E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi dekreton Laukën në Prishtinë

Autori i Lajmit: red.
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, firmosi dje dekretin për ambasadorin shqiptar në Kosovë. Islam Lauka do të jetë përfaqësuesi i diplomacisë shqiptarë Kosovë. Kandidatura e tij në postin e diplomatit në Prishtinë u propozua nga kryeministri Sali Berisha rreth një vit më parë, por një sërë procedurash kanë vonuar dekretimin e këtij emri. Vetëm një ditë më parë propozimi i Berishës ka mundur të marrë firmën e Presidentit. Islam Lauka në CV-në e tij ka gjashtë kualifikime, si doktor i shkencave politike, grada personale diplomatike “Këshilltar”, kurs diplomacie, kurs filozofie dhe pjesëmarrës në shumë konferenca. Ai mban edhe detyrën e drejtorit të Institutit Shqiptar të Studimeve Politike. Ai ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Histori-Filologji, për rusisht. Ka një background të pasur si diplomat, duke nisur që nga puna Referent në Drejtorinë e Parë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, dhe më pas në detyrën e Përgjegjësit të Sektorit. Që nga janari i vitit 2007, Islam Lauka mban postin e kryetarit të Bordit Drejtues pranë Institutit Kombëtar të Diasporës në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ai njihet edhe si autor i disa librave për Kosovën. Krahas detyrës si drejtor i Institutit Shqiptar të Studimeve Politike, Lauka është edhe president i Qendrës Shqiptare të Studimeve Amerikano-Britanike. Për katër vite, 91- 95, Lauka ka qenë i emëruar në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Moskë me gradën e Sekretarit të Parë si dhe me pozicionin e të Ngarkuarit me Punë. Pak ditë më parë, Lauka e cilësoi emërimin e tij në krye të ambasadës shqiptare në Prishtinë si një detyrë të vështirë, por dhe një privilegj. Si përfaqësues i diplomacisë shqiptare, Lauka tha se do të ndihmonte Kosovën në objektivat e saj të parë për sigurimin e një numri sa më të madh shtetesh që do ta njohin si dhe në anëtarësimin e saj me të drejta të plota në OKB, KE dhe OSBE.
Ky lajm është publikuar: 20/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›