E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri dhe Kryetar i PSSH-së, Fatos Nano ka zhvilluar dje pasdite një takim me Komitetin Drejtues te Partisë Socialiste të Sarandës. Në këtë takim Kryeministri Nano u shpreh: Erdh

Kryeministri dhe Kryetar i PSSH-së, Fatos Nano ka zhvilluar dje pasdite një takim me Komitetin Drejtues te Partisë Socialiste të Sarandës.

Në këtë takim Kryeministri Nano u shpreh:

Erdha ta fillojmë bashkë vitin e ri praktik, vitin e ri qeverisës dhe të dëgjoj edhe nga ju angazhime, si dhe të analizojmë së bashku jo vetëm elementët e veprimit politik dhe elektoral, por edhe elementët e administrimit të pushtetit në mënyrë ligjore dhe në dobi të zgjidhjes së problemeve që kanë njerëzit.

Ju jeni një strukturë politike dhe të mandatuarit prej jush apo prej qeverisë së maxhorancës në detyra administrative janë funksionarë politikë. Besoj se do të bisedojmë hapur, sic japim ne llogari, ministra, deputetë, kryetarë qarqesh, etj, ashtu dhe të zgjedhurit apo të mandatuarit e tjerë në administratën publike, duhet të japin llogari dhe të marrin shënim për cështjet që natyrshëm hyjnë në programet e veprimeve tona politike dhe qeverisëse edhe për këtë vit.

Nëqoftë se ky është "abuzim" me pushtetin, atëherë ne do të vazhdojmë të bëjmë këtë "abuzim" me pushtetin, sepse kemi hyrë në vitin e 8-të duke qeverisur me projekte, me strategji, me reforma, kemi shtuar aktorët që marrin pjesë në qeverisje dhe në administrim publik nëpërmjet decentralizimit, kemi normalizuar vendin dhe kemi vënë në funksionim një shumicë institucionesh demokratike, që jo vetëm nuk ekzistonin, por edhe u shembën para 8 vjetësh, në krizën e 97-ës.

Për pasojë kemi krijuar më shumë stabilitet në Shqipëri, në ekonominë e saj, në lëvizjen e lirë brenda vendit dhe me botën, kemi zgjeruar kapacitetet thithëse të investimeve apo të shkëmbimeve ekonomike dhe tregëtare me botën, kapacitete vendase, për shkak se është rritur sipërmarrja, janë planifikuar administratorët, kanë fituar përvojë qeverisëse kryetarët e autoriteteve të ndryshme, të niveleve të ndryshme qeverisëse, bashki, komuna, qarqe, krahas qeverisjes qendrore.

Shqipëria ka një emër më të mirë dhe ka tregues më të lartë garancie për investimin e drejtpërdrejtë privat, apo për kredi dhe financime nga banka ndërkombëtare të institucioneve financiare sic janë Banka Botërore apo Banka Europiane për Investim dhe Zhvillim, të kompanive private që punojnë në Banka private tashmë prezente edhe në Shqipëri.

Për pasojë edhe Saranda është një pasqyrë e këtij transformimi. Saranda e sotme është Saranda e planeve të urbanizimit të kohës, që është rritur disa herë në popullsi, si dhe Saranda-kantier pune. Në Sarandë vihet për punë dhe sipërmarrje edhe nga Tirana, edhe nga vendet e tjera. Saranda është qyteti i bankave, sic janë dhe komunat e Sarandës sheshe investimi për fonde zhvillimi shqiptare apo të huaja. Saranda është një potencial prodhues dhe eksportues, është një potencial turistik që po aktivizohet me studime bashkëkohore, të cilat po bëhen gjithnjë e më kapilare, po afrohet tek pronarët e tokës dhe te pjesëtarët e komuniteteve gjatë gjithë vijës bregdetare apo edhe larg saj.

Si e tille, Saranda edhe si bashki, edhe si bashkësi komunash, edhe si pjesë e qarkut të zhvilluar të Vlorës, - një qark edhe ky me të njëjtat potenciale edhe turistike, edhe si pozicion strategjik në ekonominë kombëtare apo në komunikimin me botën, - është potencial agrobiznesi, apo nyje lëvizjesh dhe shkëmbimesh energjitike. Gjithashtu, na jep mundësinë të vjelim 100% efektin e hapjes, efektin e përparimit te reformave të integrimit, efektin e lëvizjeve të lira, - emigrantët dhe të punësuarit në Greqi apo gjetkë janë mbartës të lëvizjeve të lira, sic lëvizin lirisht edhe të ardhurat e punes, që ata dërgojnë për konsum apo për investim shtëpish apo biznesesh pranë familjeve të tyre.
Për të gjitha këto arsye unë jam me ju edhe sot, por kam ardhur për të mos u larguar më nga ky komunitet.

