Kryeministri bullgar: Gruevski ka përgjegjësi, Maqedonia u turpërua
Autoritetet bullgare kanë kërkuar që edhe zyrtarët maqedonas të mbajnë përgjegjësi për tragjedinë e Ohrit, mes tyre edhe kryeministri Nikolla Gruevski. Deklaratën e ka bërë Kryeministri i Bullgarisë Bojko Borisov. Ai ka kërkuar që Gruevski dhe disa nga ministrat e tij të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre për tragjedinë e Ohrit, ku humbën jetën 15 turistë bullgarë. "Maqedonia edhe me këtë rast u turpërua", tha Kryeministri Borisov. Në kryeqytetin e Maqedonisë mbërriti dje zëvendës/kryeprokurori i Bullgarisë, Kamen Stinilski, i cili do të bisedojë me Prokurorin shtetëror të Maqedonisë, Lupço Shvërgovski mbi hetimet e zhvilluara deri më tani. Të afërmit e 15 turistëve bullgarë, të cilët humbën jetën gjatë fundosjes së anijes 85-vjeçare, "Ilinden" duhet të identifikonin kufomat e familjarëve të tyre, që ndodheshin në morgun "Butel". Homazhet e para për ta u kryen dje në katedralen e Sofjes të iniciuara nga presidenti bullgar. Hetimet janë marrë përsipër nga një komision ekspertësh lundrimi nga Maqedonia, Bullgaria dhe nga Kroacia. Sipas ekspertëve bullgarë, anija nuk do të nxirret nga ujërat e Liqenit të Ohrit deri pasnesër, pasi po përgatitet plan i hollësishëm për mënyrën se si do të nxirret ajo. Sipas RTK, komisioni i përzier ka vendosur që të kryhet xhirim plotësues nënujor në 12 pika të anijes së fundosur, të cilat llogariten si të rëndësishme për hetimin. Deputetët e Maqedonisë mbajtën një minute heshtje për të nderuar 15 turistët bullgarë, të cilët humbën jetën në ujërat e Liqenit të Ohrit. Në Ambasadën bullgare në Shkup është hapur Libri i zisë.