Sot pasdite, nën drejtimin e Zëvendëskryeministrit Namik Dokle, u zhvillua mbledhja e Komitetit Ndërministror të Integrimit në NATO. Në këtë mbledhje u diskutua rreth Planit të Veprimit
Sot pasdite, nën drejtimin e Zëvendëskryeministrit Namik Dokle, u zhvillua mbledhja e Komitetit Ndërministror të Integrimit në NATO.
Në këtë mbledhje u diskutua rreth Planit të Veprimit për Anëtarsim (MAP) (cikli i gjashtë, 2004-2005) i cili do të prezantohet dhe diskutohet më datën 28 tetor 2004 në Selinë e NATO-s në Bruksel, dhe që përbën dokumentin e Cilkit të Gjashtë në Planin Kombëtar të Veprimit për anëtarësim.
Në këtë mbledhje Zoti Dokle mbajti këtë fjalë:
Fjala e Zëvendëskryeministrit Namik Dokle në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Integrimit në NATO
Siç jeni në dijeni, në datë 28 Tetor 2004 në selinë e NATO-s në Bruksel do të prezantohet dhe diskutohet në formatin 26 plus 1, dokumenti i ciklit të gjashtë të Planit kombëtar të Veprimit për Antarësim (MAP).
Vlerësimi im i përgjithshëm është se Plani i Veprimit për Antarësim për ciklin e gjashtë 2004-2005 është realizuar në mënyrë më të organizuar e cilësore. Dokumenti i këtij viti shpreh në mënyrë të detajuar e realiste progresin e bërë nga vendi ynë në harkun kohor një vjeçar në fushën politike, ekonomike, ne ate të mbrojtjes, të resurseve, të përafrimit të legjislacionit e të sigurisë së informacionit, si dhe hedh piketat themelore të synimeve dhe angazhimeve për ciklin e ri. Me këtë gjykim pozitiv, dua të evidentoj faktin që "Grupi Ndërministerial për Hartimin dhe Monitorimin e MAP-it" ka filluar ti japë rezultatet e dëshiruara me prodhimin e një dokumenti bashkëkohor, më të konsoliduar e më realist se ai i cikleve të kaluara. Ky nuk është vetëm një konkluzion i imi, por edhe i shumë ekspertëve të fushave përbërëse që kanë krijuar tashmë një pjekuri të kënaqshme në njohjen dhe trajtimin e procesit të integrimit në NATO.
Pak më shumë se tre muaj më parë, Samiti i NATO-s i Stambollit i Qershorit 2004, pranoi si antarë me të drejta të plota 7 vende aspirante që morrën ftesën në Samitin e Pragës, dhe vlerësoi me nota pozitive progresin e Shqipërisë, krahas vëndeve të tjera aspirante. Termat e përdorur nga Aleanca në Komunikatën Finale të Samitit, qoftë individualisht për Shqipërinë, ashtu dhe së bashku
me vendet e tjera aspirante.
Mendoj se ja vlen të kujtojmë së bashku që Samiti i Stambollit u shpreh qartë se: "Ne jo vetëm përshëndesim suksesin e politikës së "Dyerve të Hapura" për në NATO, por dhe riafirmojmë sot që shtatë anëtarët e rinj nuk do të jenë të fundit. Dera për antarësim do të mbetet e hapur; ne vlerësojmë progresin e bërë nga Shqiperia, Kroacia dhe ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë…. NATO do të vazhdojë të mbështesë kandidaturën individuale të secilit nga këto vënde, duke u bazuar në progresin e objektivave të reformës, të mbështetura në Planin e Veprimit për Antarësim, i cili do të vazhdojë të mbetet mekanizmi kryesor për të vlerësuar nivelin e progresit të secilit aspirant për antarësim. Ministrat e Jashtëm të NATO-s kanë marrë direktivën të mbajnë në mbikqyrje të vazhdueshme procesin e zgjerimit të Aleancës, … dhe bazuar në raportet e tyre, ne do të rivlerësojmë në Samitin e ardhshëm progresin e tre vëndeve aspirante për antarësim në NATO."
Zotërinj të nderuar,
Bazuar mbi këtë vlerësim inkurajues të Komunikatës Finale, më lejoni të shpreh gjykimin se ne ndodhemi më pranë NATO-s se ndonjëherë më parë dhe se kemi hyrë aktualisht në fazën finale të procesit. Pa asnjë ekuivok, Qeveria Shqiptare i ka vendosur vehtes një objektiv të qartë: që Shqipëria të marrë ftesë për antarësim në NATO në Samitin e ardhshëm të saj. Dhe që të arrijme kete duhet që ne të bëjmë të gjitha përpjekjet e të aktivizojmë të gjithë mekanizmat për realizimin me korrektësi e përgjegjshmëri të kuadrit te kërkesave në të pesë fushat e Planit të Veprimit për Antarësim.
1 çështje politiko/ ekonomike,
2 çështje ushtarake/ të mbrojtjes,
3 çështje të burimeve që vihen për sigurinë e mbrojtjen,
4 çështje të sigurisë së informacionit të klasifikuar,
5 çështje të përafrimit të legjislacionit në funksion të integrimit.