Si Kryetar i Partisë Socialiste, si drejtues i maxhorancës, me atë përvojë që së bashku kemi krijuar dhe kemi bërë efikase, në drejtimin disa herë të qeverisë prej kryetarit të partisë në këto 8 vjet, me këtë partneritet që kemi ndërtuar me forcat politike progresiste në vend; me atë partneritet që kemi ndërtuar me njerëzit në të gjithë Shqipërinë, me të gjithë ata që kanë mbështetur dhe kanë ditur të nxisin reformat demokratike në këto 8 vjet, qofshin komunarë, bashkiakë, bankierë, taksambledhës, policë qarkullimi, gjyqtar apo punonjës fondacionesh, që punojnë me homologët e tyre jashtë për donacione në shërbim të shtresave në nevojë, me këtë partneritet që kemi krijuar me botën e zhvilluar, me kryeqytetet e qendrave politike të botës moderne, me Brukselin, Uashingtonin, Athinën, Romën, Berlinin, Parisin etj., me këtë partneritet që po na sjell në një stad të ri më lart në marrëdhëniet e integrimit me BE, në marrveshjet dhe marrëdhëniet e asociimit me të për të vazhduar me një ritëm më të shpejtë stadin tjetër të anëtarësimit.

Me këtë partneritet dua të punojmë dhe bashkë. Unë dua të punoj me të gjithë komunarët dhe administratorët publikë të Sarandës. Dua të punoj me ish bashkiakët dhe me bashkiakun aktual, dhe bashkiak nuk është vetëm Kryetari i bashkisë por edhe anëtarët e Këshillit apo punonjësit e administratës së bashkisë. Dua të punoj me departamentet fiskalë apo doganore, me urbanistikën apo kadastrën, me administratorët e portit, që po modernizohet apo të shoqërive të udhëtimit a lundrimit, që po trokasin gjithnjë e më shumë aty. Dua të punoj me drejtuesit rajonalë të infrastrukturave kryesore apo të shërbimeve publike parësore dhe jetike. Dua të punoj me bankierë apo sipërmarrësit privatë në qytet apo në fshat, të cilët kanë kuptuar, kanë mbështetur dhe kanë bërë të mundur të stabilizohet rritja ekonomike, të bëhet më e qëndrueshme, më e shtrirë në territor, që kanë mësuar format e konkurencës bashkëkohore të punës, punojnë me bankat, punojnë me kredi dhe shlyejnë kredi, punojnë me projekte që paraqiten në institucione publike, si buxheti apo Fondi Shqiptar i Zhvillimit apo në banka private, të huaja.

Pra, kam ardhur me mendjen për të ndenjur dhe për të punuar me ju. Jo vetëm të krijojmë vitrinën akoma më të bukur dhe të ndritshme, konkuruese gjithashtu, por të shtojmë kapacitetet e bashkëpunimit, kapacitet e integrimit, të
shkëmbimeve me botën, të investimeve, të eksporteve, të lëvizjeve të lira të qytetarëve, pra kapacitetet thithëse të standarteve të Europës, që duhen padyshim të konsolidohen me një radhë lëvizje dhe pune.

Duket si rastësi që në pika kontakti me fqinjet, sic është Saranda dhe Gjirokastra me Greqinë, apo Vlora dhe Durrësi me Italinë, që aty janë mbledhur financime të qeverive apo të fondacioneve dhe institucioneve që nxisin zhvillimin me vendet fqinje, natyrisht me programet e BE apo me instrumentet që krijohen për cdo vend europian, bashkëpunimi dypalësh, investimet e fqinjit etj.. Jo më kot projektet, që do të vazhdojnë, të Greqisë, si vend europian për rindërtimin e Ballkanit përqëndrohen në zonën e jugut. Që do të thotë se e njëjta rrugë që është matanë doganës është bërë dhe këtej në Kakavijë, apo në Kapshticë, apo që do të bëhet në Qafë të Botës.Çdo vend i Bashkimit Europian, përpara ndërton pjesën e vet të rrugës, pastaj hapet rruga në të njejtën masë dhe shpejtësi që po zgjerohet edhe BE me vendet e rajonit tonë.

