Rritja e çmimit të energjisë, Qeveria: 1.7 miliardë lekë për kompensimin financiar të 280 mijë familjeve

Pakti me OSSH, Prifti: Asnjë kufizim të energjisë elektrike për qytetarëtRritja e çmimit të energjisë elektrike me 13 %, nuk do të penalizojë familjet shqiptare në nevojë, pasi qeveria ka gati një fond prej 1.7 miliard lekësh, që do të rimbursojë 280 mijë familjet e prekura. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, deklaroi se me fondin e qeverisë do të kompensohen pensionistët, familjet me ndihmë ekonomike, invalidët dhe jetimët, si dhe buxhetorët me pagë të ulët nën 350 mijë lekë të vjetra në muaj. Kreu i Energjetikës ka zbardhur detaje e skemës së subvencionimit të energjisë elektrike, nga e cila do të përfitojnë 280 mijë familje. “Kompensimi do të jetë i plotë, shkon deri në shifrën 960 lekë të reja në muaj për familjet që kompensohen sepse ruan të gjitha rritjet e çmimeve që janë bërë dhe nga vitet e tjera, përfshi rritjen që do të bëhet në vitin 2010”, tha Prifti.Ministri i Energjetikës, Dritan Prifti i kërkoi kompanisë çeke, CEZ që është dhe pronari i ri OSSH-së që të mos bëjë kufizime të energjisë për qytetarët, ashtu siç po vihet re ditët e fundit në disa zona të vendit.Sipas tij, në kontratën me shtetin shqiptar, investitori ka marrë përsipër të furnizojë pa ndërprerje me energji qytetarët dhe në rastin e mos shlyerjes së detyrimeve, të bëjë ndërprerje individuale.“Nga informacionet që kam marrë ditët e fundit të cilat dhe i kam verifikuar më del që OSSH-ja në një mënyrë të padrejtë është duke bërë stakime dhe për zona të tjera në Shqipëri për të cilat nuk duhet të bëjë stakime. Ne kemi firmosur një marrëveshje me OSSH-në që të ketë furnizim 100% për të gjithë konsumatorët, kemi një marrëveshje që nuk mund të ketë dënime kolektive. Edhe pse një pjesë e një lagjeje nuk paguan energji elektrike nuk mund të vuajë e gjithë lagjia apo i gjithë qyteti. Në qoftë se kanë pakënaqësi në lidhje me rritjen e çmimit të energjisë nuk mund të reagojnë duke ndërprerë energjinë elektrike sepse në këtë nuk do ta lejojmë”, u shpreh ministri Prifti. Ministri i Energjetikës i është përgjigjur dhe ultimatumit të kompanisë CEZ lidhur me vendosjen e afatit një javor për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të energjisë të institucioneve shtetërore, një borxh që sipas OSSH-së arrin në rreth 3 miliardë lekë. Sipas Prifit, qeveria është gati ta paguajë këtë shumë, pasi ajo të njihet nëpërmjet një rakordimi mes kompanisë dhe institucionit debitor....