E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontroll infrastrukturës zgjedhore

20/01/2009  Rama dhe Berisha shprehen në të njëjtën linjë mbi përgatitjet e procesit zgjedhor

Berisha: “Opozita të ushtrojë gjithë kontrollin mbi përgatitjet për procesin zgjedhor”

Krerët e dy partive kryesore në vend gjejnë gjuhën e përbashkët sa i takon përgatitjes së infrastrukturës zgjedhore. Kreu socialist Edi Rama dhe Kryeministri Sali Berisha shkëmbejnë në distancë opsionet për zgjidhjen në mënyrë sa më të shpejtë dhe korrekte të kësaj çështjeje. Kështu, dje gjatë një intervali të shkurtër kohor kryetari i PS-së parashtroi propozimet e partisë që ai drejton për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit të përgatitjes së zgjedhjeve të 28 qershorit nga ana e qeverisë shqiptare. Por përmes një përgjigje të menjëhershme kreu i mazhorancës pranon propozimet e PS-së, duke dhënë garancinë dhe gatishmërinë e qeverisë së tij për një zgjidhje sa më dinjitoze mbi përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore.

Propozimi

Partia Socialiste kërkoi dje ngritjen e një komisioni parlamentar ad hoc për monitorimin e procesit përgatitor për zgjedhjet parlamentare të qershorit. Një propozim i tillë u bë dje publik nga vetë kreu socialist Edi Rama gjatë një konference për shtyp. Duke u shprehur i shqetësuar mbi mangësitë që vërehen gjatë kësaj kohe në këtë proces, Rama parashtroi disa opsione për zgjidhjen në mënyrën e duhur të problemeve që ka evidentuar Partia Socialiste. “E quajmë absolutisht të domosdoshme ngritjen e një komisioni parlamentar ad hoc, që të monitorojë procesin e përgatitjes së infrastrukturës zgjedhore dhe të ushtrojë kontrollin e posaçëm të Parlamentit mbi strukturat qendrore e vendore të përfshira në këtë proces gjatë gjithë periudhës së mbetur deri në zgjedhje”, - vlerësoi Rama lidhur me këtë çështje. Sipas tij, PS-ja propozon korrigjimin e menjëhershëm të metodës së zgjedhur e të mënyrës së ndjekur deri tani, duke u dhënë prioritet absolut qytetareve e qytetarëve-votues që nuk kanë pasaportë. “Ne propozojmë që Këshilli i Ministrave të nxjerrë pa humbur kohë një vendim të ri, ku të urdhërojë në bazë të listës zyrtare të shtetasve pa pasaportë shpërndarjen e emrave të tyre sipas çdo njësie vendore deri më 31 janar 2009. Autoritetet vendore duhet të ngarkohen që përveç publikimit zyrtar të listës përkatëse të banorëve të njësisë së tyre pa pasaportë ti njoftojnë nominalisht këta shtetas që të aplikojnë për kartën e identitetit, sipas një kalendari të bërë publik, duke i njohur me sanksionet e përcaktuara në rast të mospajisjes me kartë në afatin e parashikuar”, - vuri në dukje Rama në fjalën e tij.

Qëndrimi Berishës

Kryeministri Sali Berisha ka pranuar kërkesën e kryesocialistit Edi Rama mbi kontrollin e procesit të përgatitjeve të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike shefi i ekzekutivit ka theksuar se çështja më kryesore e kësaj periudhe dhe e gjithë këtyre muajve janë zgjedhjet. Duke iu referuar kërkesës së kreut të PS-së, Berisha tha se do të autorizojë Ministrinë e Brendshme në lidhje me pajisjen me karta identiteti të qytetarëve që nuk kanë pasaporta. “Duke ardhur këtu, më informuan se kryetari i opozitës ka kërkuar vendim qeverie për pasaportat ekzistuese. Unë do të autorizoj Ministrinë e Brendshme që menjëherë të vendosë kontaktet me ta”, - deklaroi kreu i qeverisë. Ai nënvizoi se mazhoranca është e hapur ndaj çdo propozimi të opozitës dhe që i shërben transparencës dhe kompletimit më të mirë të procesit zgjedhor. “Ju bëj thirrje edhe juve që të ulemi me opozitën për të ndërtuar një komision me kredibilitetin më të lartë, sikundër ftoj opozitën të ushtrojë të gjithë kontrollin që dëshiron mbi përgatitjet për procesin zgjedhor. Ne do ta konsideronim kontrollin e saj kontribut të madh. Nuk kemi asnjë qëllim, vetëm një proces dinjitoz zgjedhor”, - tha Kryeministri Berisha. Sipas tij, Partia Demokratike dhe e gjithë mazhoranca dëshiron që çdo forcë politike të gjejë veten e vet në këtë proces, pasi askush nuk duhet përjashtuar.

Vlerësimet e Berishës

Kryeministri Sali Berisha ka vlerësuar maksimalisht nisjen e shpërndarjes së kartave të reja të identitetit. “Do ta quaja këtë proces mision për mundësimin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare me infrastrukturën më moderne të identifikimit të zgjedhësve, listat elektronike, sistemin tërësor të ri të adresave dhe dokumentet elektronike. Me këto dokumente qytetari shqiptar barazon veten në aspektin e identifikimit me të gjithë qytetarët evropianë. Kemi përzgjedhur dokumentin ose teknologjinë më të avancuar që ekziston sot në Evropë”, - ka thënë Berisha pak ditë më parë.

Kritikat e Ramës

Kreu socialist, Rama lëshoi një sërë kritikat mbi qeverinë “Berisha”. “Nuk është pastruar ende Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile, i cili sipas versionit zyrtar të qeverisë përmban ende mbi 100 mijë dublikime, ndërkohë që ky proces, sipas vetë angazhimeve publike të qeverisë, duhet të kishte përfunduar në korrikun e vitit 2008, pastaj në shtatorin e vitit 2008 dhe pastaj në dhjetorin e vitit 2008”. Sipas tij, për rreth një javë kanë aplikuar jo më shumë se 20.000 persona, ndërkohë që deri ditën e zgjedhjeve kanë mbetur jo më shumë se 115 ditë pune, madje pa llogaritur festat, ndërsa numri i përgjithshëm i votuesve është rreth 3 milionë qytetarë e qytetarë. Për këtë arsye, Rama vlerësoi se “vonesa dramatike e këtij procesi gjatë gjithë këtij mandati të dështuar qeverisës, i ka sjellë gjërat vërtet në buzë të humnerës dhe ka bërë që këto zgjedhje historike për Shqipërinë e përfshirë në angazhime të mëdha me familjen euroatlantike, të kërcënohen shumë seriozisht në standardet e tyre”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›