Natyrisht të njëjtën, hartë, të njëjtën rrugë ndjek edhe zhvillimi ynë kombëtar, shtrihet në mënyrë kapilare nga prioritetet në qytetet e mëdha drejt bregdetit, drejt zonave me potenciale ekonomike agrare, agrobiznesi, apo minerale, që përfshihen në tregun kombëtar. Në këtë funksion, drejtohen edhe korridoret nacionale të lëvizjes, sic është edhe korridori Veri-Jug, autostrada deri në Shkodër ka mbaruar, korridori Perëndim-Lindje, vazhdon për t'u mbyllur korridori që lidh Durrësin me Qafë Thanën. Me këtë ritëm të shpërndarjes së zhvillimit po bëhen më të shpejta dhe më të shumta edhe studimet dhe projektet që nga qendrat e qyteteve tek ato të zhvillimit turistik për zona të tëra në bregdet.

Në këtë ritëm zhvillimi, pjesën kryesore të investimeve e thithin ata autoritete dhe pjesë të territorit apo të tregut që e shumëfishojnë zhvillimin. Natyrisht do të bëhet porti përpara se të bëhet rruga e eksportit të shalqinit. Po modernizojme aeroportin e vetëm dhe më të madh ndërkombëtar që është Rinasi, por do të vijmë me të njëjta forma koncensioni në aeroportin e Sarandës, pa të cilin nuk mund të zhvillohet potenciali turistik i Sarandës, për të cilën do të bëhem bashkë me dhaskale të tjerë, me ekspertë, profesorë dhe projektues, mësuesi juaj, që paratë që hidhni në turizëm të mos ikin plotësisht në qytet, ka ndodhur rëndom kjo.

Sapo u ktheva nga Parisi. Pavarësisht se cfarë tha opozita, që asgjëkundi nuk e takojnë atë njeri atje ku shkon, nuk isha për pushime. Isha 36 orë dhe gjatë 36 orëve bëra 20 takime, nga Presidenti, deri tek firmat apo bankat kryesore, me 3-4 televizione apo gazeta kryesore në vend për të "shitur" ndershmërisht Shqipërinë tonë të re, për ta "shitur" si imazh, si potencial, si njerëz, si interesa.

Po ndodh një xhelozi pozitive e vendeve të mëdha, përse nuk janë të pranishme në Shqipëri, në privatizime, me investime, në nyje të rëndësishme që e bëjnë Shqipërinë tranzit midis BE-së dhe pjesës tjetër të rajonit apo Azisë. Duket sikur Azia është larg, por naftësjellësi Ambo që fillon në detin Kastik dhe vjen deri në detin e Vlorës, do sjellë naftën e Kazakistanit, që është në Azinë e Mesme, dhe Shqipëria apo tregu i njehsuar rajonal i energjisë nuk bëhet dot pa u lidhur me rrjetin e gazit dhe të naftës ruse apo algjeriane, për të cilat ka nevojë edhe Europa.

Ne do të vazhdojmë të shtojmë kabllot nëntokësore, nënujore, nëndetare të transmetimit të energjise elektrike nga Vlora e nga Saranda dhe, për shkak se potenciali ynë hidroenergjitik është shfrytëzuar vetëm 25 përqind, do të vazhdojmë të investojmë dhe në hidrocentrale të tjera, natyrisht me koncensione apo kontrata të dhënies në operim për disa vjet, ndërtuesve të huaj me partnerë vendas, si dhe do të investojmë në termocentrale dhe kjo do ta bëjë, p.sh parkun energjitik të Vlorës Fierzën e dytë të Shqipërisë, parkun e dytë të pjesëve që balancojnë sistemin, atje me ujë, këtu me naftë dhe gaz. Ky park energjitik i Vlorës,-për të cilin janë shqetësuar disa njerëz që bëjnë kontrata dhe s'bëjnë punë, që ka dhe media që bëjnë fjalë,- nuk do ta shkatërrojë potencialin turistik të Vlorës, përkundrazi do të modernizojë ish parkun e ndotur kimiko-industrial të Vlorës, Soda e tutje, për ta kthyer në parkun dhe depozitën e eksportit energjitik nga Shqipëria drejt Italisë dhe Europës.

