Kryeministri buqete me lule ne nderim te viktimave ne Himare
Kryeministri, Sali Berisha gjatë vizitës së tij në qytetin bregdetar të Vlorës, vizitoi dhe vendin ku ndodhi aksidenti tragjik dhe vendosi një buqetë me lule, në nderim të 13 qytetarëve që humbën jetën.
Ndërkohë, kreu i ekzekutivit u ndal në qytetin e Himarës, ku zhvilloi një takim me autoritetet lokale të Bashkisë së Himarës, Kryetarin e Këshillit të Qarkut të Vlorës, z. Anesti Dhimojani dhe mjekun e Spitalit të Himarës, Spiro Guta, për t’i falënderuar ata, të cilët, së bashku me shumë qytetarë të zonës, dhanë ndihmën e parë për të shpëtuar të plagosurit e aksidentit tragjik të ndodhur disa ditë më parë në Himarë.
Kryeministri i shprehu edhe njëherë mjekut Guta, ekipit të tij mjekësor, strukturave dhe qytetarëve të Himarës, falënderimet dhe mirënjohjen më të thellë të të gjithë shqiptarëve për reagimin e shpejtë, ndihmën eficente dhe të përgjegjshme që ata bënë, reagim, që sipas tij, shpëtoi shumë jetë, sepse nëse nuk do ishte ajo ndihmë e parë, ajo nxjerrje nga rrënojat e autobusit, ndoshta jetë të tjera do kishin humbur.
“Dua t’ju shpreh edhe njëherë falënderimin dhe mirënjohjen më të thellë të të gjithë shqiptarëve, për reagimin e shpejtë, eficent, njerëzor, të përgjegjshëm që bënë qytetarët e Himarës ndaj asaj tragjedie shokuese për të gjithë shqiptarët, reagim i cili shpëtoi shumë jetë, sepse nëse nuk do ishte ajo ndihmë e parë, ajo nxjerrje nga rrënojat e autobusit, ndoshta jetë të tjera do kishim humbur. Edhe ju keni bërë punë shumë të madhe, mjekët këtu kanë bërë punë shumë të madhe me ekipin e vet dhe me ato mjete që patën. Ajo ishte një ngjarje shumë tronditëse, por në atë fatkeqësi, ju në radhë të parë dhe më pas, të gjitha institucionet, reaguan me shpejtësinë më të madhe të mundshme dhe bënë që të shpëtohej ajo që mund të shpëtohej”, vuri në dukje Kryeministri Berisha.