Skadon afati, Berisha: Rama të pranojë paketën time

Vijojnë negociatat mes dy partive kryesore në vend. Përpos deklaratës së kryeministrit Berisha, deri më tani dy partitë kryesore nuk kanë asnjë variant konkret
TIRANË - Kur ditën e sotme përfundon afati i ndërkombëtarëve për zgjidhjen e ngërçit politik, që pas darkës së Strasburgut, mazhoranca kërkon t'i imponojë opozitës një paketë për zgjidhjen e krizës politike.
Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje se mazhoranca e ka gati paketën dhe se Rama duhet ta pranojë. Por, më shumë sesa një variant konkret i propozuar nga kryeministri Berisha deklarata e këtij të fundit ka qenë më shumë një shashke e radhës, e cila për interesin e tij përkon pikërisht me skadimin e afatit të lënë nga ndërkombëtarët për zgjidhjen e krizës, që prej darkës së Strasburgut.
Burime nga PD-ja thanë për gazetën se në tryezën e bisedimeve ekzistojnë disa variante të propozuara si nga PS-ja, PD-ja, por edhe vetë ndërkombëtarët dhe se asnjëra prej tyre nuk dominon mbi tjetrën.
Përpos negociatave intensive dhe jo publike, deri më tani dy partitë kryesore në vend nuk kanë gjetur kompromis dhe ngërçi kryesor i bisedimeve qëndron pikërisht tek mënyra se si do të procedohet për fletët e votimit. Të dy partitë kryesore në vend janë dakord për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar.
Edhe PD-ja, ashtu si edhe PS-ja, pranon që shumicën dhe kryesimin e tij ta udhëheqë opozita. Ky komision, sipas variantit të PD-së, autorizohet që të hapë kutitë e materialeve zgjedhore, por më short.
Nëse gjatë shqyrtimit të materialeve zgjedhore, komisioni hetimor do të nxjerrë në pah probleme, atëherë për fletët e votimit, çështja dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, e cila, nëse e shikon të arsyeshme, mund t'i kërkojë mendim Komisionit të Venecias.
Por, PD-ja ka edhe një variant b për fletët e votimit, ajo e djegies së tyre në momentin që hapen kutitë e materialeve zgjedhore. Variantet e huazuara nga të dy partitë kryesore në vend po diskutohen gjerësisht nga përfaqësues të dyja partive. Ndërsa kreu i qeverisë e ka ftuar liderin e Partisë Socialiste, Edi Rama, që të shqyrtojë ofertat e mazhorancës.
"Ajo çka dua të theksoj këtu dhe besoj se përgjigjet janë dhënë të qarta, por e ftoj zotin Rama që me realizëm, me vështrim dhe analizë realiste, në interesin më të mirë të partisë që përfaqëson, të mos refuzojë paketën e ofertës së mazhorancës, e cila udhëhiqet fund e krye nga respekti i palëkundur për opozitën, rolin dhe bashkëpunimin me të", - tha dje Berisha.
Duke iu referuar propozimit, që shumicën dhe kryesimin në komisionin parlamentar për hetimin e zgjedhjeve ta posedojë opozita, numri një i ekzekutivit vuri në dukje se pushteti politik që ai drejton nuk ka asnjë detyrim ligjor për ta kryer këtë ofertë, por, sipas Berishës, ai niset nga detyrimi dhe respekti për opozitën me qëllim arritjen e një kompromisi politik, i cili në vetvete kërkon të jetë një imponim ndaj spektrit të majtë.
"Në këtë ofertë, cilido që e shqyrton konstaton se kjo mazhorancë nuk ka asnjë detyrim ligjor për asnjërën nga premtimet e kësaj oferte, por kjo mazhorancë e bën atë në respektin më të madh për opozitën dhe interesin më të mirë të shoqërisë dhe të vendit", - u shpreh ai.
Deputeti i PS-së, Ditmir Bushati, tha se zgjidhja ekziston dhe se Berisha duhet ta pranojë
Kriza, PS-Berishës: Zgjidhjen e ke në tavolinë
TIRANË - Ndryshe nga qëndrimi i kryeministrit Sali Berisha se opozita duhet të pranojë ofertën e mazhorancës, zyrtarë të Partisë Socialiste shprehen se zgjidhja ekziston tashmë në tavolinën e kryeministrit. Duke përshëndetur punimet e Samitit të Sarajevës, deputeti i PS-së, Ditmir Bushati, deklaroi se Kryeministri Berisha e ka një zgjidhje në tavoline dhe ai duhet ta pranojë atë.
