Kryeministri dhe Kryetar i Partisë Socialiste Fatos Nano ka nënshkruar sot paradite së bashku me Kryetarët e Partisë Social-Demokrate, Partisë Bashkimi Për të Drejtat e Njeriut, Partisë Agrar
Kryeministri dhe Kryetar i Partisë Socialiste Fatos Nano ka nënshkruar sot paradite së bashku me Kryetarët e Partisë Social-Demokrate, Partisë Bashkimi Për të Drejtat e Njeriut, Partisë Agrare Ambientaliste, Aleanca Demokratike dhe Partisë Demokracia Sociale, marrëveshjen e "Koalicioni për Integrimin Euro-atlantik të Shqipërisë".
Shqipëria ka hyrë përfundimisht në rrugën e zhvillimeve të gjithanshme të qëndrueshme integruese euro-atlantike. Interesat e vendit dhe ato kombëtare kërkojnë përshpejtimin e këtij proçesi. Të motivuara nga këto kërkesa, të bazuara në arritjet e deritanishme, me vizion të qartë, për të ardhmen, me vullnet e vendosmëri, për të vazhduar punën dhe në etapën e re, të intesifikimit të proçeseve integruese në vend, në rajon, dhe në strukturat euroatlantike, partitë nënshkruese të kësaj marrëveshjeje (më poshtë të cilësuara "anëtarët"), të mbledhura në Tiranë, sot më datë 27.12.2003, ranë dakort përsa vijon:
A- Krijimi i Koalicionit
1- Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje krijohet "Koalicioni për Integrimin Euro-atlantik të Shqipërisë", (shkurt "Koalicioni për Integrim").
2- Anëtarët synojnë sigurimin e një mbështetjeje sa më të gjerë përfaqësuese politike dhe elektorale, për vazhdimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të të gjithë reformave, që i shërbejnë integrimit euro-atlantik të vendit. Gjitashtu, përmes konsolidimit dhe përmirësimit të mëtejshëm të bashkëqeverisjes së vendit anëtarët synojnë që e majta dhe aleatët e saj, të fitojnë një mandat të ri edhe në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2005.
B- Objektivat kryesorë
1- Objektivat më të afërt të koalicionit janë nënshkrimi i marrëveshjes së stabilizim-asociimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian dhe anëtarësimi i saj në NATO.
2- Objektivi afatgjatë i koalicionit është anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian.
C- Parimet bazë të funksionimit
1- Anëtarët zbatojnë disiplinën politike të vendimmarrjes së përbashkët për çështje prioritare dhe politike të Koalicionit për Integrim.
2- Anëtarët ruajnë të drejtën e vendimmarrjes në forumet e tyre për çdo çështje politike që ka të bëjë me pozitën e secilit në Koalicionin për Integrim.
3- Anëtarët angazhohen të krijojnë dhe mbështesin qeverinë e rikompozuar, sipas vullnetit të tyre politik.
4- Kryeministri angazhohet të bëjë ndryshimet në kabinetin qeveritar dhe në struktura të tjera ekzekutive sipas parimit: çdo parti anëtare e koalicionit të përfaqësohet me mirëkuptim në nivele të ndryshme të qeverisjes ekzekutive.
5- Anëtarët janë pjesë e vendimmarjes së përbashkët në Kuvend për të gjitha çështjet e rëndësishme. Grupi parlamentar i cilitdo anëtar do të votojë "pro" të gjithë projektligjet e rëndësishëm që mbështesin reformat për integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike.
D- Drejtimet kryesore të veprimtarisë qeverisëse
1- Qeverisja e Koalicionit për Integrim do të përmbushë, përmes ekzekutivit dhe legjislativit, të gjitha detyrimet e programuara bashkarisht nga anëtarët, duke u fokusuar me përparësi në thellimin e reformave në vend dhe në përshpejtimin e negociatave për hartimin dhe nënshkrimin e marrëveshjes për stabilizim-asociim.
2- Reformat prioritare në të cilat do të fokusohet qeverisja e koalicionit për integrim do të jenë:
• Reformat në ekonomi, që përfshijnë miratimin dhe zbatimin e ligjit të kthimit dhe kompesimit të pronave, privatizimin e sektorëve strategjikë, zhvillimin e mëtejshëm të sektorëve prioritarë si arsimi dhe shëndetësia, politikat e punësimit dhe të përmirësimit të sistemit të pagave e pensioneve, përkrahjen për shtresat në nevojë, përfshirë shtresën e ish-të persekutuarve politikë, reformën buxhetore, atë të decentralizimit të ndarjes territoriale, etj.
• Reforma në administratën publike, që përfshin përmirësimin e kapaciteteve absorbuese në administratë, përmirësimin e burimeve njerëzore, rishikimin e funksioneve, ngritjen e sistemit të vlerësimit të punës së secilit dhe thellimin e reformës së sistemit të pagave.
• Reformat në fushën e rendit dhe drejtësisë, që fillon nga lufta kundër trafiqeve, krimit të organizuar dhe korrupsionit, e deri tek reforma në Prokurori dhe në sistemin gjyqësor.
3- Koalicioni do të intesifikojë më nivel diplomatik dhe politik me të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Europian, Komisionin dhe Parlamentin Europian, për përshpejtimin e ritmeve të negociatave për stabilizim-asociim dhe përfundimin e tyre me nënshkrimin e MSA brenda vitit 2004.
4- Koalicioni do të intesifikojë kontaktet përkatëse edhe për vazhdimin e proçesit të bashkëpunimit dhe integrimit me strukturat e NATO-s.
5- Gjithashtu, anëtarët do të punojnë sëbashku me institucionet përgjegjëse për të përfunduar me ritëm të shpejtuar ndërtimin e infrastrukturës zgjedhore në vend. Ky proçes përfshin veçanërisht evitimin e defekteve të evidentuara në regjistrin zgjedhor, ndryshimet në Kodin Zgjedhor si dhe të gjitha elementet e paketës ligjore elektorale, sipas rekomandimeve të OSBE-ODHIR, me qëllim hyrjen të parapërgatitur plotësisht në zgjedhjet e ardhshme politike të vitit 2005.
E-Të ndryshme
1- Kjo marrëveshje nënshkruhet nga kryetarët e partive të koalicionit.
2- Sekretarët e përgjithshëm dhe kryetarët e grupeve parlamentare të anëtarëve të koalicionit do të përcaktojnë në mënyrë të detajuar modalitetet për bashkëpunim, veçanërisht marrëveshjet për vendimmarrjen në Kuvend. Do të përcaktojnë edhe siglën e koalicionit.