Pse e them këtë? Sepse këto janë pjesët e integrimit, e zhvillimit, e partneritetit, nga i cili dalin edhe paratë për të bërë edhe rrugën e komunës, apo për të sjellë ujin edhe në Mal të Thatë. Natyrisht, turizmi tek ne ka filluar me gropa septike tek Shkëmbi i Kavajës. (Ata që bënë gropat septike, nuk e di sa i përdorën për vete dhe i shitën më pas dhjetëfish nga ç'ua dhuruan). Atje tashmë ka disa projekte të shkallës më të gjërë sesa vila e secilit, ka disa fshatra turistikë, ku dhe nëse është abuzuar do të penalizohet dhe do te normalizohet si infrastrukturë në pritje të turistëve. Tashmë projektuesit i detyrojne investuesit, për shkak të KRRTRSH-së apo të Ministrisë që rregullon Territorin dhe Turizmin si pjesë e ekzekutivit, që të kontribuojnë edhe në ndërtimin e infrastrukturës së ujë-kanalizimeve, krahas pjesëmarrjes në shtesat e projektim-studimit për zhvillim. E njëjta gjë do të ndodhë edhe këtu.

Eshtë fat i madh që kemi arritur të sigurojmë interesin dhe kontributin, sepse jemi në gjendje ta paguajmë nga buxheti qendror apo ai vendor, ekspertizen nga më të mirën e studiove apo e qëndrave të zhvillimit urbanistik apo turistik që ka Europa. Cfarëdo që të bëjë fshatari apo qytetari i kësaj zone, nuk mund të ndërtojë shtëpinë e vet për turizëm familjar, apo dicka më shumë, sesa një vilë për turizëm hotelier, nëse nuk bëhet pjesë e një zhvillimi konkurues të pellgut të Mesdheut. Gjermanët, anglezët, nordikët po ikin nga Spanja, pasi ikën edhe nga Greqia,- e dimë që Greqia përvec Lojrave Olimpike pati turizëm shumë të ulët gjatë vitit 2004,- po ikin sepse i duhet të zhvillohet turizmi ne kurriz të mjedisit. Por sidomos brezi i moshës së tretë i europianëve, përbën një kategori rreth 40 përqind të turistëve në tregun botëror. Ai është potenciali i të ardhurave nga turizmi, ai kërkon vende dhe brigje të paprishura, të pabetonuara, të pandotura, të zhvilluara në harmoni me natyrën, sic është parku i Butrintit. Nuk e kemi shpallur më kot zonë të mbrojtur Butrintin. Kryetari i Kakomesë, kishte shkruar sot në një intervistë, se kemi forca të shumta e s'kemi për të lënë këmbë francezi apo tiranasi të hyjë në Kakome. Por Kakomeja, Saranda, Palermoja, etj. do të zhvillohen me operatorët më të rëndësishëm ndërkombëtarë, do zhvillohen për studimin, do zhvillohen për klientelën dhe Club Mediterraneo që do të bëjë Kakomenë. Ai nuk është pronari i Kakomesë, do të jetë administrator i Kakomesë dhe përfshirës i Fshatit Turstik të Kakomesë në xhiron prej 10 mijë turistëve në vit, që ai sjell deri në Korfuz. Ka operatorë të mëdhenj, të cilët i mbështesin dhe qeveritë e tyre,- është Club- Med-i privat, por kur Presidenti i Francës thotë bëni shumë mirë sepse kjo ia ka rritur 10-fish emrin dhe interesin për Shqipërinë në Francë turizmit tuaj, që merr një operator të tillë të madh,- natyrisht ne nuk mund të bëjmë si opozita e sotme që ka humbur sensin e cdo gjëje, cdo reforme, cdo qeverisjeje, cdo administrimi, edhe atje ku ka patur pushtetin në dorë,vetëm për të plackitur dhe po mërzit edhe ata njerëz që u gënjyen, që e votuan. Nuk mjafton vetëm ky reaksion.

Kjo opozitë ka humbur cdo sens qeverisjeje, e para sepse nuk ka patur vullnetin për të mësuar, ka 8 vjet larg pushtetit. Nivele të ndryshme mund të jenë ngatërruar me ethet apo të mirat e pushtetit, por kemi humbur shokë dhe do të humbasim të tjerë që janë korruptuar.Çfarë u bë me kryetarin e Hudënishtit? Le ta bëjë këtë PD me kryetarin e bashkisë së Korcës po pati kurajo dhe koshiencë për të kërkuar votën e shqiptarëve.

