E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLD-ja zgjedh 8 anëtarët e Kolegjit Zgjedhor

20/01/2009  Topi: Zgjedhjet parlamentare do ti japin fund periudhës së tranzicionit të proceseve zgjedhore

TIRANË- Mbledhja e radhës së Këshillit të Lartë të Drejtësisë pati si objekt të saj zgjedhjen e 8 anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor si dhe shqyrtimin e kërkesës së bërë nga kryegjyqtari i rrethit të Tiranës Albert Meçi, i cili dha dorëheqjen. Presidenti i Republikës Bamir Topi, i pranishëm në cilësinë e kryetarit të KLD-së, vlerësoi se zgjedhjet e ardhshme parlamentare do ti japin fund periudhës së tranzicionit të proceseve zgjedhore me kontestime. Për të marrë pjesë në Kolegjin Zgjedhor u votuan në short 53 anëtarë të gjykatave të apelit në vend. Nga 53 gjyqtarë u zgjodhën 8. Ndërkohë që bëhet e ditur se fillimisht 3 gjyqtarë u kontestuan nga politika si të papranueshëm. Për të mbërritur te zgjedhja përfundimtare KLD-së iu deshën 30 minuta.

Goglat e shortit

Përzgjedhja u bë nëpërmjet goglave. Nga shorti u zgjodhën si anëtarë të Kolegjit Zgjedhor gjyqtarët Dhurata Haveri, Astrit Kalaja, Marie Qiriazi, Meriban Mullaj, Sashenka Jonuzi, Entela Prifti, Tom Ndreca dhe Petraq Koço. Nga përzgjedhja e parë me short u kontestuan 3 emra. Stavri Kallço, Bashkim Dedja dhe Zegjine Sollaku nuk morën aprovimin nga partitë. Përzgjedhja e dytë me short zgjodhi 3 emra të rinj në vend të kandidatëve të kontestuar. Pas kontestimit të 3 anëtarëve shorti u hodh edhe një herë. Në hedhjen e dytë në vend të tyre u përzgjodhën Entela Prifti, Tom Nderca dhe Petraq Koco. Në hedhjen e shortit ishin të pranishëm edhe përfaqësues të partive politike. E drejta e partive politike në këtë rast ka qenë kundërshtimi në heshtje. Partitë patën 30 minuta kohë për të shqyrtuar kandidatët. Në këtë proces, i cili u zhvillua në prani të medies, u përfshinë 53 gjyqtarë të gjykatave të shkallës së apelit në shkallë republike. Kolegji Zgjedhor është një strukturë e rëndësishme, që merret me shqyrtimin e ankesave të subjekteve politike gjatë procesit për zgjedhjet e reja parlamentare, të cilat do të mbahen më 28 qershor 2009.

Presidenti Topi

Në mbledhjen e radhës të KLD-së ishte i pranishëm edhe Presidenti i Republikës Bamir Topi, njëkohësisht kryetar i saj. Në fjalën e radhës Presidenti u shpreh se drejtësia duhet të jetë e njëanshme. Ai vlerësoi se zgjedhjet e ardhshme parlamentare do ti japin fund periudhës së tranzicionit të proceseve zgjedhore me kontestime. Gjatë fjalës së tij Presidenti i ka cilësuar zgjedhjet e qershorit 2009 si vendimtare për proceset integruese të vendit. “Unë besoj se pranohet nga të gjithë se institucioni i zgjedhjeve politike në Shqipëri është institucioni më i rëndësishëm, sepse është institucioni nga i cili derivojnë të gjitha institucionet e tjera”, - tha ai.

Emrat e 8 anëtarëve

Dhurata Haveri

Astrit Kalaja

Marie Qiriazi

Meriban Mullaj

Sashenka Jonuzi

Entela Prifti

Tom Ndreca

Petraq Koço

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›