E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e sotme nen drejtimin e ZevendesKryemnistrit Namik Dokle një numër projektligjesh dhe vendimesh. • U miratua projektligji "Për inspektimin e punÃ

Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e sotme nen drejtimin e ZevendesKryemnistrit Namik Dokle një numër projektligjesh dhe vendimesh.

• U miratua projektligji "Për inspektimin e punës dhe Inspektoriatin Shtetëror të Punës".

Projektligji është hartuar mbi bazën e rekomandimeve të dhëna nga institucionet homologe, veçanërisht nga Inspektoriati francez i Punës. Në të janë bërë përcaktime më të qarta të qëllimit dhe fushës së veprimit të ligjit, duke saktësuar subjektet e ligjit dhe përjashtimet e tij. Përcaktohen detyrat e Inspektoriatit të Punës, kompetencat, bashkëpunimi me organet e policisë së shtetit në rastet kur ky i fundit pengohet në ushtrimin e detyrës, shmangia e konfliktit të interesave, etj.

Në projektligj gjejnë pasqyrim edhe kushtet dhe procedurat administrative që duhet të sigurojë Inspektoriati i Punës për zbatimin e ligjeve në fushën e sigurimit dhe shëndetit publik që janë:
- Verifikimi nëse punëdhënësi ka marrë masat e nevojshme për të zbatuar legjislacionin e punës.
- Të sigurojë informacionin e duhur he udhëzimet për punëdhënësit dhe punëtorët, në mënyrë që të arrihet një zbatim sa më i mirë i ligjit.
- Të sjellë në vëmendje të autoriteteve përgjegjëse çdo mangësi të kërkesave ekzistuese, në vëmendje të autoriteteve përgjegjëse për mbikqyrjen e kërkesave administrative për inspektim.

• U miratua projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Koorporatës amerikane "Lockeed Martin Global INC (LMGI)", për ndërtimin e Sistemit të Integruar të Vëzhgimit të Hapësirës Detare".

Ky investim është në mbështetje të programit të qeverisë për rritjen e frymës së integrimit rajonal dhe të përparësive të përcaktuara në programin afatmesëm e afatgjatë të Forcave të Armatosura, për të parandaluar fenomenet negative që mund të shfaqen në hapësirën detare.

Kostoja e projektit është 17.1 milionë USD dhe investimi do të ketë një shtrirje prej 4 vitesh.

Sistemi i Integruar i Vezhgimit të Hapësirës Detare eshte pjesë e strategjisë për ndërtimin e Sistemit të Integruar të Vëzhgimit Kombëtar të hapësirës tokësore, ajrore dhe detare. Ndërtimi i Sistemit të Integruar të Vëzhgimit të Hapësirës Detare vlerësohet si domodoshmëri, pasi ai mbështet realizimin e misionit të Rojes Bregdetare, luftën kundër trafikut të paligjshëm, realizimiin e operacioneve të kërkim-shpëtimit, administrimin e pasurisë në hapësirën detare dhe rrit frymën e bashkëpunimit ndërmjet strukturave shtetërore, organizmave që veprojnë në vendin tonë, vendeve në rajon, edhe në kuadrin e NATO-s.

Korporata "Lockeed Martin" është një kompani prestigjoze në arenen ndërkombëtare dhe një nga kompanitë më të fuqishme në këtë fushë. Ajo është prezente në Shqipëri edhe me ndërtimin e Sistemit të Modernizimit të Kontrollit të Trafikut Ajror. Në këtë mënyrë, realizimi paralel i të dy projekteve, do të krijojë një ndërfaqshmëri të plotë me konceptin e sistemeve të Integruara. Ajo krijon garanci në ndërtimin e sistemeve të tilla që paraqesin rëndësi të vecantë në aspektin e politikës shtetërore, plotësimit të misionit të FA-së, administrimit të burimeve me interes ekonomik për vendin, si dhe në sigurinë kombëtare, rajonale dhe më gjerë.

• U miratua vendimi "Për lejimin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore të nisë procedurat për prodhimin e mjeteve lëvizëse për invalidët".

Bazuar në këtë vendiim, Instituti i Sigurimeve shëndetësore lejohet të nisë procedurat për fondin prej 5.000.000 (5 milionë) lekë, me Fondacionin shqiptar "Për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar", për prodhimin e rreth 200 mjeteve lëvizëse për invalidët.

• U miratua vendimi për miratimin e listës së inventarit dhe kalimin e përgjegjësisë së Administrimit të Mjediseve të maternitetit Elbasan, nga Ministria e Shëndetësisë, Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për Universitetin e Elbasanit.

