E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri fton opozitën në komisionin e zbardhjes së dosjeve



Mazhoranca insiston për përfshirjen e opozitës së majtë në komisionin që do të zbardhë dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit. Kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të PD-së, në fillim të sesionit të ri kuvendor, i bëri thirrje kreut socialist, Edi Rama, për të propozuar emrat për komisionin e pastërtisë së figurave të larta. Pasi, sipas tij, kjo është një çështje e madhe politike që kërkon të ndahet nga e shkuara, ndaj kërkoi reflektimin e PS-së. Në këtë mënyrë, mazhoranca e djathtë duket e vendosur për të zbatuar ligjin e dosjeve, i cili ka hyrë në fuqi pa firmën e Presidentit, ndërsa opozita ka deklaruar se do ta ankimojë atë në kushtetuese. Kryeministri Sali Berisha ftoi edhe njëherë opozitën t’i lërë mënjanë kundërshtitë për ligjin e lustracionit dhe të bashkohet në komisionin e autoritetit të kontrollit të figurës. Duke folur në mbledhjen e parë të grupit parlamentar demokrat, shefi i qeverisë tha se ligji për lustracionin është një çështje madhore për vendin dhe para se opozita ta kundërshtojë atë, ajo duhet t’i bëjë vetes dy pyetje. "A përbëjnë krimet e regjimit komunist totalitar të Enver Hoxhës krim kundër njerëzimit apo jo, dhe së dyti a duhen dënuar krimet kundër njerëzimit?". Në këtë kontekst, Kryeministri pohoi se nuk ka vend që të ketë përjetuar ato që përjetoi Shqipëria nga regjimi komunist. Këto krime, - u shpreh Berisha, - ishin të lidhura me politika qeveritare dhe si të tilla konsiderohen nga konventat dhe ligjet ndërkombëtare si krime kundër njerëzimit. “Konventat dhe ligjet ndërkombëtare për krimet kundër njerëzimit, doktrina mbi këto krime, është e qartë si kristali. Përgjegjës për këtë janë jo vetëm hartuesit e platformave, por edhe ekzekutuesit e akteve, qoftë edhe një apo dy akteve të vetme në kuadrin e një situate të krimeve kundër njerëzimit, pra të krimeve të përhapura”, - theksoi Kryeministri. Kryeministri pohoi më tej se ligji i sapomiratuar i lustracionit është përgjigjja më e butë dhe përpjekja më e ndershme për ndarjen nga e shkuara. Sipas tij, e gjitha kjo synon të mbyllë një kapitull që është ende i hapur, qartësisht i hapur. Uroj që këtë mesazh të mos e gjykojmë me verbëri politike, por me dokumentacione, me praktikat më të mira e më të qytetëruara.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›