E Enjte, 5 Nëntor 2026

Kryeministri Rama e quan “akuzë të pashembullt” akuzën e Bashës për viktimat e Covidit

Kryeministri Edi Rama reagoi sot ndaj akuzës së kreut të opozitës Lulzim Basha për fshehjen e viktimave nga Covidi, ndërsa shprehu solidaritetin e tij dhe mbështetjen ndaj trupës mjekësore. Zoti Rama e quajti “akuzë e pashembullt e Lulëzim Bashës, e cila cenon drejtpërdrejtë integritetin moral e profesional të mjekëve të vijës së zjarrit dhe nxit dhunë ndaj tyre”.
Kryeministri socialist tha se do t’u drejtohet shqiptarëve me një mesazh të drejtpërdrejtë.“Këtu është shkuar shumë – shumë larg, përtej çdo caku të politikës së ulët ditore dhe këtu nuk është më fjala thjesht për llafet e një aktori të papërgjegjshëm” tha zoti Rama.
“Sot u shpreh të gjithë solidaritetin dhe mbështetjen time, profesoreshë Najada Çomos e të gjithë skuadrës së saj shembullore, duke u përulur me mirënjohje përpara stërmundimit të tyre të përditshëm prej nëntë muajsh me radhë, si edhe duke u thënë që historia e mjekësisë shqiptare do të flasë për ta kur Lulëzim Bashës e xhagajdurëve të tjerë të botës mizerabël të shpifjeve e të thashethemeve, t’u jetë harruar emri, nami e nishani”, tha zoti Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›