E Diel, 1 Nëntor 2026

Debati për pagat, Topalli: Nuk ka dieta për ditët e grevës

Deputetët e PS-së, debate për rrogat e tyre

Mosmarrja e rrogës së plotë dhe e dietave ishin shqetësimi i radhës i deputetëve socialistë. Gjatë seancës së djeshme plenare ata kanë debatuar me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, duke e akuzuar atë se ka shkelur ligjin për statusin e deputetit apo Rregulloren e Kuvendit, duke mos u dhënë dietat që u takojnë. Madje, nuk kanë kursyer as fyerjet ndaj saj. Por kryeparlamentarja theksoi se administrata ka respektuar statusin e deputetit dhe Rregulloren e Kuvendit. Sipas saj, nuk mund të ketë dieta për ditët e grevës, ky është një parim që nuk mund të shkelet.

Debatet

Ka qenë deputeti socialit Arben Ahmetaj, i cili gjatë debatit të lirë në Kuvend si një çështje me rëndësi, ka theksuar dhe atë të mosmarrjes së dietave të deputetëve. Duke e konsideruar këtë si një sulm ndaj opozitës, Ahmetaj tha se kryetarja e Kuvendit do që opozita mos të funksionojë. Sulmi që i bën statusit të deputetit, trajtimit ligjor, matja e orarit sikur ne të ishim sekretarët e tu, refuzimit që i bën mbështetjes me logjistikë, vjedhjet që i bën rrogës së secilit prej nesh është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj opozitës dhe parlamentarizmit, - tha ai. Por kryeparlamentarja theksoi se në çdo rast është respektuar vetëm ligji, ndërsa mbështeti administratën. Më lejoni që të mbështes tërësisht administratën, meqenëse i keni bërë jashtëzakonisht presion për dietat që nuk ju kanë dhënë ju. Unë mendoj se administrata ka vepruar drejt, se një grevë pa vënë gjë në gojë dhe me marrë dieta nuk mund të shkojë. Kështu që ju kërkoj që ti kërkoni ndjesë administratës së Kuvendit, - tha ajo. Akuzat ndaj kryeparlamentares kanë vijuar nga deputeti Damian Gjiknuri, i cili duke qëndruar në një linjë me kolegun e tij, pohoi se Topalli po i mohon çdo të drejtë të opozitës. Sipas tij, të gjithë deputetët janë të barabartë dhe instrumentet financiare nuk janë teka, por instrumente për të ushtruar funksionin e tyre. Kryetarja e Kuvendit ritheksoi se ajo do të respektojë në çdo pikë statusin e deputetit, ndërsa shprehu kënaqësinë që opozita ishte e pranishme për të diskutuar. Topalli theksoi se shpreson se salla e Kuvendit do të jetë vendi ku do të bashkëpunohet për të ardhmen. Më vjen mirë se ju jeni të pranishëm në Parlament. Jemi tamam një vit pas zgjedhjeve që ju shoh se jeni përgatitur për të diskutuar, më bëhet qejfi. Jam e hapur për të respektuar çdo të drejtë tuajën që ju jep statusi i deputetit, rregullat i respektoj pavarësisht se mund të mendohet ndryshe. Dhe unë uroj që kjo sallë parlamenti të jetë një sallë ku të bashkëpunohet për reforma të rëndësishme në funksion të detyrës sonë kryesore. Nuk e fsheh, pas një entuziazmi të jashtëzakonshëm pas datës 27 maj dhe 2 qershorit të samitit ë Sarajevës, ku u theksua për të disatën herë vendim për liberalizimin e vizave dhe u thanë fjalët më të mira për punën e kryer nga qeveria dhe Parlamenti, - tha ajo. Por deputeti Taulant Balla nuk u mjaftua me kaq, por deklaroi se shumë shpejt do të bëhen transparente dhe dietat e kryetares së Kuvendit. Madje, ai nuk kurseu edhe epitetet dhe fyerjet ndaj kryeparlamentares. Në përgjigje të tij Topalli theksoi: Ju garantoj se statusi i deputetit dhe Rregullorja e Kuvendit do të respektohet pikë për pikë. Dieta për ditët e grevës nuk mund të ketë. Ndërsa i bëri thirrje opozitës të mos sulmojë administratën e Kuvendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›