INSTAT: Bode gabon, rritja ekonomike 9.9%
Debati për rritjen ekonomike ka marrë përmasa më të mëdha pas konfliktit të hapur që u zhvillua dy ditë më parë në sy të medias mes Kryeministrit Sali Berisha dhe ministrit të Financave, Ridvan Bode. Ministri pretendon se rritja ekonomike nuk do të jetë më shumë se 7 për qind për vitin 2008, duke u nisur nga treguesit e buxhetit. Për Kryeministrin Berisha, shifrat e paraqitura nga INSTAT-i, i cili vlerëson një rritje prej 9.9 përqindësh, janë më të vërteta dhe se duhen marrë në konsideratë. Konflikti, që më parë zhvillohej me opozitën, tashmë është vendosur brenda qeverisë, ku për herë të parë u pa acarimi i Kryeministrit kur mësoi se nga analiza e Ministrisë së Financave, rritja ekonomike nuk mund të jetë më shumë se 7 për qind, madje ajo vërtitet diku te 6-7 për qind. Nisur nga debati ka reaguar dje Instituti i Statistikave, drejtori në varësi të ministrit Bode. Sipas nëndrejtoreshës Ledia Thomo, "INSTAT-i e ka ndjekur me vëmendje debatin e djeshëm në lidhje me shifrat e rritjes ekonomike në Komitetin e Planifikimit të Strategjive. Duke ndjerë detyrimin për informimin sa më transparent të publikut shqiptar në lidhje me treguesit që ai boton, INSTAT-i konfirmon që rritja ekonomike me bazë tremujore deri në muajin shtator të këtij viti, duke përfshirë katër tremujorë (i katërti 2007 plus 3 tremujorët e parë 2008) është 9.9 për qind dhe deri tani nuk disponon asnjë të dhënë tjetër mbi këtë tregues". Konflikti mes Kryeministrit dhe ministrit të Financave është ndezur edhe më shumë nga fakti se ministria duhet të kishte rënë dakord me INSTAT-in dhe jo të dilnin me dy shifra të ndryshme. INSTAT-i justifikohet se rezultati i nxjerrë nga studimi është certifikuar edhe nga ekspertët e FMN-së, ndërsa Ministria e Financave e hedh poshtë treguesin për rritjen ekonomike me pretendimin se të dhënat e tremujorit nuk duhen marrë si bazë përfundimtare. Sipas Thomos, "rritja ekonomike prej 9.9 përqindësh është konfirmuar dhe nga eksperti i Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili ka punuar në INSTAT dhe është dërguar në formën e një raporti zyrtar". Megjithatë, INSTAT-i pranon se "kjo nuk është shifër përfundimtare, pasi të dhënat për rritjen ekonomike janë objekt i revizionimit të vazhdueshëm në kohë". Sa i takon qëndrimeve të ndërkombëtarëve, Banka Botërore është shprehur skeptike dhe konservatore, duke deklaruar se të dhënat tremujore nuk mund të merren si bazë përfundimtare. Tashmë i mbetet FMN-së të thotë fjalën e saj, duke qenë se për treguesin e rritjes është punuar bashkë me ekspertët e Fondit Monetar. Shifra e rritjes ekonomike prej 7 përqindësh është publikuar në Kuadrin Makroekonomik dhe Fiskal 2010-2012, hartuar nga Ministria e Financave, por që nuk mori miratimin e Komitetit të Planifikimit Strategjik.