E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gjykata e Vlorës dënon Vasil Bollanon. Reagon Kryeministri Berisha

“Interpretimi i ligjeve, me nuanca politike nuk i shërben qëllimit të vendosjes së ligjit”

 “Interpretimi dhe zbatimi i ligjeve, të cilat mund të mbartin nuanca politike dhe arkaike, nuk i shërbejnë qëllimit të vendosjes së ligjit”. Kështu është shprehur dje Kryeministri Sali Berisha, pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit të Vlorës, për heqjen e të drejtës politike dhe elektorale ndaj Kryetarit të Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano 

“Kryeministri Berisha, duke mbetur gjithmonë shumë i ndjeshëm ndaj respektimit dhe garantimit të të drejtave dhe lirive të çdo qytetari, si dhe për respektimin e plotë të pavarësisë së sistemit gjyqësor, mendon se interpretime dhe zbatime të ligjeve, të cilat mund të mbartin nuanca politike dhe arkaike, nuk i shërbejnë qëllimit të vendosjes së ligjit”, bëri ët ditur dje zyra e shtypit e Kryeministrit Berisha nëpërmjet një njoftimi zyrtar për shtyp.

Gjykata e Shkallës së Parë e Rrethit të Vlorës, dënoi dje, me 6 muaj burg dhe 500 mijë lekë, gjobë, kryetarin e bashkisë së Himarës, i cili akuzohej për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Sipas gjyqtarit Shkëlzen Selimi, mësohet se, nga shqyrtimi i çështjes në tërësi dhe nga vlerësimi i provave, rezulton se Vasil Bollano ka shpërdoruar detyrën e tij publike, duke urdhëruar heqjen dhe çmontimin e sinjalistikës rrugore, në segmentin Llogora-Qeparo, pjesë e rrugës kombëtare Vlorë-Sarandë.

Përveç dënimit me 6 muaj burg dhe 500 mijë lekë gjobë, kryebashkiakut himarjot i hiqet edhe e drejta e ushtrimit të funksioneve publike, për një periudhë 3-vjeçare. Në seancën e kaluar, e zhvilluar në datën 7 prill, avokati mbrojtës, Petraq Curri, kërkoi pafajësi për kryetarin e bashkisë së Himarës, duke u shprehur se, akuza ndaj tij, nuk përbën fakt penal. Gjithashtu, avokati mbrojtës, akuzoi prokurorinë, për politizim të çështjes në ngarkim të klientit të tij. 

Në seancën e datës 10 mars, Prokuroria e Vlorës, kërkoi 1 vit burg dhe 500 mijë lekë gjobë, për Bollanon. Gjykimi ndaj Vasil Bollanos ka nisur në muajin korrik të vitit të kaluar. Shkak për këtë çështje, janë bërë dy urdhra të lëshuara prej tij, për policinë bashkiake, në muajt tetor dhe dhjetor të vitit 2007, për heqjen e tabelave në gjuhën shqipe, në aksin rrugor Qeparo-Llogora. Sipas prokurorisë, kjo ka sjellë një dëm prej rreth 1.8 milionë lekësh. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›