E Diel, 1 Nëntor 2026

KLD zgjedh 8 anëtarët e Kolegjit Zgjedhor

Autori i Lajmit: Suela Topi
“Nëpërmjet një procedure të fshehtë dhe pa dhënë spjegime, këto parti vendosën të përjashtojnë 3 nga 8 të përzgjedhurit e parë, saktësisht gjyqtarët Bashkim Dedja, Zegjine Sollaku dhe Stavri Kallço”

Këshilli i Lartë i Drejtësisë zgjodhi dje nëpërmjet shortit me gogla, tetë gjyqtarët që do të përbëjnë Kolegjin Zgjedhor. Kolegji është një strukturë e rëndësishme për shqyrtimin e ankesave të subjekteve politike gjatë procesit për zgjedhjet e reja parlamentare, të cilat do të mbahen më 28 qershor 2009. Në bazë të detyrimeve kushtetuese, KLD ka zhvilluar dje shortin ku u zgjodhën anëtarët e Kolegjit Zgjedhor të cilët janë: Dhurata Haveri, Astrit Kalaja, Marie Qiriazi, Meriban Mullaj, Sashenka Jonuzi, Entela Prifti, Tom Ndreca dhe Petraq Koço. Nga përzgjedhja e parë me short u kontestuan 3 emra. Sabri Kallço, Bashkim Dedja dhe bashkëshortja e ish-kryeprokurorit, Zegjine Sollaku nuk morën aprovimin nga partitë. Përzgjedhja e dytë me short zgjodhi 3 emra të rinj në vend të kandidatëve të kontestuar. Ata janë Entela Prifti, Tom Ndreca dhe Petraq Koço.
Procedura
Në mbledhjen e tij të parë plenare për vitin 2009 të datës 19 janar, Këshilli i Lartë i Drejtësisë zhvilloi procedurën e hedhjes së shortit për përzgjedhjen e tetë gjyqtarëve ndër gjykatat e Apelit të Republikës, për të qenë anëtarë të Kolegjit Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë. “Procedura u zhvillua në transparencë të plotë të çdo faze të saj, në prani të medias, duke garantuar saktësimin e përfshirjes në short të të gjithë gjyqtarëve të nivelit të dytë që plotësojnë kërkesat e Kodit Zgjedhor, tërheqjen e emrave me përzgjedhje rastësore të tyre nga vetë anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke përjashtuar anëtarët “ex officio” dhe ata, emrat e të cilëve përfshihen në listën e gjyqtarëve të Apelit dhe respektimin e vullnetit të përfaqësuesve të katër partive politike nga pozita dhe opozita, me numrin më të lartë të mandateve në Kuvendin e Shqipërisë, të cilët janë Partia Demokratike, Partia Republikane, Partia Socialiste dhe Partia Socialdemokrate , - thuhet në njoftimin për shtyp të KLD-së. Në përfundim të procedurës së shortit, rezultuan se emrat rastësisht të përzgjedhur ishin Dhurata Haveri, Bashkim Dedja, Astrit Kalaja, Marie Qirjazi, Zegjine Sollaku, Stavri Kallço, Sashenka Jonuzi dhe Meriban Mullaj.
Kontestimet
Procesi i parë i përzgjedhjes ka hasur në kontestimin e partive, të cilat kanë të drejtë për të pasur përfaqësuesit e tyre në këtë proces. Kështu, Partia Demorkatike, Partia Socialiste, Partia Republikane dhe ajo Socialdemokrate kanë kontestruar 2 emra nga lista e 8 anëtarëve të parë të përzgjedhur. Nëpërmjet një procedure të fshehtë dhe pa dhënë shpjegime, këto parti vendosën të përjashtojnë 3 nga 8 të përzgjedhurit e parë, saktësisht gjyqtarët Bashkim Dedja, Zegjine Sollaku dhe Stavri Kallço. Në përputhje me afatet kohore të përcaktuara në Kodin Zgjedhor, KLD zgjodhi po dje 3 tre anëtarë të rinj në vend të emrave të kontestuar. Ata janë Entela Prifti, Tom Ndreca dhe Petraq Koço. Gjyqtarët e përzgjedhur u deleguan menjëherë në detyrë në funksionin e posaçëm të anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë. Sot do të bëhet dhe betimi i tyre në Pallatin e Brigadave, në prani të Presidentit të Republikës.

Ky lajm është publikuar: 20/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›