E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri: Shtëpia në Pezë do të mbetet muze

Ministri i Kulturës: E dimë që shtëpia-muze nuk është e Edi Ramës

Shtëpia ku është zhvilluar Konferenca e Pezës është kthyer në mollë sherri edhe në seancën e djeshme plenare. Kryeministri Sali Berisha pohoi se po i kthen asaj shtëpie vlerat e saj të vërteta, ndërkohë që opozita e kundërshton këtë gjë me qëllimin e vetëm që të dalë kundër tij. Unë shtëpinë-muze në fshatin Pezë e ktheva në muze, duke njohur vlerat edhe kjo nuk ju leverdis. Në vend të më falënderonit për vlerësimin që po i bëja, ju reagoni. Ja ku ju çon antiberishizmi, ju çon të ngriheni kundër atyre që nuk mund të ngriheni kurrë. Nuk është vendim qesharak shpallja e asaj shtëpie-muze ku u themelua fronti pluralist antifashist shqiptar. Ajo shtëpi do shndrisë si margaritar në historinë e popullit shqiptar. Për ju nuk ka rëndësi kjo, ka rëndësi destinacioni tjetër. Këtë sjellje e keni kudër meje ju, por mos ngatërroni Pezën me mua. Peza është trashëgimia historike e shqiptarëve. Unë e shpalla shtëpinë në Pezë muze dhe korrigjova gabimet e bëra, ajo shtëpi do mbetet muze, - tha ai gjatë seancës së djeshme plenare. Më tej, Berisha ka theksuar se momenti në të cilin ndodhet Shqipëria, ka nevojë për zërin e fuqishëm të Parlamentit, opozitës, qeverisë e shoqërisë civile. Rruga që kemi përpara, nuk është e lehtë, kemi një univers standardesh, kriteresh për ti vendosur në këtë vend. Është në detyrën tonë më madhore të bashkëpunojmë në vendosjen e këtyre standardeve. Nuk ka asgjë më të papranueshme sesa të mos punohet bashkërisht në këtë drejtim. Besoj se gjithë këta muaj janë një periudhë në të cilën mund të nxjerrim konkluzione të drejta për të ecur përpara. Beteja me mullinjtë e erës nuk zhvillohen, jepini fund antiberishizmit, mos e vendosni si parim tuajin, - deklaroi Berisha. Duke iu përgjigjur deklaratës së Kryeministrit Berisha në Kuvend, kreu i grupit socialist, Gramoz Ruçi, nënvizoi domosdoshmërinë e zgjidhjes së ngërçit politik, kur kanë kaluar 2 javë nga darka e Strasburgut. Plotësoni detyrat e shtëpisë që ju dikton Brukseli dhe zgjidhni situatën politike. Pa këto kushte, ju jeni fajtor i vrasjes së kësaj ëndrre, - tha Ruçi.

Ministri i Kulturës: E dimë që shtëpia-muze nuk është e Edi Ramës

Vendimi për ta kthyer shtëpinë-muze të Konferencës së Pezës nën administrim të Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Tiranë nuk cenon aspak pronësinë e shtëpisë, as banimin e saj. Kjo ka qenë deklarata e djeshme e ministrit të Kulturës, Ferdinand Xhaferri, duke shtuar se kjo ministri, por edhe institucionet e tjera partnere me të, nuk disponojnë asnjë dokument zyrtar, se në këtë shtëpi banon kryetari i Bashkisë së Tiranës, sikurse kanë deklaruar disa media. Xhaferri ka thënë se kjo shtëpi ka vijuar të jetë shtëpi-muze, monument kulture e mbrojtur nga shteti, ndërkohë që në vitin 2006 ka pasur një propozim për ta hequr nga lista e monumenteve të kulturës. Po në vitin 2006, Edi Rama, për shkaqe të dyshimta, në kundërshtim me Kushtetutën e vendit dhe ligjet për qeverinë vendore, propozon që kjo shtëpi-muze të kalojë në inventarin e pronave në përgjegjësi territoriale dhe administrative të Bashkisë Tiranë. Ministri i Kulturës ka theksuar se qeveria në asnjë rrethanë nuk mund të transferojë prona të një bashkie apo komune, në një bashki apo komunë tjetër. Ndërkohë që propozimi për heqjen e shtëpisë-muze nga lista e monumenteve të kulturës nuk u legjitimua nga urdhri përkatës që del në çdo rast të ngjashëm. Për këto arsye, Xhaferri tha se MTKRS propozoi rikthimin e shtëpisë-muze nën administrimin e Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Tiranë. Në këtë shtëpi-muze, që ndodhet në qendër të komunës së Pezës, 17 km nga Tirana, më 16 shtator të vitit 1942, u mblodhën të gjitha forcat politike të vendit dhe themeluan Frontin Nacionalçlirimtar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›