E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Fatos Nano, gjatë pjesëmarrjes në ceremoninë ndërkombëtare, organizuar me rastin e 60 vjetorit të çlirimit të kampit të përqëndrimit Auschwitz, në Poloni, zhvilloi takime dyp

Kryeministri Fatos Nano, gjatë pjesëmarrjes në ceremoninë ndërkombëtare, organizuar me rastin e 60 vjetorit të çlirimit të kampit të përqëndrimit Auschwitz, në Poloni, zhvilloi takime dypalëshe me personalitete të larta shtetesh.

Kryeministri Fatos Nano zhvilloi një takim me Zëvendëspresidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Richard Cheney. Kryeministri Nano i përcolli z. Cheney urimet e përzemërta për mandatin e dytë qeverisës të administratës së Presidentit Bush.

Të dy personalitetet vlerësuan nivelin e shkëlqyer të bashkëpunimit dypalësh dhe shprehën besimi se gjatë mandatit të dytë të drejtimit të SHBA nga Presidenti Bush, marrëdhënia e partneritetit mes dy vendeve do të konsolidohet e thellohet më tej.

Zv/presidenti Cheney vlerësoi progresin e arritur në vend, rolin aktiv dhe konstruktiv të Shqipërisë në rajonin e Ballkanit dhe vendosmërinë për të vazhduar në këtë rrugë edhe në të ardhmen. Gjithashtu, ai përgëzoi qëndrimin e vendosur të Shqipërisë si aleate e koalicionit global në luftën kundër terrorizmit. Kryeministri Nano e siguroi z. Cheney për vazhdimin e kontributit të Shqipërisë në të gjitha iniciativat që nxisin stabilitetin, paqen dhe demokracinë kudo.

Kryeministri Nano dhe Zv/presidenti i SHBA, Cheney diskutuan edhe për bashkëpunimin, në kuadër të Kartës së Adriatikut, mes SHBA dhe 3 vendeve, Shqipëri, Kroaci, Maqedoni, si dhe për nxitjen e iniciativave të tjera që përshpejtojnë procesin e integrimit te vendeve në NATO.

***
• Kryeministri Nano u takua edhe me Presidentin e Komisionit Europian, z. Jose Manuel Durao Barroso. Të dy autoritetet vlerësuan nivelin e bashkëpunimit në funksion të reformave integruese të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Z. Barroso çmoi ecurinë e reformave në vend dhe shprehu vazhdimin e mbështetjes së BE-së për institucionet shqiptare në rrugën e integrimit europian.

Nga ana e tij, Kryeministri Nano shprehu vlerwsimin për vendimin e Presidentit Barroso për ta perfshire rajonin e Ballkanit Perendimor nën kompetencat e një Komisioneri për Zgjerimin, si dhe vendimin e Komisionit Europian për zëvendësimin e programit CARDS me Instrumentin e Para Aderimit në kuadrin e perspektivës financiare të BE-së. Ai theksoi se këto janë "janë mesazhe optimiste dhe inkurajuese për thellimin dhe përshpejtimin e ritmit të reformave".

***
• Gjatë pjesëmarrjes në ceremoninë përkujtimore me rastin e 60 vjetorit të çlirimit të kampit të përqëndrimit Auschwitz, Kryeministri Nano është takuar me Presidentin e Francës Jacques Chirac. "Është kënaqësi të ritakohemi sërish në një kohë kaq të shkurtër pas vizitës suaj të suksesshme në Paris" është shprehur Presidenti Chirac, duke nënvizuar se "pres të vizitoj sa më shpejt Tiranën dhe sheshin Skënderbej". Kryeministri e falenderoi Presidetin Chirac për pritjen e ngrohtë dhe vëllazërore që iu rezervua gjatë vizitës në Francë dhe gadishmërinë e autoriteteve franceze për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh në të gjitha drejtimet prioritare.

• Kryeministri Nano u takua me Presidentin e Austrisë, z. Heinz Fischer. Të dy autoritetet vlerësuan marrëdhëniet mjaft pozitive mes dy vendeve, duke shprehur vullnetin për intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në të gjitha fushat.
Kryeministri Nano çmoi kontributin që Austria ka dhënë në procesin e integrimit të Shqipërisë në strukturat europiane, ndërsa z. Fischer rikonfirmoi edhe një herë mbështetjen austrikake për përfundimin sa më të shpejtë të procesit të negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

• Gjithashtu Kryeministri Nano zhvilloi një bisedë edhe me Ministrin britanik për Europën, Denis McShane. Gjatë këtij takimi është biseduar për vizitën, që pritet të zhvillohet së afërmi, e Kryeministrit Nano në Britaninë e Madhe.

• Një takim të veçantë, z.Nano pati me Presidentin e sapozgjedhur të Ukrainës, Viktor Yushchenko. Kryeministri shqiptar e uroi z.Yushchenko për fitoren demokratike në zgjedhjet presidenciale. «Zgjedhja juaj do t'i japë një nxitje zgjerimit shumëplanësh të marrëdhënieve midis dy vendeve tona», u shpreh Kryeministri. Z.Yushchenko falenderoi KryeministrinNano për mesazhin e urimit që i përcolli me rastin zgjedhjes në këtë detyrë dhe shprehu gadishmërinë për një bashkëpunim edhe më të ngushtë në të ardhmen.

• Po ashtu, Kryeministri Nano është takuar me Kryetarin e Parlamentit të Finlandës, Paavo Lipponen, me Kryeministrin e Norvegjisë, Kjell Magne Bondevik, Kryeministrin e Mbretërisë së Hollandës, Jan Peter Balkenende, Presidentin eÇekisë, Vaslav Klaus, Presidentin e Greqisë, Stefanopuolos, Presidentin e Bullgarisë, George Parvanov, me Presidenten e Irlandës, Mary McAleese, me Kryetarin e Parlamentit te Austrise, etj.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›