Kryeministri dhe Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Fatos Nano mori pjesë sot në Konventën e Grave Socialiste. Kryeministri Nano në fjalën e tij përshëndetëse me këtë rast u shp
Kryeministri dhe Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Fatos Nano mori pjesë sot në Konventën e Grave Socialiste. Kryeministri Nano në fjalën e tij përshëndetëse me këtë rast u shpreh:
"Është privilegj, privilegj i detyrës dhe kënaqësi e njeriut, që në solidaritet me ju, ka mundur të forcojë imazhin, dinjitetin e gruas socialiste njëlloj si Partia Sociliaste dhe si kjo Shqipëri europiane që po përparon edhe për shkakun tuaj. Ju jeni gjysma më e mirë e socialistëve dhe progresistëve shqiptarë.
Tek përcillja dy ditë më parë në emër të Shqipërisë, pra dhe në emrin tuaj, Atin e shenjtë, Papa Vojtilën, për në rrugën pa kthim të Qiellit m'u kujtua vlerësimi i tij i shkëlqyer për femrat: "Të gjithë ne kemi nevojë për genin femëror për të realizuar një shoqëri më të drejtë dhe më të aftë, që të jetë në gjendje të njohë dhe respektojë dinjtitetin e qënies njerëzore", theksonte Ati i Shenjtë.
Ky përcaktim merr vlera të veçanta për gratë shqiptare, të cilat janë trashëgimtaret legjitime dhe më të denja të Shenjtores së madhe shqiptare, Nënës Terezë.
Ju keni një trashëgimi të vyer të rolit të gruas shqiptare në histori dhe në betejat për zhvillim. Ky obligim është një nga instrumentat themelorë politikë të forumit të gruas socialiste. Unë jam i bindur se duke e vlerësuar atë ju i bëni nder vetes, kombit dhe shoqërisë. Rasti i Nënës Terezë është shembulli që tregon se në ç'nivele të larta mund të arrijë gruaja shqiptare kur sakrifikon, kur merr në dorë fatet e veta dhe përballon me dinjitet sfidat e jetës dhe të njerëzimit. Unë jam i bindur që dhe tek secila prej jush ekziston shenjtëria e nënës dhe për këtë arsye, në emër të të gjithë burrave socialistë, përkulem me respekt përpara jush si misionare të paqes sociale dhe të pajtimit kombëtar.
Me cilësinë e Kryetarit të Partisë, edhe si bir, edhe si prind, unë jam krenar për gratë socialiste dhe për femrat shqiptare në përgjithësi, sepse transformimi i Shqipërisë, futja e saj në rrugën pa kthim të zhvillimit, modernizimit dhe integrimit europian, do të ishin të mangëta, të deformuara, të vonuara, të pamundura pa kontributin tuaj të pazëvendësueshëm, pa dashurinë dhe sakrificat tuaja. Ju, pra, jeni misionare të reformave dhe të integrimit europian të Shqipërisë.
Unë e di po aq mirë sa ju se roli dhe pjesëmarrja aktive e gruas në 8-të vitet e fundit në jetën shoqërore, ekonomike, administrative, drejtuese dhe politike të vendit, integrimi juaj në partneritetin shoqëror nuk ka qenë i thjeshtë as për t'u kuptuar, as për t'u realizuar në një shoqëri me trashëgimi maskiliste a patriarkale si e jona. Por me mbështetjen dhe vizionin e qartë programor, moral, politik dhe ligjor të PS, zgjerimi i kontributit të gruas, në të gjitha fushat prioritare të zhvillimit të jetës së vendit ka nxitur progresin e përgjithshëm të shoqërisë shqiptare drejt botës moderne. Ky progres është produkt i reformave që kemi ndërmarrë sëbashku dhe që kanë ndryshuar rrënjësisht mentalitetin social, duke e sjellë tek kurajo qytetare europiane që barazohet me vlerat. Ju jeni misionare të zhvillimit dhe sipërmarrjes europiane në Shqipëri.
