E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kukës, trajlat bllokojnë rrugën në Qafën e Malit

Dy ditët e fundit, me përqendrimin e forcave dhe mjeteve në aksin e rrugës kombëtare Kukës-Tiranë u duk se gjithçka u zgjidh, por orët e mbrëmjes së djeshme treguan të kundërtën. Rruga e vështirë, e cilësuar si e tillë edhe për stinën e verës, nuk është ende e përshtatshme për automjetet e tonazhit të rëndë. Dy trajla, të cilët kanë depërtuar deri në Qafë të Malit, madje e kanë përshkuar atë vetëm falë faktit që nuk janë ndërruar me ndonjë automjet tjetër dhe kanë mbetur pikërisht në Qafë-Shllak në dëborën e dendur anës rrugës. Makinat nuk lëviznin dot as para e as mbrapa, pasi rrezikonin të binin në humnerë dhe kanë bllokuar plotësisht qarkullimin e mjeteve. Por, shoferët tregojnë se kalimi i tyre është tepër i nevojshëm për të mbushur tregun e Kosovës, së pari me karburant e së dyti me një numër mallrash që ose merren në Shqipëri ose kalojnë nëpërmjet saj. Bllokimi i rrugës në Qafë-Shllak ka rrezikuar edhe jetën e një të sëmuri, një elektricisti, të cilit i kishte rënë të fikët ndërsa punonte në një kabinë dhe po dërgohej në Tiranë me një fuoristradë të firmës "Bechetl". Pas shumë përpjekjesh, i sëmuri ka depërtuar ndërsa të afërmit e tij dhe të gjitha automjetet në dy krahët, kanë pritur deri në orët e vona për t‘u hapur rruga njëkalimëshe. Edhe prania e forcave të policisë dhe borëpastruesve e ka bërë të pamundur zhbllokimin e situatës, duke bërë që udhëtarët të presin në dëborë dhe në temperatura të ulëta që shkojnë deri në -10 gradë C.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›