Kryeministri Sali Berisha u takua sot në Departamentin e Shtetit nga Sekretarja amerikane e Shtetit, znj. Hillary Clinton
Në prononcimin për media, Zëvendësndihmësi i Sekretares së Shtetit Stuart Jones u shpreh:
Z. Jones: Sekretarja Clinton dhe Kryeministri Berisha patën një takim të shkëlqyer dhe theksuan marrëdhëniet e ngrohta midis dy vendeve.
Kryeministri e falënderoi Sekretaren Clinton për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara ndaj Shqipërisë gjatë këtyre viteve.
Ndërsa Sekretarja Clinton shprehu entuziazmin e saj për pranimin e Shqipërisë në NATO.
Çështja e ligjit të lustrimit u ngrit në takim, Sekretarja Clinton pyeti për të dhe z.Berisha e siguroi atë se nuk do të ketë një gjueti shtrigash, por do të ndiqen të gjitha proceset kushtetuese dhe qeveria nuk do të ndërhyjë në këtë proces. Ne nuk i bëmë ndonjë sugjerim Kryeministrit lidhur me këtë ligj, por ai vetë na dha sigurimet, të cilat ne i mirëpresim.
I pyetur në lidhje me takimin me Sekretaren Clinton, Kryeministri Berisha u shpreh:
Kryeministri Berisha: Ishte një takim i shkëlqyer. Unë rastisa Kryeministri i parë që takonte Sekretaren Clinton dhe shpreha kënaqësinë për këtë moment, sikundër e sigurova Sekretaren se asnjë komb nuk e ka pritur më me kënaqësi emërimin e saj në këtë post, sesa shqiptarët.
Në takim diskutuar dhe konstatuam se marrëdhëniet tona janë të shkëlqyera. Ishte një rast për mua për t’i shprehur mirënjohjen më të thellë Sekretares Clinton dhe qeverisë së SHBA-ve për mbështetjen e jashtëzakonshme që na dhanë në përpjekjet tona për integrimin në NATO. Sikundër Sekretarja shprehu një vlerësim të rëndësishëm, duke u shprehur se është e impresionuar nga rezultatet e reformave në Shqipëri.
Takimi ishte një rast i shkëlqyer për mua për të siguruar Sekretaren se zgjedhjet e ardhshme do të jenë zgjedhje të lira e të ndershme, për të kërkuar vëzhgues nga qeveria e SHBA-ve dhe vendeve të tjera mike që t’i mbikëqyrin, monitorojnë zgjedhjet për të cilat, së pari, qeveria është e angazhuar të nderojë standardet, por të nderojë dhe miqtë kudo në botë.
Sikundër u trajtua problemi i ligjit të lustracionit, një trajtim shumë i hapur miqësor dhe i sigurova Sekretares së Shtetit dy gjëra, së pari, nuk mund të përdoret dhe nuk do të përdoret për gjueti shtrigash për të përkundër kundërshtarëve politikë. Së dyti, çdo gjë do të zhvillohet sipas rregullave të shtetit ligjor. Këto ishin sigurimet e mia që i dhashë Sekretares në një mirëkuptim të plotë dhe se asnjë lloj zgjidhje përveç zgjidhjeve ligjore nuk mund të imagjinohet në këtë rast. Çdo qytetar, i cili preket nga ky ligj, ka të drejtën e tre shkallëve të sistemit gjyqësor, sikundër edhe të shkojë më Strasburg.
Një temë shumë e rëndësishme që diskutova me Sekretaren ishte Afganistani. I shpreha gatishmërinë që Shqipëria të çojë edhe një kompani shtesë. Presidenti Obama dhe administrata e tij janë të përqendruar në Afganistan. Shqipëria ka atje 225 oficerë, nënoficerë dhe ushtarë dhe është e gatshme të shkojë në 350.
Një diskutim të gjerë bëmë për problemin e energjisë. E njoha Sekretaren Clinton me situatën e energjisë dhe të gazsjellësve në rajon, domosdoshmërinë e diversifikimit të këtyre burimeve të furnizimit. Sekretarja tregoi një interes të veçantë për këtë çështje dhe e lamë që të ketë së shpejti takime të mëtejshme mbi të gjitha teknikalitetet e tyre.
Mund të them se ishte një takim i shkëlqyer me një mirëkuptim të plotë. Shqiptarët kanë në këtë administratë miq të mëdhenj e të vërtetë.
Zoti Berisha, a do të pranojë Shqipëria njerëz nga baza e Guantanamos dhe a u kërkua ndonjë premtim nga ana e Sekretares së Shtetit?
Kryeministri Berisha: Edhe një vit më parë, ne kemi qenë për mbylljen e atij burgu, i cili u shndërrua në një simbol të asaj që SHBA-të nuk janë. Kontributi që ne dhamë ishte modest, por jemi shumë të kënaqur që e dhamë dhe e përshëndesim vendimin e Presidentit Obama për mbylljen në afatin e duhur të këtij burgu. Absolutisht, ne jemi në kontakt të vazhdueshëm dhe mund të them se kjo mbyllje është një gjë shumë e mirë.
...