E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet, Berisha: Opozita të na kontrollojë



Mazhoranca është e gatshme t’i japë opozitës të gjitha hapësirat e kontrollit mbi zgjedhjet e reja parlamentare të 28 qershorit. E djathta e konsideron kontrollin e saj si kontribut të madh në këtë drejtim. Kryeministri Sali Berisha para deputetëve të PD-së ftoi opozitën të kontrolloje procesin përgatitor dhe ofroi konsensusin për ngritjen sa më parë të KQZ-së së re. Berisha apeloi për ngritjen e një komisioni me kredibilitetin më të lartë. "Ju bëj thirrje edhe ju, të ulemi me opozitën për të bërë të mundur të ndërtojmë një komision me kredibilitetin më të lartë, sikundër ftoj opozitën të ushtrojë të gjithë kontrollin që dëshiron mbi përgatitjet për procesin zgjedhor", - deklaroi z. Berisha. Kryeministri përshëndeti gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike hapjen e sesionit të ri parlamentar, duke e cilësuar atë si madhor për të gjitha reformat, të cilat do të vazhdojnë deri ditën e zgjedhjeve. “Qëllimi ynë është të zhvillojmë një proces zgjedhor dinjitoz”, - u shpreh Kryeministri Berisha. Në këtë kontekst, Kryeministri tha se qeveria dhe mazhoranca janë të hapur ndaj çdo lloj propozimi që opozita gjykon dhe që i shërben transparencës dhe kompletimit më të mirë të procesit zgjedhor. “Ne duam që çdo forcë politike të gjejë veten e vet në këtë proces. Nuk kemi asgjë përjashtuese në këtë proces”, - tha Kryeministri. Lidhur me propozimin e opozitës për marrjen e një vendimi nga Këshilli i Ministrave për afatin e përdorimit të pasaportave ekzistuese, Kryeministri tha se do të autorizojë Ministrinë e Brendshme që të vendosë menjëherë kontaktet për diskutimin e këtij propozimi. Po në mbledhjen e djeshme të grupit të PD-së, në fillim të sezonit të ri kuvendor, Berisha foli për rëndësinë që merr ky legjislacion. Ai vuri në dukje se mjaft ligje të rëndësishme pritet të kalojnë gjatë legjislaturës së re teksa kërkon një angazhim total të deputetëve të mazhorancës, në mënyrë të veçantë prezencë të rregullt në seancat plenare. Kryeministri siguroi se në 6 muajt e fundit të qeverisjes së djathtë do të mundësohet kryerja e reformave të nisura.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›