E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Reforma në drejtësi, ka ende vend për rishikim ligjor dhe instrumente antikorruspion”

Intervistë e deputetit të PD-ës, Ilir Rusmali, kryetari i Komisionit Parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut

TIRANE - Deputeti i Partisë Demokratike, Ilir Rusmali, njëherazi kryetari i Komisionit Parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në një intervistë për gazetën “55” komenton dy nga reformat më të rëndësishme të ndërmarra në vend, reformën elektorale dhe atë në drejtësi.
Në lidhje me reformën në drejtësi Rusmali thekson se janë hedhur hapa të rëndësishme në realizimin e saj si dhe vlerëson bashkëpunimin me opozitën në këtë aspekt, bashkëpunim ky që nuk është edhe aq i lavdishëm.
“Nga hapat e hedhura deri tani gjykoj se procesi i reformës në drejtësi ka ecur me ritme të kënaqshme edhe për bashkëpunimin me opozitën. Por ky bashkëpunim nuk mund të quhet ende i lavdishëm për sa kohë që ligjet kryesore të miratuara janë shoqëruar me debate jo thelbësore dhe të politizuara me paragjykime”, shprehet midis të tjerave Rusmali në intervistën e tij.
Nga ana tjetër, deputeti i PD-ës, thekson se në lidhje me reformën në drejtësi, ka ende institucione dhe procedura të drejtësisë që duhet të koalidohen dhe ka ende vend për instrumente të reja të efektshme në luftën kundër korrupsionit.
Ndërsa në lidhje me reformën elektorale Rusmali shpreh fort besimin se kjo reformë do të hyjë në historinë e parlamentit shqiptar si një model ekzemplar kompromisi. Instalimi i sistemit të ri elektoral do të ketë si produkt një parlament më të qëndrueshëm, një mazhorancë dhe opozitë më të përgjegjshme dhe parti politike më të forta.
Midis të tjerave Rusmali shpreh bindjen se i takonte një partie të vokacionit demokratik perëndimor siç është PD-ja për të sjellë këtë model bashkëpunimi në Shqipëri.
“Merita kryesore i takon si fillim PD-së që i ofroi kushte bashkëpunimi opozitës për marrjen e vendimeve me rëndësi kombëtare dhe më pas  opozitës që pranoi të bashkëpunojë pa kushte”, thotë Rusmali midis të tjerave në intervistën e tij për gazetën “55”.

Si e vlerësoni procesin e realizimit të reformës në drejtësi dhe konsensusin e ofruar nga opozita më së fundi për bashkëpunim?
Nga hapat e hedhura deri tani gjykoj se procesi i reformës ka ecur me ritme të kënaqshme edhe për bashkëpunimin me opozitën. Ky bashkëpunim nuk mund të quhet ende i lavdishëm për sa kohë që ligjet kryesore të miratuara janë shoqëruar me debate jo thelbësore dhe të politizuara me paragjykime dhe në një pjesë të tyre me kontestime të paarsyeshme dhe shterpë. Sikur këto debate dhe kontestime shterpë të mos dominonin shqyrtimin e një pjesë të ligjeve të rëndësishme të reformës do të mund të thoshim se skena politike shqiptare ka arritur pjekurinë, racionalitetin dhe modernitetin që i takon. Gjithsesi rezultati mund të konsiderohet i kënaqshëm. Këtë e ilustroj me shembullin e ligjit për prokurorinë. Ky ligj u anatemua nga opozita si ligj antireformator. Më pas opozita deklaroi se do të votonte kundër apriori pa pritur që ai të hartohej. Kur ligji mori miratimin verbal dhe me shkrim të ekspertizës së huaj opozita vazhdonte të shikonte filma me fantazma dhe djaj dhe vetëm kur ligji iu nënshtrua shqyrtimit në komision i shërbente reformës, përmirësonte statusin e prokurorisë, përmirësonte statusin e prokurorëve, rriste dukshëm përgjegjësinë e tyre dhe për rrjedhojë i përgjigjej prioriteteve të shtetit shqiptar në luftën kundër krimit. Sidoqoftë, reforma në drejtësi nuk mund të quhet e përfunduar. Ka ende pjesë të kuadrit legjislativ që duhet të rishikohen dhe përmirësohen, ka ende institucione dhe procedura të drejtësisë që duhet të koalidohen, ka ende vend për adaptimin e instrumenteve të reja dhe efikase në luftën kundër korrupsionit. Unë besoj se në hapat që do të vinë opozita do të tregojë me shumë frymë bashkëpunim, konsensus dhe përgjegjësie.
 
 Si e komentoni realizimin e reformës elektorale, cilat do të jenë avantazhet e sistemit të ri elektoral?
 Unë theksoj me forcë se procesi i reformës elektorale do të hyjë në historinë e parlamentit shqiptar si një model ekzemplar kompromisi. Reforma elektorale për nga përmbajtja ka qenë shumë e vështirë për t'u realizuar. Mjafton të sjellim në kujtesë kalimin nga sistemi i përzier mazhoritar-proporcional në sistemin proporcional rajonal. Në radhët e partive parlamentare dhe deputetëve ka pasur dhjetëra motive që bazoheshin në interesa personale dhe kundër reformimit, dhe vetëm një motiv thelbësor pro tij që bazohej ne  interesin e përgjithshëm politik në atë të kapërcimit të fazës së tranzicionit politik dhe të themelimit të parlamentarizmit modern shqiptar. Deputetët me vetëdije përqafuan interesin e përgjithshëm dhe pranuan themelimin e parlamentarizmit modern shqiptar edhe pse interesat vetjake u bënin thirrje për të kundërtën. Vota me të cilën u miratuan amendamentet kushtetuese dhe kodi elektoral do të ngelen gjatë në kujtesë si shembuj të ndërtimit të shumicave dërrmuese në favor të një nisme specifike ligjore. Unë besoj se produkti i tij do të jetë një Parlament shumë  më i qëndrueshëm se ky sot, një mazhorancë dhe opozitë parlamentare shumë më të përgjegjshme se sa në këto vite dhe  parti politike shumë më të forta se sa sot. Unë shpresoj shumë që sistemi i ri elektoral të qëndrojë në fuqi për dekada për aq sa duhet të sjellë në politikën shqiptare të gjitha efektet pozitive të parashikuara.

A mendoni se ftesat e vazhdueshme që PD-ja i ka bërë opozitës për bashkëpunim në marrjen e vendimeve të rëndësishme për vendin, përbëjnë jo vetëm një risi në politikën shqiptare por në të njëjtën kohë tregojnë edhe një pjekuri dhe rritje të nivelit të demokratizimit të saj?
Jo se jam pjesë e kuadrit politik të PD-së por sepse është bindja ime më e thellë, se vetëm një parti e vokacionit demokratik perëndimor siç është PD-ja mund të prezantonte në Shqipëri modelin perëndimor të bashkëpunimit parlamentar, model që bazohet tek kompromisi dhe jo tek antagonizmi, tek vullneti i mirë dhe jo tek keqbesimi, tek shpirti i sakrificës dhe jo tek egoizmi. Është meritë e mazhorancës që i krijoi opozitës kushte për bashkëpunim përpara se të jetë meritë e opozitës që ofroi bashkëpunim pa kushte. Ky proces bashkëpunimi për interesa madhore kombëtare dhe publike nuk mund dhe nuk duhet të jetë një lule në shkretëtirë, të pasohet nga nisma dhe procese të tjera ndryshe nuk do të jetë kurrë i qëndrueshëm.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›