E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri grek Papadhimos vazhdon turin e takimeve

LUKSEMBURG - Vazhdojnë sot në Luksemburg takimet e kryeministrit grek Lukas Papadhimos, pas vizitës në Bruksel dhe kontakteve me me presidentin e KE, Hoze Manuel Barroso dhe Presidentin e BE, Herman Van Rompuy. 

Papadhimos do të takojë në Luksemburg, Kryetarin e Eurogrupit Zhan Klod Junker dhe pasdite në Frankfurt, Presidenti BQE, Mario Dragon. 

"Eurogroup duhet të bjerë dakord në takimin e ardhshëm, për lirimin e këstit të gjashtë për Greqinë," tha dje Presidenti i BE-së, Herman Van Rompuy pas takimit me Papadhimos. Ai vuri në dukje se ka marrë angazhimin e plotë të qeverisë së re të Greqisë, për zbatimin e programit të ri. 

Më pak politikë dhe më shumë angazhim kërkoi Presidenti i Komisionit Evropian Jose Barroso, i cili nënvizoi se konsensusi politik në Greqi është i nevojshëm për të realizuar punën e vështirë të qeverisë. 

Cështja e angazhimeve me shkrim për lirimin e këstit të gjashtë, dominoi gjatë diskutimeve të djeshme. 

Zyrtarët evropianë pranuan përpjekjet e vendit dhe ishin të kënaqur me angazhimet e marra nga qeveria e re, por megjithatë këmbëngulën për angazhime me shkrim të udhëheqësve politikë.

Por kreu i opozitës së djathtë greke, Antonis Samaras nuk pranon të nënshkruajë dhe në të njëjtën kohë mësohet se ai i ka dërguar një letër PPE (Partia popullore evropiane), ku informon në lidhje me zhvillimet e fundit në Greqi, pas shpalljes së referendumit nga Jogos Papandreu, i cili udhëhoqi formimin e qeverisë së koalicionit.

Më pas, deklaron se partia e tij do të respektojë marrëveshjen e arritur në takimin e tre liderëve politikë nën patronazhin e presidentit Papulias, ku u pranua se "puna e qeverisë së re është që të zbatojë vendimet e Samitit të BE të 26 tetorit 2011 dhe zbatimin e politikave ekonomike që lidhen me këto vendime. "

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›