Kryeministri Sali Berisha “Qytetar Nderi”
Nderohet nga Bashkia Kamëz Kreu i qeverisë Berisha merr këtë çmim për kontributin e jashtëzakonshëm në rrugën e demokratizimit të Shqipërisë dhe rritjes së standardit të jetesës në vend, përmes investimeve në punësim, infrastrukturë dhe modernizimin e kujdesit ekonomik dhe social për qytetarët shqiptarë. Bashkia e Kamzës, një ndër më të zhvilluarat në vend, ka vlerësuar me çmimin “Qytetar Nderi”, kryeministrin e vendit Sali Berisha. Vendimi i marrë nga Këshilli Bashkiak, i propozuar dhe mbështetur plotësisht nga kryetari i Bashkisë Xhelal Mziu iu dha kryeministrit Sali Berisha për kontributin e çmuar dhënë në ndërtimin dhe zhvillimin e zonave urbane në vend, përqendrimin e investimeve në infrastrukturë, shtrirjen e politikave të punësimit dhe ndërmarrja e reformave sociale e ekonomike për qytetarët shqiptarë. Kryeministri Berisha merr këtë vlerësim nga një prej njësive vendore model për nga zhvillimi dhe standardizimi perëndimor i shërbimeve dhe përkujdesjes sociale për qytetarët e saj. Në mënyrë unanime me 35 vota, anëtarët e Këshillit Bashkiak, shumicë e cila i takon mazhorancës PD-LSI, kanë votuar ‘pro’ shpalljes së kryeministrit Sali Berisha “Qytetar Nderi” i Kamzës. Ndërkaq, kryebashkiaku Mziu, gjatë një takimi të zhvilluar me anëtarë të Këshillit Bashkiak, shprehu vlerësimin e tij për këtë moment dhe përgëzoi kryeministrin Berisha për punën e jashtëzakonshme në rrugën e zhvillimit dhe integrimit të Shqipërisë.Ai sugjeroi gjithashtu që edhe njësitë vendore në çdo cep të Shqipërisë të ndërmarrin një nismë të tillë dhe njëherazi apeli për shtrirjen e kësaj iniciative edhe përtej kufijve të vendit në shenjë respekti për kryeministrin Berisha dhe rolin e tij të pazëvendësueshëm ndaj frymës panshqiptare....