Thanë dhe në përurimin e ndërtesës së rehabilituar të Doganës së Qafë- Thanës.
Në këtë vizitë, Kryeministri Nano shoqërohej nga Përfaqësuesi i Përhershëm i Bankës Botërore në Shqipëri, Eugen Scanteie, nga Zëvendëskryeministrja dhe Ministre e Integrimit, dekretuar nga Presidenti i Republikës, zonja Ermelinda Meksi, Ministri i Financave Kastriot Islami, Ministrja e Punës dhe eÇështjeve Sociale, Valentina Leskaj, Ministri i Transportit dhe Telekomunikacionit, Spartak Poçi, Ministri i Pushtetit Lokal dhe Decentralizimit, Ben Blushi, Ministri i Rregullim Territorit dhe Turizmit, Besnik Dervishi, nga deputetë të zonës dhe përfaqësues të pushtetit vendor.
Gjatë përurimit të segmentit rrugor Qukës – Qafë Thanë, Kryeministri Nano u shpreh:
"Të nderuar pjesëmarrës,
Inaugurimi i sotëm është një tjetër dëshmi e rëndësisë që i kushton qeveria zhvillimit dhe modernizimit të infrastrukturës si një kusht i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit në përgjithësi. Strategjia e qeverisë që unë drejtoj për zhvillimin e infrastrukturës tashmë është bërë përfundimisht pjesë e strategjisë rajonale, që synon integrimin e rajonit me rrjetet e infrastrukturës europiane si një proçes komplementar me integrimin e tij në BE dhe në strukturat Euroatlantike.
Si pjesë e Korridorit Tetë, kjo rrugë me gjatësi 19 km, me standartet ndërkombëtare të infrastrukturës moderne, me vlerë rreth 10 milion Euro u financua nga Fondi Kuvajtian, - të cilin gjej rastin ta falenderoj edhe një herë -, si dhe buxheti i shtetit shqiptar dhe u ndërtua nga kompania turke Mak Yol Construction Industry. Korridori Tetë i cili rigjallëron lidhjen e herëshme Lindje-Perëndim merr një simbolike të re në kuadrin e proçeseve integruese dhe veçanërisht pas vendimeve tepër të rëndësishme për rajonin tonë që u morën në Samitin e Selanikut, ku për vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor u përcaktua qartë një e ardhme europiane.
Ndërsa pas këtij inaugurimi ne do të shkojmë të inaugurojmë edhe ndërtesën e re të Doganës së Qafë-Thanës, të reabilituar me fondet e Bankës Botërore. Rikonstruksioni i Doganës Qafë Thanë bëhet pas shkatërrimit total që iu bë kësaj pike të rëndësishme doganore që është edhe ura kryesore lidhëse me fqinjin maqedonas. Parë në një kuadër më të gjerë investimi prej 900 mijë Euro në këtë pikë doganore do të krijojë lehtësi në tregtinë me të gjithë vendet e tjera të rajonit.
Ky investim merr një rëndësi të veçantë po të kemi parasysh se realizohet në kuadrin e projektit rajonal për Lehtësimin e Tregtisë dhe Transportit, projekt që zhvillohet në kuadrin e Paktit të Stabilitetit dhe ku përfshihen tetë vende të Rajonit. Realizimi i këtij investimi është pjesë e një projekti më të gjerë ku përfshihen përveç zhvillimit të infrastrukturës në pikat doganore të Qafë-Thanës dhe Morinit edhe lehtësimi i transportit në tre akse rrugore Fushë Krujë-Mamurras, Lezhë-Shkodër e Milot-Lezhë si dhe realizimin e dy urave të mbetura në aksin Librazhd-Qukës. I shoqëruar me një komponent të rëndësishëm që është krijimi i sistemit të lidhjes dhe telekomunikacionit në pikat doganore dhe krijimi i një sistemi të kompjuterizuar në qendër, ky projekt do të jetë përveç të tjerash edhe një faktor më tepër në përpjekjet e qeverisë për luftën kundër korrupsionit dhe për minimizimin e kontrabandës dhe evazionit fiskal.
Vetem disa javë më parë unë pata nderin të inauguroj kalatën e re të portit të Durrësit dhe mbikalimin e autostradës në hyrje të po këtij qyteti. Në këtë mënyrë ne kemi prekur tashmë të dy ekstremet e ketij korridori jetik per zhvillimin e mbarë rajonit tonë.
Si një arterie e rrjetit tonë rrugor, i cili çdo ditë po merr pamjen e një rrjeti modern, kjo rrugë do të lehtësojë aktivitetet sipërmarrëse, shkëmbimet dhe lëvizjen e lirë të njerëzve, zhvillimin dhe mundësinë e shfrytëzimit të bukurive natyrore turistike që ofron zona e Pogradecit dhe e Korçës. Pra pas rrugës vjen zhvillimi, qytetërimi, standartet perëndimore të jetesës, shndërimi i këtyre zonave në realitete integruese globale.
I gëzofshim këto vepra!"