Brukseli jep garanci për proceset integruese të Shqipërisë dhe njohjen e shtetit të Kosovës

Kryeministri Berisha informon rreth takimeve të tij me kryeministrat e vendeve anëtare të BE-së
Vendet e Bashkimit Evropian, angazhohen denjësisht, për një afrim të shpejtë të Shqipërisë në Union dhe njëherazi, për të lobuar në drejtim të njohjes së pavarësisë së Kosovës. Kreu i qeverisë Berisha, informoi se nga bashkëbisedimet e tij me kryeministrat e BE, ka marrë garancinë për shqyrtimin e kërkesës për statusin kandidat dhe liberalizimin e vizave, brenda të gjitha kushteve kohore të paracaktuara.
Kryeministri Sali Berisha u shpreh gjatë një interviste për “Zërin e Amerikës”, se në takimet e tij me përfaqësues të kancelarive perëndimore, ka marrë garanci për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe njëherazi edhe për njohjen e pavarësisë së Kosovës. “Në këto takime pata mundësi të jashtëzakonshme dhe një rast shumë të mirë për të lobuar për pavarësinë e Kosovës. Mendoj se reformat e këtyre katër viteve shkojnë në drejtim të objektivave të mijëvjeçarit, problemi i dytë madhor që unë trajtoj në fjalinë time është një apel drejtuar çdo anëtari për pavarësinë e Kosovës mbasi ky hark kohor fakton se pavarësia e Kosovës ka sjellë paqe, stabilitet në Ballkan. Ka sjellë ulje të madhe të tensioneve ndër etnike në Kosovë fakti është se nga Kosova nuk largohen serbët. Përkundrazi po kthehen dhe kjo në serë të një përpjekje të madhe të autoriteteve të EULEKS-it që po bën një punë të admirueshme për konsolidimin e shtetit ligjor në institucionet demokratike. Pata biseda të shumta me kryetarë shtetesh e qeverish, të përqendruar në integrimin evropian të vendit, nga të cilët mora siguri të plotë se ky integrim po ecën normalisht në të gjitha stadet e vendimmarrjes”, u shpreh kryeministri Berisha.
Duke folur për takimin me presidentin Obama, shefi i qeverisë deklaroi se kishte marrë premtimin për një vizitë të tij në Tiranë.
“Pata një takim të shkurtër me Obamën. Presidenti vlerësoi anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe më siguroi se do të vizitojë Shqipërinë dhe ky është një premtim i rëndësishëm”, u shpreh Berisha.
Ndërkaq, kryeministri Berisha që nga Shtetet e Bashkuara i kërkoi opozitës të respektojë zgjedhësit dhe të kthehet në parlament. “Mbetemi të hapur të bashkëpunojmë me opozitën, të cilën në parlament nuk e ka caktuar qeveria, po ata që kanë votuar kundër qeverisë. Mendoj se është një detyrim ndaj elektoratit dhe vendit në tërësi për të ndërmarrë përgjegjësitë parlamentare”, theksoi Berisha.
Shqipëria vë në dispozicion të Bosnjës, ekspertizën e saj, për integrimin euro-atlantike
Në vijim të vizitës së tij në New York, kryeministri Sali Berisha, zhvilloi një takim me Presidentin e Bosnje Hercegovinës, Zeljko Komsic. Gjatë takimit, kryeministri Berisha dhe presidenti boshnjak Komsiç u shprehën se është një kënaqësi që marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të mira, veçanërisht ato politike. Të dyja palët ranë dakord, gjatë bisedës, që të punohet përmes vizitave të nivelit të lartë, për intensifikimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ekonomik me interes të përbashkët, në kuadër të një bashkëpunimi mjaft të rëndësishëm rajonal. Kryeministri Berisha theksoi se Bosnjë Hercegovina ka bërë hapa përpara në rrugën e saj drejt integrimit në NATO dhe Shqipëria do të mbështesë integrimin e saj në strukturat euroatlantike.
