Kryeministri Sali Berisha takohet me homologun kinez, Wen Jiabao

Kina kredi të buta për infrastrukturën, teknologjinë dhe bujqësinë shqiptare
Kryeministri Sali Berisha u takua dje në Pekin me Kryeministrin e Republikës Popullore të Kinës Wen Jiabao. Kryeministri Berisha i shprehu Kryeministrit Wen Jiabao falënderimet për pritjen shumë të ngrohtë dhe miqësore, si dhe për ftesën në Forumin Ekonomik të BOAO-s, një nga forumet ekonomike më të rëndësishme në botë. Intensifikimi i marrëdhënieve dypalëshe, si dhe nxitja e bashkëpunimit dy palësh ishin pjesë e bisedimeve mes dy kryeministrave gjatë këtij takimi. Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë e tij që Kryeministri Wen Jiabao ka pranuar të vizitojë së shpejti Shqipërinë.
Gjatë bisedimeve, Kryeministri Berisha dhe Kryeministri Jiabao u ndalën gjerësisht në zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, duke e konsideruar atë të një rëndësie të veçantë. Kryeministri Berisha siguroi se qeveria shqiptare do të krijojë çdo lehtësi për bizneset kineze që ato të investojnë në Shqipëri. Kryeministri shprehu kënaqësinë që gjatë vizitës në Parkun e Teknologjisë së lartë të Shenzhenit, një ndër më të mëdhenjtë në botë, pati takime me drejtuesit e dy nga korporatat më të mëdha të këtij parku, ZTE dhe Huawey, të cilat tashmë operojnë me sukses në Shqipëri dhe kanë vendosur ta bëjnë Shqipërinë qendrën rajonale të bizneseve të tyre. Kryeministri Berisha i kërkoi Kryeministrit Ëen Jiabao mbështetjen e qeverisë së tij për të inkurajuar bizneset kineze që të investojnë në Shqipëri.
Kryeministri Berisha argumentoi se “Shqipëria është një vend i sigurt, anëtare e NATO-s, çka e bën një vend shumë të sigurt për investitorët kineze”.
Kryeministri Berisha e ka njohur homologun e tij me potencialet e jashtëzakonshme që vendi ynë ka për investime. Kreu i qeverisë ka përfshirë në një spektër më të gjerë një sërë fushash ku dy vendet mund të thellojnë bashkëpunimin ekonomik, si në bujqësi, shëndetësi, arsimi. Në kuadër të zgjerimit të marrëdhënieve kulturore mes dy popujve miq, Kryeministri Berisha vlerësoi se, “nënshkrimi i marrëveshjeve në fushën kulturore dhe atë të shëndetësisë, është një hap i rëndësishëm për intensifikimin e këtyre marrëdhënieve”.
Nga ana e tij, Kryeministri Wen Jiabao, duke vlerësuar lart marrëdhëniet miqësore tradicionale midis Shqipërisë dhe Kinës, e cilësoi vizitën e Kryeministrit Berisha si shumë të rëndësishme. “Kjo vizitë hap një faze të re të bashkëpunimit midis vendeve tona dhe se Kina i vlerëson si shumë të rëndësishme marrëdhëniet midis dy vendeve tona. Kjo vërtetohet edhe nga kontaktet e shpeshta të niveleve më të larta, ku veçohen tre takime të kryeministrave brenda 9 muajve”, tha kryeministri kinez.
Kryeministri i Republikës Popullore të Kinës vlerësoi se marrëdhëniet dypalëshe midis dy vendeve tona janë shumë të mira dhe ato mbështesin njëri-tjetrin në planin shumëpalësh ndërkombëtar. Kryeministri Jiabao u shpreh se Kina mbetet e vendosur të zhvillojë dhe intensifikojë marrëdhëniet politike dhe ekonomike me Shqipërinë. Kryeministri Jiabao theksoi gjithashtu se qeveria kineze është e gatshme të zgjerojë bashkëpunimin ekonomik dhe financiar për të përballuar efektet e krizës ekonomike botërore.
Si një vend me teknologji tejet të zhvilluar, Kryeministri Wen Jiabao theksoi vullnetin e madh të qeverisë së tij për përshpejtimin e programeve për të mbështetur projekte të ndërtimit të infrastrukturës, të teknologjisë së lartë, teknologjisë së informacionit, industrisë minerare, energjetikës e në veçanti zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e bujqësisë. Qeveria kineze është e gatshme t’i japë Shqipërisë kredi të buta për të realizuar këto projekte.
Kryeministri kinez u shpreh se një delegacion ekspertësh nga Kina do të vizitojë shumë shpejt Shqipërinë për të diskutuar mbi projektet në fushën e bujqësisë dhe brenda vitit do të mblidhet në Pekin, komisioni i përbashkët i punës. Gjithashtu, Kina do të shqyrtojë kredi të buta për projektet e modernizimit të doganave, në fushën e shëndetësisë, arsimit, si dhe do t’i akordojë Shqipërisë një grand prej 10 milion Yuen.
Dy kryeministrat dolën në përfundimin se Kina dhe Shqipëria ndajnë interesa dhe pikëpamje të njëjta në planin ndërkombëtar.
Kryeministri Berisha I ka rikonfirmuar homologut të tij qëndrimin e palëkundur të Shqipërisë për një Kinë të vetme, duke e vlerësuar në të njëjtën kohë Kinën si një faktor paqeje dhe stabiliteti në botë. Duke shprehur pikëpamjen e qeverisë shqiptare për këtë çështje, Kryeministri Berisha nuk ka harruar të kujtojë në të njëjtën kohë pavarësinë e Kosovës, duke e vlerësuar atë si një faktor që i shërben forcimit të paqes dhe sigurisë në Ballkan.
Duke e vlerësuar intensifikimin e marrëdhënieve kulturore si mjaft të rëndësishëm, dy kryeministrat ranë dakord të organizojnë veprimtari kulturore për të kremtuar 60 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike midis vendeve tona.
...