Shqipëria është këtu dhe nëse nuk zhvillohet, nuk integrohet do ngelet ende në Kakome dhe në sherret e tokës në komunat bregdetare,- me të cilat të jeni të sigurtë qeveria po merret. Maxhoranca jonë ligjvënëse do të vazhdojë të merret.

Për 10-12 vjet që është bërë reforma e tokës, tashmë janë evidentuar edhe problemet që calojnë e që janë bllokuar, si dhe kategori të ndjeshme banorësh të këtij vendi që nuk janë bashkuar dot me tokën në pronësi apo si burim ekonomik. Dhe ne do të hyjmë në legjislaturën e re dhe kjo është kredoja e njerëzve të përgjegjshëm që qeverisin për të zgjidhur problemet e këtij vendi mbi bazën e mbylljes të ciklit të reformave të filluara në 12 vjet, që nga reforma e filluar në '92, por që u kthyen mbrapsht dhe u shemben institucionet e tregut dhe shtetit në '97 nga Berisha dhe 8 vitet e fundit ne kemi futur reformat themelore që na cojnë në Europë në një shtrat të pakthyeshëm.

Prandaj e duam mandatin e tretë. Kjo është kredoja e kësaj maxhorance europeiste dhe progresiste. Nuk mund t'i lemë në duar cakejsh, në duar të pakualifikuarish, në duar që duan të marrin hak, të babëziturish që s'bëjnë asnjë punë ose plackisin për vete. I dimë shumë mirë kush ka plackitur nga tanët, e lexojmë shumë mirë votën tuaj këtu në Sarandë apo në vende të tjera ku humbëm bashkitë. E dimë ne kush ka administruar keq dhe kush do të kishte administruar më mirë, sic dimë dhe huqet e shokëve tanë, të cilat nuk janë krime. Pra ne e duam fitoren në zgjedhjet 2005 për të mbyllur ciklin e reformave, për të zgjidhur problemet themelore që janë evidentuar në reformat themelore në 12 vjet, për të zgjidhur cështjen e tokës, për të bashkuar pronarin me zhvillimet prioritare mbi tokën, turizmin apo sektorë të tjerë me rëndësi për tregun kombëtar, të shkëmbimeve me botën, për të konsoliduar hapësirat e demokracisë, të shtetit të së drejtës, për të mbyllur ciklin e çkriminalizimit të shoqërisë dhe terrorit shqiptar nga trafiqet dhe krimi i organizuar.

Nuk mund të lejojmë të kthehet opozita në pushtet. Por këtë nuk do ta bëjmë me polici, por me votën tuaj. Nuk mund të lejojmë që të kthehet opozita që kriminalizoi Shqipërinë në pushtet. Akoma po pastrojmë nga krimet e tyre dhe nga kriminalizimi i shoqërisë për shkak të filozofisë dhe të praktikës së piramidave dhe të bërjes së parasë lehtë nga njerëz të mbrojtur politikisht, që nga trafiku i naftës me Milloshevicin e deri tek trafiku i qënieve të gjalla me gomone. Prandaj dhe jemi të vëmendshëm dhe shumë koshientë se kush janë "skafistët tanë" që i kemi pastruar herë pas here. Sëmundjet infektive janë sëmundje ngjitëse. Vazhdon ta heqë veten si doktor, ai doktori i çmendur që ka 8 vjet në opozitë dhe shan doktorët tanë, mjekë të vërtetë që kuruan Shqipërinë, kthyen njerëzit në punë dhe shëndoshën mentalitetin dhe edukatën për jetë të ndershme mbështetur tek puna dhe sipërmarrja dhe për marrëdhënie partneriale, të barabarta me botën dhe jo refugjat i pambrojtur nga mali dhe as shegert me pagesë mizerabël pa kontratë pune.

E kemi transformuar këtë situatë, prandaj duam të vazhdojmë të qeverisim këtë vend në dobi të pjesës më të varfër, të pjesës më të paintegruar gjithashtu, si dhe të rritjes së mëtejshme të mirëqënies, të punësimit, të ritmeve të zhvillimit në zonat prioritare, bregdetare apo në nyjet e lidhjeve infrastrukturore apo energjitike me botën.

