Vizat, ministrat e BE-së dyshime për kushtet

Këshilli i Ministrave të BE-së: Duhet ende kohë, plotësoni kriteret e mbetura
BRUKSEL - Qëndrimi i djeshëm i 27 ministrave të Brendshëm të Bashkimit Europian mbi procesin e liberalizimit të vizave ka zbehur entuziazmin e qeverisë shqiptare se ky proces është i pandalshëm.
Ministrat e Brendshëm europianë gjatë diskutimit në mbledhjen për çështjen e heqjes së vizave me Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën janë shprehur skeptikë për përfundimin sa më parë të këtij procesi, duke theksuar se këtyre vendeve u nevojitet ende kohë për të plotësuar kriteret e mbetura.
Komisioneria për Çështjet e Brendshme dhe Sigurinë në Bashkimin Europian, Sesilia Malmstrom, specifikoi se Këshilli i Ministrave do ta shqyrtojë aspektin e liberalizimit të vizave kur grupet e ekspertëve do të sjellin raportin mbi ecurinë e Bosnjës dhe Shqipërisë për plotësimin e kushteve të mbetura.
Pas këtij raporti, sipas Malmstrom, Këshilli i Ministrave të Brendshëm të BE-së do të përpilojë një vlerësim të tij bazuar në përmbushjen e kritereve nga dy vendet.
"Mbi propozimin për kushtëzimin e vendimit për liberalizimin e vizave me Shqipërinë e Bosnjën që prezantova, patëm diskutime mjaft të mira dhe natyrisht që Këshilli do t'i kthehet kësaj çështjeje sapo ne t'i kemi dërguar grupet përfundimtare të ekspertëve e ta kemi përpiluar vlerësimin tonë pas verës", - tha Malmstrom.
Ndërsa ministri i Brendshëm i Spanjës, Alfredo Perez Rubalcaba, vendi i të cilit kryeson edhe presidencën e radhës së Bashkimit Evropian saktësoi se disa vende janë mosbesuese ndaj procesit të heqjes së regjimit të vizave me dy vendet e mbetura të Ballkanit Perëndimor, pasi sipas ministrit të Brendshëm spanjoll, ka një mëdyshje nëse këto dy shtete do të arrijnë të plotësojnë kriteret e mbetura në afatin e përcaktuar.
"Të gjithë janë pro liberalizimit të vizave, por disa vende anëtare janë më mosbesuese, sepse dyshojnë që këto dy vende të kenë kohën e mjaftueshme për t'i përmbushur objektivat që u kemi vënë në afatin e përcaktuar.
Ne u kemi kërkuar atyre që të bëjnë përpjekje të mëdha për përmbushjen e kritereve në vjeshtë, e Komisioni dhe ne, këtë çështje do ta vëzhgojmë nga afër", - theksoi Rubalcaba. Ai shtoi se disa vende anëtare kërkojnë që Shqipërisë dhe Bosnje-Hercegovinës u nevojitet ende kohë për të plotësuar kriteret e mbetura.
Ai vuri në dukje se këto dy vende kanë bërë progres, por, sipas tij, BE-ja shpreson që kushtet të plotësohen në sezonin e vjeshtës në mënyrë që edhe vendimi përfundimtar për heqjen e regjimit të vizave të merret në çastin e duhur.
"Këtë mëngjes nuk dëgjova ndonjë rezervë politike, të gjithë ishin pro liberalizimit, megjithëse disa vende anëtare u shprehën se shpresonin që këto dy shtete të kenë kohën e mjaftueshme për të përmbushur kushtet. Komisioneria na raportoi për situatën. Presidenca e Komisioni ndan të njëjtin mendim se Shqipëria e Bosnja kanë bërë përpjekje e kanë ende një copë rrugë për të bërë.
Ndaj, ne shpresojmë se ata do t'i përmbushin të gjitha kushtet nga vjeshta, në mënyrë që të konkludohet kënaqshëm me liberalizimin e vizave në momentin e duhur", - u shpreh ministri i Brendshëm spanjoll, Rubalcaba.
Në diskutimin midis tyre, ministrat e Brendshëm të BE-së nuk kanë rënë dakord me propozimin e Sllovenisë, që vendimi për liberalizimin e vizave të kalojë në muajin shtator, në Këshillin e parë Europian, i cili është ai i ministrave të Bujqësisë si Pikë A, që do të thotë se çështja e heqjes së vizave nuk do të jetë në axhendën e Këshillit të Ministrave të Brendshëm përgjatë muajit shtator.