Në bazë të masterplanit të Spitalit rajonal të Elbasanit, shërbimi i Obstetrik-gjinekologjisë, ku aktualisht funksionon në godinën e maternitetit, do të kalojë në ambjentet e Spitalit, për të cilin fillon rikonstruksioni me fondet e qeverisë italiane. Meqenëse godina e maternitetet mbetet bosh dhe duke marrë parasysh edhhe nevojën e shfaqur nga Universiteti i Elbasanit për të përdorur këto ambjente për aktivitetin mësimor, është menduar që kjo ndërtesë t'i kalojë në administrim këtij Universiteti, duke bërë dhe rikonstruksionin e saj.

• U miratua vendimi "Për një shtesë fondi në buxhetin e vitit 2005, miratuar për Akademinë e Shkencave".

Sipas këtij vendimi, Akademisë së Shkencave i shtohet fondi prej 10.000.000 (10 milionë) lekë për përballimin e realizimit të projektit "Për rregullimin e regjimit të ujërave të Liqenit të Shkodrës dhe të lumenjve Drin e Bunë". Kjo shumë do të pëballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave.

• U miratua projektligji "Për pronësinë industriale"

Qëllimi i këtij projektligji është përshtatja e legjislacionit aktual për pronësinë industriale, me legjislacionin e vendeve europiane në këtë fushë.

Ndryshimet që sjell projekti konsistojnë në dy drejtime:

- Ndryshime që çojnë në përshtatjen e plotë të legjislacionit shqiptar me direktivat e Komisionit Europian në fushën e pronësisë industriale.
- Ndryshime që çojnë në eleminimin e mangësive që kanë rezultuar nga praktikat e përditshme të implementimit të ligjit ekzistues.

Sipas projektligjit, lejohet sistemi gjyqësor dhe institucionet e tjera të përfshira në mbrojtjen e të drejtave të pronësisë industriale, të luajë një rol më të madh në ekzekutimin e të drejtës së pronësisë industriale. Projektligji ka për objekt dhënien dhe mbrojtjen e të drejtave të pronësisë industriale, që përfshin:

1. Patentat për shpikje dhe modelet e përdorimit;
2. Dizenjot industriale;
3. Markat tregtare dhe të shërbimit;
4. Treguesit gjeografikë.

• U miratua projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes kuadër ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komunitetit Europian për parimet e përgjithshme për pjesëmarrjen e Shqipërisë në programet komunitare".

Pjesëmarrja në programet komunitare ka si qëllim familjarizimin e Shqipërisë (administratës së saj e më gjerë) me politikat dhe metodologjinë e punës së Bashkimit Europian. Kjo eksperiencë është e dobishme, veçanërisht për administratën shqiptare, në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe në zbatimin e programeve të ndihmës dhe të zhvillimit që për momentin janë të hapura për vendet anëtare të BE-së.

Marrëveshja kuadër trajton parimet dhe rregullat që do të aplikohen për pjesëmarrjen e Shqipërisë në programet komunitare, bazuar edhe në kapacitetet administrative që ajo ka.

• U miratua projektligji "Për ratifikimin e Konventës ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave të Serbi-Mali i Zi, për shmangien e taksimit të dyfishtë për tatimet mbi të ardhurat dhe mbi kapitalin".

Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje për eleminimin e taksimit të dyfishtë mes Shqipërisë dhe Serbi-Mali i Zi, synon të ndikojë në rritjen e shkëmbimeve tregëtare, të sipërmarrjeve të biznesit, të individëve, aktiviteteve të avokatëve, mjekëve, artistëve, etj. të njërit vend ne vendin tjetër. Marrëveshja heq "barrierën fiskale" (për tatimet direkte) dhe uniformizon trajtimin tatimor të indivikidëve apo kompanive të secilit vend.

• U miratua "Marrëveshja mes Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Lindore të Uruguait për bashkëpunim kulturor".

Në bazë të kësaj marrëveshjeje, palët do të nxisin dhe zhvillojnë bashkëpunimin e ndërsjelltë në fushën e kulturës, nëpërmjet shkëmbimit të grupeve artistike, teatrale, muzikore, realizimit të projekteve të përbashkëta në fushën e kinematografisë, ekspozitave të pikturës, kontaktet ndërmjet Muzeve, bibliotekave dhe arkivave të të dy vendeve, etj.

• U miratua vendimi "Për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga projekti për instalimin e dritave të uljes në aeroportin "Nënë Tereza".

Shpronësimi për interes publik të pronarëve të pasurive të paluajtshme që preken nga ky projekt bëhet si rezultat i domosdoshmërisë së garantimit të uljes gjatë natës të avionëve në aeroportin "Nënë Tereza", në pjesën veriore, në të cilën është vendosur ndriçimi përgjatë aksit të pistës. Vlera e përgjithshme e shpronësimit kap shifrën e 17 326 724 (shtatëmbëdhjetë milion e treqind e njëzet e gjashtë mijë e shtatëqind e njëzet e katër).