E gjitha kjo motra dhe vëllezër është punë politike, është punë administrative, punë me njerëzit. Këto tre elementë realizohen vetëm sëbashku. Nuk mund të jesh vetëm administrator, sepse po u shkëpute nga njerëzit, po nuk pate një filozofi të qartë politike për reformat dhe luftën kundër korrupsionit mbyllesh në zyrë dhe administron zyrën dhe autoritetin për xhepat dhe miqtë e tu. Nuk mund të jeni vetëm administrator të nderuar drejtorë. Kjo është punë politike dhe cikli i kësaj pune politike mbyllet duke u verifikuar tek njerëzit. Prandaj po fusim parimin "një anëtar një vote". Le të flasin të tjerët sa të duan, ne miratuam në Kryesi një marrëveshje-kontratë, sepse e dimë që e bëjmë. E kemi filluar dhe jemi të përgatitur ta bëjmë këtë gjë me Institutin Demokratik Amerikan para pak ditësh, po angazhohemi dhe me afate konkrete, që jo vetëm kryetari i organizatës por edhe Kryetari i Partisë dhe Kryeministri do të zgjidhet me parimin një anëtar një votë. Kush më leverdis më shumë mua, të më zgjedhë KPD apo ju? Nuk ka gjë më të sigurtë për udhëheqësit e përgjegjshëm dhe të ndershëm sesa ta zgjedhë anëtarësia. Por kini kujdes. Po fillojmë tani të mbarojmë kufijtë e zonave. Kini kujdes me Komitetet e zonave elektorale që do të zgjedhim tani me parimin një anëtar një votë. Nuk shtohet presidiumi i mbledhjeve, nuk është strukturë presidiumi, por është strukturë kontaktesh me njerëzit, zgjedhësit, është shtabi elektoral i fitores, është shtabi i verifikimit të drejtuesve, është mjeti lëvizës dhe i komunikimit me anëtarët dhe me votuesit. Në këtë shtab do të mblidhen të gjitha reagimet: si punojnë drejtuesit, kush ua zgjidh apo nuk ua zgjidh problemet apo kush abuzon? Kjo është qendra dispecer ku mblidhen të gjitha të dhënat pasi komunikojmë me njerëzit, se janë në përpunim, se janë të vlerësuara të gjitha mesazhet e tyre për padrejtësitë që duhen zgjidhur apo për projektet e zhvillimit lokal dhe zonal që duhen hartuar, për ndryshe për cfarë do të kandidojnë kandidatët, edhe partia që kërkon fitoren në zgjedhje, apo qeveria që kërkon të rikonfirmohet, për të gjitha problemet e komunitetit.

Por, që të ruajmë vendin nga cakejtë, nga manipulatorët, nga manipulimet që e dini se kush janë? Komuniteti opozitar që karakterizohet nga vota në fis, një njeri për të gjithë familjen. Kurrë nuk e bëjnë socialistët këtë gjë. Shqiponjat tona në komisione apo në fushatë kësaj radhe nuk do të lejojnë votën në fis. Në ka standart të OSBE-së apo të BE-së që shkelet në votën e lirë është vota në fis. Dhe unë nuk e pranoj që kjo gjë qenka karakteristikë e malësorëve dhe jo e fusharakëve. Nëqoftë se Berisha do të vazhdojë ta mbrojë këtë tezë, atëherë unë do ta akuzoj ballas që: ti kërkon votën e fisit dhe të tribusë primitive dhe si i tillë je për në Hagë, nuk je për këtu. Cdo qytetarë i këtij vendi malësor apo fusharak ka të drejta të barabarta jo vetëm për të votuar, por edhe para Kushtetutës. Nuk mund të ketë malësor me pasaporta të falsifikuara dhe njerëzit e qyteteve bregdetare dhe të fushës me pashaporta nga zyrat e shtetit. Nuk mund të jenë viktima të trafiqeve njerëzit e veriut, për shkak të nënzhvillimit, të moszhvillimit në të cilin i ka lënë Berisha dhe njerëzit e zgjedhur prej tij qe nuk i lë të punojnë me qeverinë.

Qarku i Sarandës është i pari për investime për frymë, Qarku i Shkodres është I dyti për investime për frymë, por e dini se në c'gjendje është Shkodra, sepse nuk bashkëpunojnë autoritetet e Shkodrës prej 12 vjetësh me ne, prej 8 vjetësh me qeverisjen qendrore. Sepse i zhdukin paratë që vijnë nga buxheti, nuk bëjnë projekte që t'i marrin paratë që vijnë nga buxheti.

E thashë, unë kam ardhur për të ndenjur, por herë pas here do t'ju marr leje se kam ndërmend të bëj edhe fushatën e madhe.

Ju falënderoj për vëmendjen.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›