Unë kam bindjen që me misionin që na bashkon nuk do të jetë e largët dita kur dhe gruaja shqiptare do të arrijë standartet e barazizë së shanseve njëlloj me simotrat e veta në botën moderne. Ju jeni misionare të emancipimit shoqëror dhe të barazisë së gjinive. Kjo bindje vjen nga transformimi rrënjësor dhe i matshëm i pjesëmarrjes dhe angazhimit të shoqeve realizuar në 8-të vitet e fundit nën qeverisjen tone. Sot është gati 38% e administratës shtetërore që përbëhet nga gra dhe vajza, më shumë se 60% e drejtuesve dhe punonjësve të administratës publike të diplomuar në universitetet janë prej jush. Është e pamjaftueshme, natyrshëm, për përfaqësimin tuaj me një minister, 6 zëvendësministre, 5 anëtare të Gjykatës së Lartë, 3 prefekte, apo 1/6 e posteve drejtuese në hierarkinë shtetërore. Por fakti që numri më i madh i studentëve sot është femra, 45 mijë të rinj gjithsej, 30 mijë janë vajza, është prova më e qartë e vullnetit dhe angazhimit tonë për rritjen dhe zgjerimin e rolit të gruas në jetën e vendit.
Progresi i gruas shqiptare duhet medoemos të pasqyrohet, të mbështetet dhe të realizohet edhe me transformimin e Forumit tuaj dhe të Partisë ku ai bën pjesë. Unë kam bindjen se ju sot jeni akoma më të afta për ta bërë këtë, prandaj ju respektoj si misionare të modernizimit të partisë dhe të politikës shqiptare.
Unë ju mbështes në detyrën dhe angazhimin për ta shndërruar forumin e gruas socialiste në tribunë të emancipimit dhe të avokatisë së barazisë së shanseve, me detyrën politike dhe shoqërore që kemi kultivuar sëbashku në këta 8-vjet qeverisjeje, por ne sëbashku do të synojmë dhe do të fitojmë mandate të tjera qeverisjeje në dobi të të gjithëve dhe veçanërisht të rritjes së rolit dhe dinjitetit të gruas shqiptare në një shoqëri europiane.
Shqipëria sot, ajo e vitit 2005, për shkak të qeverisjes sonë nuk ka më të krahasuar jo më me '96 apo '97, por as me fillimin e viteve 2000. Pra është detyra juaj që sëbashku me ne ta mbrojmë këtë progres dhe këtë besim në vazhdimësi për integrim.
Ju e njihni më mirë se çdokush dhimbjen e nënës, ndaj ngrihuni në këmbë për të ndalur rikthimin në pushtet të aventurierit Sali Berisha, që flokët e bardha të shumë nënave i ka mbuluar me shami të zeza. Ju jeni misionare të progresit dhe të ardhmes. Kështu si ju edhe unë besoj se e meritojmë dhe do të fitojmë mbështetjen e shumicës së grave progresiste shqiptare për zgjedhjet parlamentare të verës, sepse ju jeni misionare të fitores.
Kam nderin të kërkoj angazhimin dhe kontributin tuaj që në 4 vitet e ardhshme politikat shtetërore në mbështetje të grave të jenë shumë më ambicioze për ta sjelllë brenda këtij 4 vjeçari barazinë gjinore në standarte europiane.
Objektivat tanë lidhur me gruan për 4 vitet e ardhshme lidhen me prioritete të barazisë midis grave të qytetit dhe fshatit, në trajtimin dhe kujdesin shoqëror dhe shëndetësor, të edukimit dhe të moshës së tretë, në barazinë midis grave dhe burrave, në ofertat për punësim në sektorin publik dhe privat, në barazinë midis grave dhe burrave në përfitimin e shërbimeve publike, në barazinë e shanseve midis grave dhe burrave në politikë, në administratën publike, në qeverisje dhe në vendimmarrje, në garantimin ligjor dhe real të grave për t'u mbrojtur nga dhuna dhe diskriminimi në familje a në shoqëri.
Ne socialistët kemi nevojë të gëzojmë mbështetjen e grave për të realizuar programe të tilla ambicioze. Unë ju ftoj të bëheni protagonistë të realizimit të këtyre objektivave.
