E Diel, 1 Nëntor 2026

Kabineti qeveritar të ndryshohet para zgjedhjeve

20/01/2009  Nikollë Lesi

Kryetari i “Lëvizjes Demokristiane” Nikollë Lesi ka kërkuar ndryshime në qeverinë e drejtuar nga Kryeministri Sali Berisha. Në një konferencë për shtyp Lesi ka thënë se konstaton me dhimbje se disa gjymtyrë të kabinetit qeveritar janë të përlyera e të akuzuara si mos më keq. Ai tha se të gjithë ministrat të kalojnë përmes një analize të mirëfilltë. “I kërkoj publikisht Kryeministrit Berisha që, siç ka premtuar në Parlament në fillim të mandatit tonë, të sjellë para deputetëve të mazhorancës të gjithë ministrat e tij, ku të bëjmë një analizë të mirëfilltë të punës së secilit dhe më pas të dalim publikisht me emra se cilët ministra kanë qenë të paaftë, të korruptuar ose që nuk kanë ecur me ritmin e reformave apo hapin e mazhorancës. Që do të thotë se pas kësaj unë kërkoj të bëhet një kabinet i ri qeveritar për zgjedhjet”, - deklaroi kreu i LDK-së. Sipas tij, nga një analizë e tillë mazhoranca nuk humbet asgjë, përkundrazi, dëshmohet transparencë. “Nga një analizë e tillë nuk humbasim si mazhorancë, përkundrazi, jemi më transparentë përballë opinionit publik, i cili duhet pranuar se është paksa dyshues ndaj nesh si mazhorancë për fajin e ndonjë ministri apo ish-ministri, që duhej të kishte përfunduar në burg për aferat me të cilat na ka përlyer krejt si mazhorancë”, - tha Lesi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›