Duke qenë tërësisht në favor të këtij dokumenti dhe duke përgëzuar grupin që ka punuar për hartimin e tij, më lejoni ta përqëndroj vëmendjen time pikërisht në atë që vjen pas miratimit nga ky Komitet të këtij dokumenti.
Besoj se të gjithë jemi të mendimit se vendi ynë, pas një procesi përpjekjesh gati 10 vjeçare për integrimin në NATO, ka grumbulluar një ekspertizë e përvojë të konsiderueshme. Por, faza në të cilën ndodhemi kërkon domosdoshmërisht një konsolidim të mëtejshëm të mentalitetit të angazhimit aktiv e më të koordinuar në menaxhimin e procesit të integrimit në NATO. Ajo që përbën akoma shqetësim dhe që dëshiroj t'a sjell me prioritet në vëmendjen e antarëve të nderuar të këtij Komiteti, është monitorimi hap-pas-hapi i angazhimeve të dokumentit të MAP-it, i cili përbën dokumentin themelor për arritjen e objektivit strategjik të vendit për integrim në NATO. Mbi këtë këndvështrim, nuk është aspak e justifikueshme që ligji për pranimin dhe dërgimin e forcave në operacione ndërkombëtare akoma nuk eshte materializuar si nisme ligjevenese nga ministrite perkatese, duke sterzgjatur diskutimet.
Tashme Grupi i MAP-it është në fazën finale edhe për zhvillimin e një Strategjie të Integrimit në NATO deri në Samitin e ardhshem. Kjo strategji me largpamje afatmesme do të kërkojë që planet kombëtare vjetorë të masterizohen në të, në mënyrë logjike e të konsoliduar, dhe jo si montim mekanik të tyre. Me të drejtë presim që Grupi Ndërministror i MAP-it, tashmë i konsoliduar, t'i rekomandojë periodikisht këtij Komiteti rrugëzgjidhje alternative e sa më reale të çështjeve themelore të integrimit, të ndjekë ecurinë e proceseve integruese e të bëjë analiza e konkluzione për rrugët më të efektshme e me kosto më të ulët, të përcaktojë prioritetet e procesit të integrimit, të vlerësojë koston e të bëjë analizën e zbatimit të programeve integruese, atribute dhe përgjegjesi që i janë dhënë këtij grupi me Urdhërin e Kryeministrit Nr 62 datë 24 Prill 2003.
E konsideroj sukses dhe progres të rëndësishëm që vendi ynë, për një kohë relativisht të shkurtër, është shndërruar nga një vend që ka konsumuar siguri, në një vend që po gjeneron siguri si asnjëherë më parë, edhe matanë kufijve kombëtare. Mjedisi aktual më i favorshëm në rajon është meritë e veçantë, krahas të tjerash, edhe i pozicionimit më largpames të vendit tonë e të faktorit shqiptar në tërësi. Gjithçka më sipër është rezultat i koordinimit të mirë dhe konvergimit midis institucioneve politikë-bërës të Ekzekutivit, të Legjislativit, dhe të Presidentit. Me këtë rast, dua të tërheq vëmendjen që tashmë, krahas konsolidimit të nivelit strategjik të përfaqësimit, duhet te fokusohemi me të njëjtin kujdes edhe tek shtrirja e përqafimi i çështjeve te integrimit në të gjitha nivelet e tjera, sidomos në hallkat e implementimit të tij praktik në nivelet e mesme e të ulta.
Më lejoni të sjell gjithashtu në vëmendjen tuaj se, në menaxhimin e këtij procesi kompleks e gjithë-përfshirës ka shumë rëndësi që çdo institucion të dijë mirë vendin dhe te luaje me efikasitet rolin e tij. Me këtë dua të them se, secili institucion nuk duhet të presë, por duhet të konturojë qartë pozicionin dhe politikat specifike sektoriale mbi bazën e qëndrimeve zyrtare të konsoliduara në vijimësi nga Ministria e Punëve të Jashtme. Tani, më shumë se më parë, është e nevojshme që së pari të konsolidojmë më tej linjat tona të brëndshme të bashkëpunimit në mënyrë që të flasim me një zë unik gjatë kontakteve me partnerë të huaj e organizmat ndërkombëtare.
Nuk mund të le pa përmendur eksperiencën dhe punën e mirë të periudhës së para-Samitit të Stambollit me lobingun për integrimin në NATO e cila dha rezultatin e dëshiruar. Do te veçoja mbeshtetjen e fuqishme te Kongresit Amerikan. Me temp dhe me frymëmarrje më të gjerë duhet të rivlerësojmë gjithashtu mundësitë për t'i shtuar përpjekjeve në nivel kombëtar, edhe sinergjinë e larminë e bashkëpunimit në kuadrin e Kartës së Adriatikut A-3.
Së fundi, jam vënë në dijeni se eshte punuar intensivisht edhe gjatë javëve të fundit për ta mbajtur dokumentin sa më të freskët. Me të drejtë, dokumenti ka karakter dinamik dhe plotësohet natyrshëm çdo ditë që kalon; prandaj mendoj se mund të akordohen 2-3 ditë kohë për ti pasqyruar ndryshimet e mundshme dhe pastaj ato të dorëzohen në Ministrinë e Punëve të Jashtme, e cila duhet të respektojë afatet e dorëzimit të dokumentit në destinacion.