• U miratua vendimi "Për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga projekti i ristrukturimit të aeroportit "Nënë Tereza".

Shpronësimi për interes publik të pronarëve të pasurive të paluajtshme që preken nga ky projekt bëhet si rezultat i zhvillimit të aeroportit ndërkombëtar të Rinasit, ku sipas masterplanit për këtë aeroport parashikohet zgjerimi i sipërfaqes së tij. Si pasojë e zgjerimit të siëpërfaqes bëhet shpronësimi për pasuritë e paluajtshme, të cilat përfshihen brenda masterplanit, me vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 39 016 684 (tridhjetë e nëntë million e gjashtëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e tetëdhjetë e katër) lekë.

• U miratua vendimi "Për ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit të sipërfaqes 30 800 m2, pjesë e repartit ushtarak nr.4020, Rinas, nga Ministria e Mbrojtjes te Ministria e Transportit dhe Telekomunikacionit, dhe për një ndryshim në vendimin nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, "Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes".

Sipërfaqja e mësipërme, pjesë e repartit ushtarak nr.4020, Rinas, i kalon në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit për ta përdorur në implementimin e masterplanit të aeroportit "Nënë Tereza".

• U miratua vendimi "Për miratimin në parim të Protokollit të Sesionit të Tretë të Komisionit të Përbashkët Shqiptaro-Austriak, për Bashkëpunimin Ekonomik".

Sesioni i tretë i Komisionit të përbashkët për bashkëpunimin ekonomik shqiptaro-austriak do të mblidhet në datat 11-12 prill 2005. Në këtë sesion do të diskutohet niveli i marrëdhënieve aktuale dypalëshe ekonomiko-tregtare, bashkëpunimi ndërmjet Shqipërisë dhe Austrisë në fushën e financave, turizmit, bujqësisë, minierave, energjisë, transportit, bashkëpunimi në kuadrin e mbështetjes që Austria i jep rajonit të Europës Juglindore etj.. Gjithashtu do të diskutohet edhe lidhur me perspektivat e këtij bashkëpunimi.

• U miratua vendimi "Për njohjen ushtarakëve të Forcave të Armatosura si periudhë sigurimi të periudhës së trajtimit financiar, sipas vendimit nr. 225 dt.29.5.1992,të Këshillit të Ministrave, "Për trajtimin financiar të ushtarakëve që dalin në lirim nga zbatimi i reformës në strukturat e Forcave të Armatosura"".

Periudha e përfitimit të trajtimit financiar nga ushtarakët e Forcave të Armatosura, në përputhje me vendimin e dt. 29.5.1992, të Këshillit të Ministrave, të njihet, duke filluar nga data 1.10.1993 e në vazhdim, si periudhë sigurimi, për efekt pensioni pleqërie, invaliditeti dhe familjar.

Kontributi për këtë periudhë të llogariten mbi pagën mujore minimale, duke filluar nga koha kur merret vendimi për caktimin e pensionit të pleqërisë, të invaliditetit apo familjar dhe pasi të jetë përcaktuar periudha individuale e nevojshme, si periudhë sigurimi për efekt pensioni pleqërie, invaliditeti a familjar.

Nga ky vendim përfitojnë, veç ushtarakëve të Forcave të Armatosuara edhe ushtarakët e Ministrisë së Rendit Publik si dhe të Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH).

Efektet financiare për vitin 2005 do të përballohen nga buxheti i këtij viti, miratuar për Institutin e Sigurimeve Shoqërore.

• U miratua vendimi "Për lejimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve të përdorë procedurën e prokurimit "Kërkesë për kuotim", për ndiçimin e superstradës Kashar-Durrës".

Superstrada Tiranë-Vorë-Durrës është segmenti më i ngarkuar nga pikpamja e trafikut, ngarkesa e të cilit shkon nga 16 000 deri 20 000 mjete në ditë. Marrja e masave për realizimin e ndriçimit parashikon që të rritet ndjeshëm siguria rrugore.

Duke qënë se ndiçimi i pjesës së parë të superstradës Tiranë- Kashar është kryer, del e domosdoshme që të ndriçohet edhe segmenti tjetër Kashar-Durrës, duke përfshirë edhe mbikalimin Ura e Dajlanit.

Ndriçimi do të bëhet paralelisht me punimet për riparimin e superstradës Tiranë-Durrës, të cilat janë mjaft të domosdoshme dhe emergjente, pasi do të evitojnë në maksimumin e mundshëm bllokimin e trafikut në këtë segment tepër të ngarkuar.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›