Kryeministri Sali Berisha, vizitë zyrtare në Kosovë, në datat 6 - 7 tetor 2009
Shefi i ekzekutivit, Sali Berisha viziton Prishtinën zyrtare në fillim të muajit të ardhshëm dhe pritet që gjatë kësaj vizite, të nënshkruajë me homologun e tij Thaçi një seri marrëveshjes dy palëshe në fushën ekonomike. Gjithashtu, të dy kryeministrat pritet të nënshkruajnë edhe një marrëveshje të përbashkët për heqjen e barrierave të lëvizjes, për shqiptarët e të dy anëve të kufirit.
Kryeministri Sasli Berisha viziton për të dytën herë që nga marrja e postit të kreut të qeverisë më 3 korrik 2005, shtetin e ri të Ballkanit, Kosovën. Me ftesë të kreut të qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi, Berisha viziton Prishtinën zyrtare në datat 6 dhe 7 tetor. Sipas konfirmimeve zyrtare, gjatë vizitës dy ditore, të dy kryeministrat, Sali Berisha dhe Hashim Thaçi do të nënshkruajnë 6 marrëveshje ndërshtetërore, të cilat kanë të bëjnë me fushën ekonomike.
Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, gëzon një reputacion të madh te populli shqiptar i Kosovës. Që nga përfundimi i luftës, e ka vizituar një herë Kosovën, gjatë mandatit të parë qeverisës, 2005-2009. Gjatë kësaj vizite, Berisha u prit në mënyrë madhështore në Prishtinë, Prizren, Drenicë dhe Gjakovë, ku turma të entuziazmuara qytetarësh shqiptarë të Kosovës, i shprehën falënderimet e tyre, kryeministrit shqiptar, duke e quajtur, si “atin shpirtëror të shqiptarëve”, për mbështetjen e dhënë në drejtim të pavarësisë së Kosovës dhe njohjes së saj në mbarë botën.
Vizita e Berishës më 6 dhe 7 tetor, do të jetë e dyta në këto vite dhe e para që pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.