E Diel, 1 Nëntor 2026

Të hënën nisin negociatat, kush janë arkitektët e marrëveshjes

Katër juristët e dy partive të mëdha që do të hartojnë paktin. Pritet që në ndihmë të tyre të mbërrijë dhe i dërguari i BE-së

Eljona Ballhysa
Katër do të jenë juristët që do të hartojnë marrëveshjen e konsensusit mes dy partive të mëdha në vend, PD dhe PS, për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Burimet nga të dyja partitë kanë bërë të ditur për gazetën se pritet që në fillim të javës së ardhshme të nisin negociatat mes palëve në nivel ekspertësh. Të dyja partitë do të përfaqësohen në tryezën e bisedimeve nga dy juristët më të mirë të secilës parti, ndërkohë që në ndihmë të tyre pritet të mbërrijë dhe i dërguari i Bashkimit Europian. Ndërkohë që në parim bëhet e ditur se palët e kanë gjetur formulën e kompromisit te hapja e kutive me materialet zgjedhore, ende nuk është përcaktuar procedura ligjore që do të ndiqet në këtë rast. Pikërisht për të hartuar të gjitha dispozitat ligjore janë përcaktuar katër juristët më të mirë të PS-së dhe PD-së, të cilët kanë vetëm 2 javë kohë për të realizuar kuadrin e plotë ligjor për të bërë transparencën e procesit zgjedhor.
Juristët
Partia Demokratike do të përfaqësohet në tryezën e negociatave ligjore nga kryetari i Komisionit Parlamentar të Ligjeve, Ilir Rusmali, si dhe nga drejtori i Kabinetit të kryeministrit Berisha, Oerd Bylykbashi. Ndërsa Partia Socialiste mësohet se do të përfaqësohet nga deputetja e Vasilika Hysi dhe nënkryetari i Komisionit të Ligjeve në PS, deputeti Damian Gjiknuri.
Përsa i përket Rusmalit, ai ka vite që kontribuon në Partisë Demokratike duke mbajtur postin e sekretarit për Çështjet Ligjore. Me ardhjen e PD-së në pushtet Rusmali u bë krahu i djathtë i kryeministrit Berisha pasi u emërua në postin e zëvendëskryeministrit. Më pas, me ndryshimet e reja në qeveri, Rusmali u emërua në postin e ministrit të Drejtësisë, nga i cili dha dorëheqjen gati një vit më pas për shkak të akuzave të opozitës. Rusmali mbetet i vetmi ministër i kabinetit Berisha që ka dhënë dorëheqjen nga detyra për shkak të akuzave të opozitës për korrupsion. Më pas ai mori postin e kryetarit të Komisionit të Ligjeve dhe ka marrë pjesë në shumë tryeza negocimi me PS-në për hartimin e ligjeve elektorale.
Oerd Bylykbashi aktualisht mban postin e drejtorit të Kabinetit të kryeministrit Berisha. Profesioni i tij është jurist. Më parë ka mbajtur postin e këshilltarit ligjor të Berishës. Bylykbashi ka punuar edhe si shef i Zyrës për Reformën Zgjedhore pranë Prezencës së OSBE-së, çka tregon se është një njohës mjaft i mirë i dispozitave ligjore që lidhen me reformën zgjedhore.
Përsa u përket përfaqësuesve të Partisë Socialiste, Vasilika Hysi njihet si eksperte ligjore, madje që prej vitit 1985 ajo është pedagoge në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin Juridik dhe në atë të Shkencave Politike. Hysi mban mandatin e parë të deputetes nën siglën e PS-së. Hysi do të jetë pjesë e tryezës së negociatave duke dhënë kontributin e saj në hartimin e draftit konsensual mes PD-së dhe PS-së.
Pjesë e kësaj tryeze nga ana e PS-së do të jetë dhe Damian Gjiknuri, i cili aktualisht mban postin e nënkryetarit të Komisionit të Ligjeve në Partinë Socialiste. Gjiknuri ka punuar prej vitesh në fushën e ligjeve. I diplomuar më 1994-n në Universitetin e Tiranës, Gjiknuri ka punuar në disa ministri si ekspert ligjor.
Pritet që të katër ekspertët në fjalë të fillojnë negociatat mbi paktin e hartuar nga ndërkombëtarët për të bërë ndryshimet për të cilat palët do të bien dakord.

Ilir Rusmali
Kryetar i Komisionit Parlamentar për Çështjet Ligjore, ish-ministër i Drejtësisë

Oerd Bylykbashi
Drejtori i Kabinetit të kryeministrit Berisha, ish-shef i Zyrës për Reformën Zgjedhore pranë Prezencës së OSBE-së

Vasilika Hysi
Deputete e Partisë Socialiste, ish-drejtuese e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, pedagoge e Juridikut

Damian Gjiknuri
Deputet i Partisë Socialiste, nënkryetar i Komisionit të Ligjeve në PS-së

Pikat mbi të cilat do të negociohet

Sipas burimeve, ndërkombëtarët u kanë propozuar Ramës dhe Berishës, gjatë darkës së zhvilluar në Strasburg, një plan me pesë pika që synon transparencën e zgjedhjeve në respekt të plotë të Kushtetutës, vendimeve të gjykatave dhe ligjeve në fuqi. Pikërisht pritet që negociatat mes palëve të bazohen mbi këtë projekt. Kështu, ekspertët shqiptarë, me ndihmën e ekspertit ligjor që do të dërgohet nga Bashkimi Europian, do të shqyrtojnë të gjitha hapësirat ligjore për të hetuar zgjedhjet. Ndërkaq është pohuar se palët parimisht kanë rënë dakord për hapjen e kutive me materialet zgjedhore. Por edhe për këtë pikë do të realizohen negociata, pasi njëra palë, konkretisht PD-ja, thekson se pasi të hapen kutitë e materialeve zgjedhore duhet të digjen menjëherë fletët e votimit. Ndërsa PS-ja kërkon që fletët të mbahen për të provuar manipulimin e zgjedhjeve në rast se do të zbulohet nga hetimi i kutive me materialet zgjedhore.

24 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›