E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri: “Propozimet e opozitës? Çdo forcë politike të gjejë veten në proces”

Autori i Lajmit: red.
Kryeministri Berisha përshëndeti gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike hapjen e sesionit të ri parlamentar duke e cilësuar atë si madhor për të gjitha reformat, të cilat do të vazhdojnë deri ditën e zgjedhjeve. Duke vlerësuar se çështja më kryesore e kësaj periudhe dhe të gjithë këtyre muajve janë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, Kryeministri u kërkoi deputetëve të mazhorancës që të ulen me opozitën për ngritjen e një komisioni me kredibilitetin më të lartë. Gjithashtu, kryeministri Berisha ftoi opozitën të ushtrojë të gjithë kontrollin që dëshiron mbi përgatitjen e procesit zgjedhor duke e konsideruar kontrollin e saj si kontribut të madh në këtë drejtim. “Çështja më kryesore e kësaj periudhe dhe të gjithë këtyre muajve janë zgjedhjet. Ju bëj thirrje edhe juve, të ulemi me opozitën për të ndërtuar një komision me kredibilitetin më të lartë, sikundër ftoj opozitën të ushtrojë të gjithë kontrollin që dëshiron mbi përgatitjet për procesin zgjedhor. Ne do ta konsideronim kontrollin e saj kontribut të madh. Nuk kemi asnjë qëllim, vetëm një proces dinjitoz zgjedhor. Duke ardhur këtu më informuan se kryetari i opozitës ka kërkuar vendim qeverie për pasaportat ekzistuese. Unë do të autorizoj Ministrinë e Brendshme që menjëherë të vendosë kontaktet me ta. Çdo lloj propozimi që opozita e gjykon dhe që i shërben transparencës dhe kompletimit më të mirë të procesit ne jemi të hapur. Ne duam që çdo forcë politike të gjejë veten e vet në këtë proces. Nuk kemi asgjë përjashtuese në këtë proces”, - përfundoi kreu i qeverisë, Berisha.
Ky lajm është publikuar: 20/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›