Një nga vendet që është dyshuese në heqjen sa më parë të vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën, është edhe Belgjika, e cila pas datës 1 korrik merr presidencën e radhës për 6-mujorin e dytë të këtij viti.
**********************
Sipas zv.kryeministrit Ilir Meta, çështja e liberalizimit të vizave është e bazuar në kritere teknike
Meta: Zgjidhja e krizës, jo me ultimatumet e PS-së
TIRANË - Ministri i Jashtëm dhe njëherësh zëvendëskryeministri Ilir Meta theksoi dje se ndikimi i faktorit ndërkombëtar që pas darkës së Strasburgut krijon mundësinë për zgjidhjen e krizës politike jashtë çdo ultimatumi apo tendence politike të opozitës. Sipas Metës, presioni i faktorit ndërkombëtar do të rrisë përgjegjësinë tek liderët politikë shqiptarë për të gjetur dialogun politik midis tyre.
Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët ai vuri në dukje se afati dyjavor i faktorit ndërkombëtar, i cili skadon ditën e sotme nuk duhet të perceptohet si ultimatum nga opozita dhe sjellja e saj në këtë mënyrë, sipas Metës, nuk i shërben as dialogut dhe as integrimit të vendit në Bashkimin Europian.
"Besoj se takimi i zhvilluar në Strasburg, përpjekjet e vazhdueshme që janë bërë dhe bëhen nga përfaqësues të Parlamentit Europian apo të komunitetit ndërkombëtar do të vijojnë dhe njëkohësisht së bashku me to do të rritet edhe përgjegjësia për të vendosur një dialog politik të qëndrueshëm, larg kushteve dhe ultimatumeve të pa nevojshme, të cilat më shumë se sa përparimin e dialogut politik synojnë realizimin e tekave apo kapriçove individuale që nuk tregojnë as pjekuri politike, as përgjegjshmëri politike dhe as vendosje të interesave të vendit dhe të integrimit Europian, që është një interes kombëtar për gjithë qytetarët shqiptar, pikërisht në vendin e parë", - tha dje Meta.
Numri dy i qeverisë tha se opozita duhet të heqë dorë nga ultimatumet dhe të pranojë ofertat e mazhorancës.
Meta specifikoi se zgjidhja e situatës politike mund të vijë vetëm sipas formulës së njohur tashmë të shumicës, që opozita duhet ta shqyrtojë çështjen e transparencës së zgjedhjeve në përputhje me legjislacionin shqiptar, Kodin Zgjedhor dhe Kushtetutën e vendit. "Duhet hequr dorë nga ndikime dhe qëndrime tekanjoze, të cilat janë jashtë logjikës së dialogut dhe frymës së një zgjidhje demokratike dhe konstruktive.
Kushtetuta e Shqipërisë, Kodi Elektoral, i gjithë legjislacioni ynë u jep zgjidhje dhe përgjigje të gjithë pretendimeve të ngritura nga lidershipi i opozitës për t`i njohur, për t`i respektuar këto institucione që janë të përbashkëta dhe për të shfrytëzuar të gjithë hapësirën që lë kushtetuta e vendit", - u shpreh ai.
Me gjithë apelin e zyrtarëve të BE-së se zgjidhja e krizës politike duhet të arrihet përpara shqyrtimit të rekomandimit për heqjen e regjimit të vizave nga Parlamenti Europian, Meta nënvizoi se heqja e vizave mbështetet në një procedurë tërësisht teknike.
"Çështja e liberalizimit të vizave është tërësisht e bazuar mbi kritere dhe standarde konkrete dhe teknike që duhen plotësuar. Shqipëria i ka plotësuar pothuajse të gjitha përveç tre elementeve të caktuar që janë në proces dhe ku ne vazhdimisht vazhdojmë të raportojmë lidhur me përmbylljen e tyre përfundimtare", - tha ai.
Megjithatë, sipas zëvendëskryeministrit Meta, mosarritja e një dialogu politik midis shumicës dhe opozitës ndikon negativisht në funksionimin dhe qëndrueshmërinë e institucioneve të vendit, si Parlamenti, apo problemet, që mund të shfaqen në fushën e sistemit të drejtësisë dhe gjyqësorit.