Gjithashtu, kryeministri Berisha dhe presidenti Kosmiç nënvizuan se Shqipëria dhe Bosnje Hercegovina ndajnë bashkë objektivin madhor të anëtarësimit në NATO dhe si rrjedhim edhe përmbushjen e standardeve dhe kritereve për realizimin e këtij objektivi, ndaj bashkëpunimi dhe ndarja e eksperiencës reciproke është shumë e rëndësishme.
Kryeministri Berisha e njohu Presidentin Kosmiç me reformat dhe arritjet në fushën ekonomike, duke nënvizuar se disa kompani të vendit mik tashmë operojnë me sukses në Shqipëri dhe se Shqipëria mirëpret dhe mbështet që të tjera kompani të vijnë e të investojnë, duke shfrytëzuar potencialet e mëdha të vendit në fusha të ndryshme si turizmi, infrastruktura, energjia etj.
Presidenti i Bosnjë Hercegovinës falënderoi kryeministrin Berisha për mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin e saj në NATO dhe u shpreh se rruga e përbashkët duhet të jetë drejt Bashkimi Evropian dhe se ai mbështeste projektet rajonale të cilat do të ndihmojnë në realizimin e këtyre qëllimeve madhore.
Berisha merr mesazhe urimi, nga kryeministri i Hungarisë, Polonisë dhe Ukrainës
Në kuadër të urimeve për rikonfirmimin në detyrën e kryeministrit të vendit, Sali Berisha ka marrë dje urime nga homologu i tij hungarez, polak dhe nga kryeministrja e Ukrainës. Kryeministri i Republikës së Hungarisë Gordon Bajnai, në urimin e tij drejtuar kryeministrit Berisha, shprehet se “mbështetja e perspektivës evropiane të Republikës së Shqipërisë, aleates sonë në NATO, mbetet në fokusin e politikës së jashtme të Hungarisë”.
Ai garanton se Shqipëria do të ketë mbështetjen e vazhdueshme të Hungarisë në këtë drejtim në çdo forum të rëndësishëm.
Ndërsa kryeministri polak Donald Tusk, përmes një mesazhi urimi drejtuar kryeministrit Berisha për riemërimin si Kryeministër i Shqipërisë, thekson se kursi i reformave euro-atlantike të Shqipërisë, do të sjellë domosdoshmërish rritjen ekonomike dhe rritjen e begatisë së qytetarëve shqiptarë.
Edhe kryeministria e Ukrainës, Yulia Tymoshenko, ka uruar kryeministrin Berisha për rizgjedhjen në këtë detyrë. Ajo thekson se “rezultatet që paraprinë katër vitet e punës suaj në krye të qeverisë së Shqipërisë kanë treguar sukses thelbësor në zhvillimin dhe reformimin e vendit, në rrugën drejt integrimit euro-atlantik”, shprehet më tej në mesazhin e saj, kryeministrja e Ukrainës, Yulia Tymoshenko.
OKB miraton qëndrimin e palës shqiptare
Delegacioni i Kosovës ndjek fjalimin e Berishës në Asamble - nuk merret parasysh protesta e serbëve
Gjatë seancës së djeshme në OKB, ku Kryeministri Sali Berisha do të mbante fjalimin në seancën e 64-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, delegacioni shqiptar në përputhje me procedurat e sekretariatit të OKB-së, kishte ftuar që të ndiqte fjalimin e Kryeministrit edhe Ministrin e jashtëm të Kosovës, Z. Hyseni dhe stafin e tij.
Delegacioni serb protestoi për këtë fakt dhe kërkoi nga protokolli i sekretariatit të OKB-së që t’i nxirrte ata jashtë me pretendimin se Ministri i Jashtëm i Kosovës me bashkëpunëtorët e tij nuk duhet të qëndronin aty. Delegacioni shqiptar kundërshtoi vendosmërisht këtë pretendim të delegacionit serb me argumentin se të gjithë ata që janë të ftuar nga delegacioni shqiptar kanë të drejtë të jenë aty.
Sekretariati i OKB-së miratoi qëndrimin e delegacionit shqiptar dhe vendosi që Ministri i jashtëm i Kosovës dhe bashkëpunëtorët e tij të qëndronin në sallën e OKB-së për të ndjekur fjalën e kryeministrit të Shqipërisë.