E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri: Nafta D2, pas 2010-ës nuk do të ekzistojë më

Kryeministri Berisha nuk tërhiqet nga vendimi për të ndaluar tregtimin e naftës D2 në vend, ndërsa e ka thelluar më tepër konfliktin me importuesit, duke i detyruar që karburantin ta blejnë vetëm tek ARMO. Nga ana e tyre, importuesit e naftës, të mbledhur nga Shoqata e Hidrokarbureve, i kanë dërguar një letër Kryeministrit, ku thuhet se ndalimi i naftës D2 bie në kundërshtim me rregullat e MSA dhe të konkurrencës së lirë. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, Kryeministri Berisha tha se ka marrë në konsideratë kërkesën e Autoritetit të Konkurrencës për të lejuar tregtimin e naftës D2 edhe për vitin 2009, për aq kohë se kjo e drejtë i lihet vetëm ARMO-s. "Pas diskutimeve të zgjeruara, mendoj se kemi marrë vendimin më të drejtë, jo të shtojmë squfur për mushkëritë e shqiptarëve, por gjithashtu të mos pranojmë situatën pothuajse monopol të një operatori në fushën e naftës", tha Berisha. Sipas tij, ministri Ruli po punon me Autoritetin në mënyrë që ARMO të jetë i detyruar ta shpërndajë të "famshmin" D2 tek operatorët e tjerë, sipas përqindjes së caktuar dhe peshës që kanë në treg. "D2 është importuar më parë, por tani nuk do të ketë import. Dhe kjo të jetë vetëm për një vit. Në vitin 2010, në qoftë se shqiptarët do të votojnë këtë qeveri dhe unë kam shumë besim tek ata, sepse ata më besojnë mua dhe unë u besoj atyre, nuk do të ketë më naftë D2 në rrugë", u shpreh Berisha. Nafta D2 ka një përqindje të lartë squfuri, deri në 2000 mpp, ndërsa D1 250 mpp. Sipas vendimit të qeverisë, nafta D2 nuk duhet të kishte ekzistuar në treg pas janarit 2009, por privatizimi i ARMO-s solli shtyrje të afatit vetëm për këtë kompani, ndërsa për importuesit doli urdhri për bllokim malli në rast tregtimi. Ndërkaq, sipas Shoqatës së Hidrokarbureve, "kompanitë e importit të naftës kanë arkëtuar nga veprimtaria e tyre e ligjshme, për çdo vit, në arkën e shtetit, 70-260 milionë euro, ndërsa nuk kanë reshtur së investuari deri në 200 milionë euro".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›