Do të vazhdojë të jetë front prioritar i aksionit tonë politik të përbashkët përfshirja masive e gruas në politikë dhe vendimmarrje. Ftesa dhe nxitja ime për një angazhim më të madh të forumit të gruas në këto fusha të rëndësishme nuk bëhet nga pozitat e filozofisë feministe. Ju keni dhënë shumë prova se roli dhe aftësitë tuaja në vendimmarrje i shtojnë vlerat politikës, e bëjnë atë më njerëzore, e sjellin më afër njerëzve dhe e zhveshin nga egërsia e maskilizmit politik shqiptar gjatë gjithë këtyre viteve. Vlera të tilla si toleranca, respekti, solidariteti, vetëpërmbajta, duhet të jenë më të pranishme në politikë dhe askush më mirë sesa ju nuk mund t'i trupëzojë këto vlera në politikën shqiptare. Prandaj kërkesa për rritjen e pjesëmarrjes tuaj në politikë është e patjetërsueshme. Ju nuk duhet të prisni derisa dikush t'ju pyesë apo t'ju marrë për dore për t'ju futur në konkursin e madh të politikës. Unë kërkoj nga ju të jeni më aktive në parti dhe në mjediset ku politika ndërton partneritet me shoqërinë, sepse jam i bindur dhe dua t'ju rikonfirmoj besimin tim në aftësitë tuaja si konkuruese fisnike.
Të nderuara shoqe dhe motra,
Pak javë na ndajnë nga zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Partia Socialiste shkon me besim të plotë dhe organizim të përsosur në këto zgjedhje për të fituar, sepse kemi përmbushur angazhimet themelore përpara elektoratit shqiptar dhe jemi shumë të qartë për vizionet dhe projektet e së ardhmes europiane të vendit.
Unë jam i bindur se ju, gratë në tërësi, do të vazhdoni të jeni protagoniste të zhvillimit, barrikadë e pakalueshme për rikthimin në pushtet të pasigurisë, të ankthit, të papunësisë, të trafikut të organizuar nga shteti, të plaçkitjes dhe shkatërrimit të ekonomisë që kërkojnë të risjellin në Shqipëri falangat e Sali Berishës me xhaketa të kthyera mbrapsht. Edhe Berisha flet për gratë, por mjafton të jesh pak i kujdesshëm për të kuptuar se në mjedisin e tij primitiv politik edhe gratë sillen si meshkuj të këqinj.
Ne na bashkon bindja në fitoren e zgjedhjeve parlamentare të verës, sepse e kemi ndryshuar plotësisht Shqipërinë, e kemi bërë normale dhe të mirëpranuar në botën që na rrethon. Ne shkojmë me bindjen në fitoren e zgjedhjeve parlamentare të verës, sepse kemi përballë një opozitë të pabesueshme dhe pa alternativa, që vazhdon të drejtohet nga një lidership i degraduar, me mangësi dhe praktika që e çuan vendin në katastrofën e para 8 vjetëve.
Ne jemi përgatitur t'i ofrojmë elektoratit shqiptar vizione, kontribute dhe ekipe qeverisëse që do të pasqyrojnë në shkallën më të lartë moralin dhe ndërgjegjen tonë europiane. Ne kemi përgatitur alternativa, që do t'i bëjmë së shpejti publike, që përshpejtojnë të gjithë zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit, duke forcuar autoritetin e ligjit dhe autoritetin e njeriut, duke shkallmuar barrierat dhe mentalitetin maskilist, duke zgjuar vlerat dhe interesat tuaja njerëzore, duke ndryshuar, së pari, veteveten dhe organizatën tuaj që me këtë Konventë, duhet të jeni krejtësisht të gatshëm dhe të përgatituar për të konkuruar dhe kontribuar në zgjedhjet dhe përfaqësimin e ardhshëm parlamentar, për të mbrojtur sëbashku gjithçka kemi arritur, për të shpejtuar ritmin e ecjes së Shqipërisë në trasenë e integrimit europian.
Më në fund më lejoni t'ju siguroj se ashtu si herë të tjera, kur jam midis jush, kam kënaqësi të pazëvendësueshme për të ndarë idetë, jetën dhe karrierën politike me ju, sepse ndjehem po kaq fisnik sa ju.
Le të punojmë sëbashku edhe më shumë për një Shqipëri moderne dhe europiane!
Ju uroj suksese dhe fitore të përbashkëta!"