Kryeministri dhe Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë z. Fatos Nano zhvilloi sot pasdite në selinë e PSSH një takim me kryetarët e partive të Koalicionit Qverisës për Integrim. Në kÃ
Kryeministri dhe Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë z. Fatos Nano zhvilloi sot pasdite në selinë e PSSH një takim me kryetarët e partive të Koalicionit Qverisës për Integrim. Në këtë takim gjashtë kryetarët e partive të këtij koalicioni nënshkruan një deklaratë të përbashkët për përgatitjet e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2005:
Partitë e Koalicionit për Integrim u mblodhën sot, më datë 7.10.2004 për të diskutuar me përgjegjësinë e duhur politike në lidhje me detyrat që u dalin atyre, partive politike dhe institucioneve shtetërore për të përshpejtuar përgatitjen për zgjedhjet e ardhëshme parlamentare dhe në mënyrë të veçantë për zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR në lidhje me përmirësimet që duhet të bëhen në kodin zgjedhor me qëllim që zgjedhjet parlamentare të vitit 2005 të plotësojnë standartet ndërkombëtare demokratike.
Në përfundim të diskutimeve Partitë e Koalicionit për Integrim miratuan deklaratën e mëposhtme:
•Zgjedhjet e vitit 2005 janë tepër të rëndësishme për të konsoliduar edhe më tej stabilitetin dhe klimën politike në vend në dobi të integrimit të Shqipërisë në BE dhe në strukturat e NATO-s.
•Partitë e Koalicionit për Integrim vlerësojnë se çdo vonesë në zbatimin e reformës zgjedhore, sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR rrezikon të ketë pasoja negative në përgatitjen dhe mbajtjen me sukses të zgjedhjeve legjislative të vitit 2005
•Ky proces kërkon angazhimin e të gjithëve. Partitë e Koalcionit për Integrim rikonfirmojnë vullnetin e tyre të plotë dhe angazhohemi që të japim të gjitha kontributet e nevojëshme politike për të realizuar në vend zgjedhje të drejta, të barabarta dhe të ndershme në mënyrë që që ky proçes zgjedhor të jetë i pa kontestueshëm. Me këtë rast ne ftojmë gjithë partitë politike të shprehin të njëjtin angazhim për përgatitjen e zgjedhjeve dhe moskontestimin e tyre pavarësisht rezultateve.
Partitë e Koalicionit për Integrim:
•Pranojnë pa mëdyshje rekomandimet e bëra nga OSBE/ODIHR dhe angazhohen për zhbllokimin e plotë të tyre në procesin legjislativ të përmirësimeve që duhet të bëhen në Kodin Zgjedhor.
•Procesi i reformës zgjedhore duhet të përqëndrohet në këto përparësi kryesore të cilat nuk duhen politizuar:
a)Ne mbështesim inisiativën për përmirësimet ligjore në drejtim të përgatitjes, rishikimit dhe verifikimit të listave të zgjedhësve të bëhen pa humbur kohë nëpërmjet procedurave parlamentare me synim që brenda muajit duhet të miratohet projektligji për listat elektorale për të mundësuar kështu përgatitjen në kohë të tyre. Duhet të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojëshme ligjore prej strukturave përgjegjëse, sidomos prej strukturave të pushtetit vendor për përgatitjen, rishikimin dhe verifikimin e listave të zgjedhësve. Përgjegjësia për saktësinë e listave të zgjedhësve duhet të përcaktohet qartë për të shmangur spekulimet e mundëshme politike.
b)Të mënjanohet përfshirja e partive politike në përgatitjen e listave të zgjedhsve; roli i tyre mbetet të jetë monitorimi i të gjitha etapave të procesit për të cilin duhet të sigurohet transparencë e plotë.
c)Problemet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve duhet të trajtohet në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR. Për këtë ne mbështesim të gjitha zgjidhjet që garantojnë integritetin institucional të KQZ-së dhe në të njëjtën kohë rrisin besimin tek ai. Zgjidhjet që synojnë influenca apo ndikim të dukshëm apo të padukshëm në vendimmarrjen e KQZ kërcënojnë standartet e kërkuara për zgjedhjet e ardhëshme.
d)Përmirësime të rëndësishme duhen bërë në përbërjen dhe emërimin e anëtarëve të komisioneve zgjedhore lokale në mënyrë që përfaqësimi i subjekteve elektorale të jetë sa më i gjerë. Partitë politike duhet të garantojnë që komisionet zgjedhore të funksionojnë me paanësi dhe profesionalizëm pa ndërhyrje nga jashtë dhe se ankesat duhet të ngrihen përmes procedurave përkatëse të ankimimit në rrugë ligjore. Duhet të mënjanohet kërkesa për shumicë të cilësuar në vendimmarrjet e komisioneve zgjedhore.
e)Ne mbështesim forcimin e bashkëpunimit të ekspertëve të të gjitha palëve si dhe vlerësojmë rolin e OSBE/ODIHR si të pazëvendësueshëm për zbatimin e saktë të rekomandimeve të këtyre institucioneve në procesin zgjedhor.
Partitë e koalicionit qeverisës shprehën vullnetin e tyre për ndërmarrjen e nisiativave të përbashkëta politike dhe legjislative për realizimin e përmirësimeve të nevojshme të Kodit Elektoral në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR.
Partitë e Koalicionit për Integrim shprehën gadishmërinë e tyre që me përfundimin e përmirësimeve të Kodit Zgjedhor për zgjedhjet e 2005, brënda kësaj legjislature, Kuvendi i Shqipërisë të ndërmarrë një reformë të plotë zgjedhore. Kjo reformë afatgjatë lipset të ndërmerret para zgjedhjeve të vitit 2005 dhe të hyjë në fuqi në zgjedhjet pasardhëse. Ato besojnë se vetëm në këtë mënyrë bëhet e mundur që kontributet e të gjitha palëve të jenë të çveshura nga interesat e ngushta politike dhe elektorale të statusit të tyre aktual.
Tiranë, 7 tetor 2004
PDS Paskal Milo
PAD Neritan Ceka
PAA Lufter Xhuveli
PBDNJ Vangjel Dule
PSD Skënder Gjinushi
PSSH Fatos Nano