Gjirokastër, qyteti rrezikohet nga erozioni
Moti i keq me shira të vazhdueshme në jug të vendit ka bërë që gjatë këtyre ditëve të dalë në pah problematika e zonave të rrëshqitshme në qytetin e Gjirokastrës. Një vëzhgim i specialistëve pranë bashkisë së qytetit konfirmon se më problematik në këtë aspekt mbetet lagjja "Kodra e Shtufit", "11 Janari" dhe zona pranë postbllokut në lagjen "Punëtore". Ndërsa në vendin e tragjedisë së 9 nëntorit, ditët e fundit për shkak të shirave të rrëmbyeshëm zona e mbetur në pjesën e sipërme të rrënojave vazhdon të rrëshqasë ende, duke rrezikuar shembjen e godinës më të afërt, që është qendra e rekrutim-mobilizimit dhe më pas pjesën e sipërme të lagjes "11 Janari". Ndërtimet pa kriter duket se po bëhen shkak i rrëshqitjeve masive të dherave në Gjirokastër.