"Ne vlerësojmë mbështetjen e Bashkimit Europian për ndërmarrjen e reformave që kanë të bëjnë me konsolidimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës dhe zhvillimin ekonomik e social të Shqipërisë dhe vendeve të rajonit si e vetmja mënyrë që garanton demokratizimin dhe europianizimin e Ballkanit Perëndimor.
Ne falënderojmë partnerët europianë për mbështetjen e posaçme që po i japin procesit të liberalizimit të vizave dhe procesit të kandidimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, por shprehim shqetësimin tonë për pengesat që po i vë këtij procesi në vijimësi zoti Berisha", - tha ai.
Në të njëjtën kohë, Bushati shtoi se PS-ja e konsideron shtyrjen e miratimit të Rezolutës së Parlamentit Europian për ecurinë e progresit të Shqipërisë si një shans të dytë për reflektim që po i jepet kryeministrit. "Shpresojmë që ai të dijë ta shfrytëzojë këtë shans, duke bërë hapa konkretë drejt kompromisit që garanton transparencën kushtetuese të zgjedhjeve të 28 qershorit...
Partia Socialiste i ka bërë të gjitha hapat e saj, duke pranuar kompromisin për hir të interesit të madh publik që edhe transparenca të bëhet, edhe vizat të liberalizohen, edhe kushtet për reformat e integrimit të krijohen", - tha ai, duke shtuar se Berisha duhet të qetësohet dhe të pranojë zgjidhjen në tavolinë.
Variantet
Ndërkohë, deri më tani në tryezën e negociatave janë diskutuar disa variante lidhur me transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Në këto bisedime janë përfshirë edhe ndërkombëtarët, të cilët edhe ata kanë një variant në funksion të zgjidhjes së krizës. Sipas këtij varianti, opozita duhet të ketë shumicën dhe drejtimin në komisionin hetimor parlamentar.
Ky komision duhet të hapë kutitë e materialeve zgjedhore, ndërkohë që gjatë kësaj periudhe procedura për fletët e votimit duhet të ngrihet. Në rast se ka probleme gjatë shqyrtimit të materialeve zgjedhore atëherë për fletët e votimit duhet të vendosë Venecia. Në të kundërt, ato duhet të asgjësohen.
Deri diku më këtë variant është bashkuar edhe PS-ja. Por, ajo ku ndahen edhe pikërisht rruga se si do të shkohet drejt Komisionit të Venecias. PS-ja paraprakisht propozon që të jetë komisioni hetimor parlamentar që përmes një rezolute, të autorizojë kryetaren e Kuvendit që kjo e fundit t'i drejtohet Komisionit të Venecias për fletët e votimit.
Varianti i ndërkombëtarëve
Kreun e komisionit hetimor ta ketë opozita
Shumicën e komisionit ta ketë opozita
Hapjen e kutive të materialeve zgjedhore
Ngritjen e fletëve të votimit sa të shqyrtohen materialet zgjedhore
Nëse nuk ka probleme fletët të asgjësohen. Nëse ka probleme, atëherë i kërkohet mendim Komisionit të Venecias
Varianti i PS-së
Kreun e komisionit hetimor ta ketë opozita
Shumicën e komisionit ta ketë opozita
Hapjen e kutive dhe shqyrtimin e materialeve zgjedhore
Për fletët e votimit, komisioni hetimor të dalë me një rezolutë ku të autorizojë kryetaren e Kuvendit që t'i drejtohet Komisionit të Venecias
Varianti i PD-së
Kreun e komisionit hetimor ta ketë opozita
Shumicën e komisionit ta ketë opozita
Hapjen e kutive dhe shqyrtimin e materialeve zgjedhore me short
Fletët e votimit
Varianti a) Për fletët e votimit çështja të shkojë në Gjykatën Kushtetuese dhe nëse kjo e fundit e gjykon të arsyeshme i kërkon mendim Komisionit të Venecias
Varianti b) Fletët e votimit do të digjen nën mbikëqyrjen e KQZ-së në momentin kur do të hapen kutitë e materieve zgjedhore