Votimi i projektbuxhetit të Bashkisë së Tiranës, i pavlefshëm
Reagimi i PAD-së TIRANE - Partia Aleanca Demokratike e ka konsideruar të pavlefshëm projektbuxhetin e bashkisë së Tiranës. Kryetari Ekzekutiv i PAD-së, Arben Demeti, deklaroi dje se “votimi i datës 3 shkurt për projektbuxhetin e vitit 2009 të bashkisë së Tiranës është i pavlefshëm dhe përgjegjësia është e kryebashkiakut, Edi Rama, i cili me arrogancën e tij detyroi kryetarin e Këshillit Bashkiak të ndërpresë seancën”. Sipas Demetit “pavarësisht përpjekjeve që po bëhen për ta konsideruar fakt të kryer miratimin e buxhetit të bashkisë së Tiranës, nuk ka asnjë shans që ai të jetë i tillë”. Projektbuxheti i bashkisë së Tiranës për vitin 2009-të ka krijuar debate shumë të forta gjatë mbledhjeve të tij të fundit, duke u rrëzuar disa herë deri më tani, nga votat e këshilltarëve të PD dhe LSI. Në mbledhjen e tretë votimi u anulua për shkak të kaosit të krijuar pas votimit pro në parim të buxhetit. Kryetari i Këshillit Bashkiak, Sokol Dervishaj në atë moment e konsideroi mbledhjen të mbyllur dhe votimin të anuluar.
...