E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndihma nga ajri për zonat e bllokuara

Edhe dje në gjithë zonën verilindore të vendit ka vazhduar moti i ftohtë. Tashmë nuk janë problem akset nacionale të rrugëve ku lëvizja e mjeteve vazhdon me intensitet më të lartë se në ditë të tjera dhe pa ndërprerje. Por rrugët rurale vazhdojnë të mbeten të bllokuara, edhe pse mjetet e Ndërmarrjes Rajonale të Rrugëve po punojnë në segmente të ndryshme. Dje është hapur aksi nacional Kukës-Shishtavec dhe është avancuar deri në Resk të Ujmishit drejt Bushtricës dhe Kalisit. Shtabi i emergjencës në Prefekturën e Kukësit, i cili qëndron i mbledhur 24 orë dhe thotë se po mban në kontroll situatën dhe pohon me optimizëm se aktualisht nuk ka emergjenca për ushqime apo ilaçe. Ky burim saktëson se ende janë të pakalueshme rrugët që lidhin komunat Arrën, Zapod, Kalis, Grykë-Çajë, si dhe Lekbibaj në Tropojë.

Ndihma nga ajri

Nisur nga raportimet mediatike, Drejtoria e Emergjencave Civile ka dërguar dje në mesditë dy pako ndihmash kryesisht në ushqime, në komunat Zapod dhe Arrën. Drejtues të këtyre komunave kanë organizuar bartjen e më pas shpërndarjen e këtyre ndihmave, të cilat, nuk kanë qenë të mirëpritura nga drejtuesit rajonalë të pushtetit. Vetë kryetari i Qarkut të Kukësit, Shefqet Bruka, tha për ndihmat në fjalë se, "as i kemi kërkuar dhe as i duam, sepse nuk kemi situatë emergjente ushqimore. Aq lekë sa dikasteri ka shpenzuar le t‘i orientojë për hapjen e rrugëve", tha Bruka. Edhe prefektura, në të paktën dy takimet e fundit, është diskutuar kundër dërgimit të ndihmave, por në favor të mbështetjes financiare për mjetet borëpastruese. Sidoqoftë, fluturimi i helikopterit në Zapod ka shërbyer edhe për transportimin e dy personave të sëmurë, të cilët udhëtuan për në Tiranë.

Banorët e izoluar

Me gjithë vështirësitë e krijuara nga reshjet e mëdha të dëborës dhe temperaturat e ulëta, ende nuk ka një krizë të furnizimit me ushqime për banorët e izoluar. Ky fakt pohohet nga njësitë tregtare, pushteti vendor, si dhe vetë fshatarët. Një grup banorësh nga Bushtrica kishin guxuar të udhëtonin me një furgon duke e shtyrë atë dhe duke e tërhequr me litar të gjithë në grup. "Jemi mërzitur duke qëndruar gjithë ditën të mbyllur në shtëpi, luajmë domino, shah e çfarë të duash, por prapë se prapë, thamë hajt se po dalim një herë", tregon një banor nga Bushtrica ndërsa tërheq bashkë me 10 burra të tjerë një furgon nëpër dëborën e ngjeshur poshtë të cilës është rruga. Banorët thanë se nuk përjetojnë ndonjë krizë ushqimesh, pasi ky nuk është dimri i parë, madje nuk është shumë i egër dhe zgjidhja do të ishte jo dërgimi pakove, por i borëpastrueseve. Edhe një nga drejtuesit e Komunës Ujmisht tha për gazetën "Shqip" se "dërgimi nga ajri i pakove ushqimore e pështjellojnë edhe më tej situatën". Zgjidhja sipas tij është vetëm zhbllokimi i rrugëve që lidhin fshatrat dhe komunat me qytetin.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›